Historia e hendbollit në Kosovë nis që nga vitit 1948

Hendboll

Historia e hendbollit në Kosovë nis që nga vitit 1948

Nga: Kemajl Goca Më: 6 korrik 2023 Në ora: 11:32
Topi

Historia e hendbollit në Kosovë nis që nga vitit 1948, kur u themeluan skuadrat e para të hendbollit të madh, siç ishin Milicionari, Jedinstvo e Gjakovës, Buduçnosti i Pejës, Trepça e Mitrovicës, Kosova e Prishtinës, Metohia e Prizrenit, që më vonë merr emrin Partizani. Të gjitha këto skuadra bënë gara gjatë periudhës së viteve 1948 dhe 1949.

Ndërkohë, hendbolli i vogël në Kosovë u paraqit gjatë viteve 1950-1951, që zhvillohej nëpër salla, si pjesë e hendbollit të madh. Deri në vitin 1964 hendbolli ishte në kërkim të identitetit të vet, duke dhënë kampionët e një sporti që po merrte përmasa më të gjera zhvillimore.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, hendbollin e luanin lojtarët që njëkohësisht ishin të pranishëm edhe si futbollistë, edhe si basketbollistë. Ishte ky një realitet që asokohe ndodhte në mbarë rajonin, pra edhe në Kosovë.

Hendbollin e madh në Kosovë e solli Bardhyl Zajmi, që gjithashtu kishte merita edhe për sportet e tjera. Pikërisht në vitin 1950 nisi periudha e hendbollit të madh në Kosovë. Përkrah Bardhyl Zajmit, ishin edhe Xhavit Spahiu, Masar Begolli, e shumë të tjerë që ndihmuan për zhvillimin e këtij sporti gjatë gjithë periudhës sa ishin veprues.

Viti 1953 dhe shkuarja e Xhavit Spahiut në një seminar gjashtëditor në Beograd, lidhet me përpjekjet për zhvillimin e hendbollit të vogël në Kosovë. Asokohe, ligjërues ishte mësimdhënësi nga ish-Çekosllovakia Petrik Konik. Dhe prej atëherë nis të zhvillohet hendbolli i vogël. Ishte pikërisht Xhavit Spahiu që nga ky seminar solli gjashtë topa të hendbollit.

Pas dy muajsh u hartuan edhe propozicionet e garave, përmasat e fushës, rregullat e lojës, që janë të ngjashme me të sotmet. Me këtë histori lidhet pikërisht klubi i hendbollit Normalisti, trajner i të cilit ishte Xhavit Spahiu, gjashtë herë kampion i Kosovës.

Në vitin 1955 hendbolli vogël u institucionalizua. U riorganizua Këshilli hendbollistik, në çdo qendër u themeluan aktivet e hendbollit. Hendbolli luhej nëpër shkolla, në fabrika, në fshat dhe  në qytet. Pikërisht në këtë vit ishin tetë skuadra që u paraqitën në gara të organizuara: Normalisti dhe Kosova e Prishtinës, Trepça e Partizani të Mitrovicës, Partizani i Vushtrrisë, Ferizajt, Prizrenit dhe i Gjakovës.

Finalja e turneut u zhvillua në Prizren. U takuan Partizani i Prizrenit dhe Normalisti i Prishtinës. Kampion u bë Normalisti, duke fituar titullin e parë në kampionatin e parë të organizuar në formë lige.

Po në vitin 1955, në Mitrovicë, për herë të parë në historinë e hendbollit të Kosovës, u mbajt turneu kampional për femra. Morën pjesë tri skuadra: Kosova e Prishtinës, Partizani i Prizrenit dhe Trepça e Mitrovicës. Titullin e kampionit e fitoi Trepça, që në historinë e hendbollit femëror njihet si kampion i parë i Kosovës.

Në vitin 1955 hendbollit i shtohet edhe një garë tjetër – Kupa e Kosovës. Përfaqësuesi i Kosovës, Normalisti,  humbi në Leskovc nga Partizani me rezultat 10:8.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat