Gjuka: Tani fokusi te ndeshjet evropiane

Hendboll

Gjuka: Tani fokusi te ndeshjet evropiane

Më: 14 shtator 2025 Në ora: 19:45
Egzon Gjuka

Egzon Gjuka e udhëhoqi si kapiten Rahovecin drejt triumfit në Superkupën e Kosovës në hendboll.

Të shtunën mbrëma në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj, Rahoveci e fitoi ndeshjen dramatike ndaj Kastriotit. Ndeshja u vendos në aksionet e fundit, ndërsa “vreshtarët” fituan 31:30.

Afro 2500 shikues e përcollën nga afër spektaklin e hendbollit.

“Në verë klubi i kishte disa probleme rreth organizimit. Nga klubi u larguan disa lojtarë, por pastaj klubi u konsolidua dhe gjërat vazhduan në rregull. Erdhën lojtarë të rinj në skuadër.

Stërvitjet filluan me vonesë dhe kjo është arsyeja pse mbrëmë i kishim disa probleme të lidhura me aspektin fizik, por edhe me komponimin e skuadrës.

E rëndësishme është fitimi i Superkupës, ndërsa tani synimi kryesor dhe fokusi është te garat evropiane. Luajmë me skuadër nga Luksemburgu dhe shpresoj në paraqitje pozitive dhe kalim në raundin tjetër”, ka thënë Gjuka.

Ai është i bindur se Rahoveci në kampionat do të paraqitet dukshëm më mirë se në ndeshjen për Superkupë.

“Gara për titull do të jetë e fortë.

Por prapë besoj se Rahoveci do ta thotë fjalën kryesore në fund. Ndeshja e mbrëmshme nuk është fytyra e vërtetë e kësaj skuadre.

Me kalimin e kohës do të gjejmë ritmin dhe besoj se do të jemi skuadër dominuese edhe në këtë edicion”, ka theksuar hendbollisti pejan.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat