KH Prishtina me kryesi të re, Krenar Çela kryetar i ri

Hendboll

KH Prishtina me kryesi të re, Krenar Çela kryetar i ri

Nga: K.G. Më: 18 nëntor 2026 Në ora: 11:39
Në krye të klubit është zgjedhur Krenar Çela

Klubi i Hendbollit Prishtina, në konkurrencën e meshkujve, ka zgjedhur kryesinë e re drejtuese.

Klubi me renome synon që gradualisht të rikthehet në rrugën e rezultateve pozitive, ashtu siç dëshirojnë dashamirët e hendbollit prishtinas.

Në krye të klubit është zgjedhur Krenar Çela, i cili do të marrë detyrën e kryetarit të ri.

Ndërkohë, Prishtina po kalon një periudhë të vështirë sa u përket rezultateve. Në gjashtë ndeshjet e zhvilluara deri më tani, skuadra ka regjistruar vetëm një fitore dhe pesë humbje.

Me këtë bilanc, Prishtina renditet në vendin e gjashtë, me gjithsej dy pikë.

“Në ambientet e zyrave të Klubit të Hendbollit KH Prishtina, është mbajtur Kuvendi i Punës, në të cilin është bërë përzgjedhja e kryesisë së re të klubit.

Me vendim të Kuvendit, në pozitën e Kryetarit të Klubit është zgjedhur z. Krenar Çela, ish-kapiten dhe ish-drejtor i KH Prishtinës.

Gjithashtu, është përzgjedhur edhe përbërja e re e Bordit Drejtues, në të cilin bëjnë pjesë: Ekrem Hajdari, Eduard Berisha, Oltion Beshiri, Agron Sejdiu, Arnis Fushtica dhe Mergim Ademi.

Kryesia e re e merr drejtimin e klubit në një periudhë jo të lehtë, duke trashëguar një gjendje të rënduar financiare dhe organizative. Megjithatë, përkundër sfidave dhe vështirësive, anëtarët e rinj të kryesisë janë zotuar se me përkushtim, punë, përgjegjësi dhe bashkëpunim do të angazhohen maksimalisht për ta rikthyer KH Prishtinën aty ku e ka vendin – në majat e hendbollit dhe në vendin e parë, aty ku i takon historisë dhe emrit të saj.

Ky është më shumë se një ndryshim në udhëheqje. Është një zotim për ringritje, një përgjegjësi ndaj historisë së klubit dhe një premtim ndaj tifozëve, sportistëve dhe të gjithë atyre që ndër vite kanë qenë pjesë e familjes bardhekaltër.

Rruga nuk do të jetë e lehtë, por me besim, unitet dhe punë të përbashkët, synimi është i qartë: ta rikthejmë krenarinë, lavdinë dhe sukseset e KH Prishtinës!

Një thirrje e veçantë për tifozët tanë PLISAT, për të gjithë dashamirët e klubit dhe për secilin që e ndien KH Prishtinën në zemër: tani është koha të jemi më të bashkuar se kurrë! Klubi ka nevojë për mbështetjen, praninë dhe besimin tuaj. Vetëm së bashku, me tribuna të mbushura dhe me përkrahje të pakushtëzuar, mund ta ndërtojmë rrugën drejt ringritjes.

Në fund, Klubi i Hendbollit KH Prishtina i uron suksese Kryetarit të ri, z. Krenar Çela, si dhe të gjithë anëtarëve të Bordit Drejtues në përgjegjësitë e tyre të reja. Qoftë ky fillim i një periudhe të re suksesi, stabiliteti dhe krenarie për klubin tonë. Urojmë që puna dhe përkushtimi i tyre të shpërblehen me rezultate dhe arritje që do ta rikthejnë KH Prishtinën në vendin që meriton.

Një klub, një histori, një familje – të gjithë së bashku drejt majës!”, thuhet në njoftimin e klubit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat