Qendra Nacionale e Hendbollit në Shtime, mbahet takimi i parë

Hendboll

Qendra Nacionale e Hendbollit në Shtime, mbahet takimi i parë

Më: 3 shkurt 2026 Në ora: 18:52
Pamje

Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Edin Kolgeci, dhe anëtari i Bordit të FHK-së, Isak Osmani, të martën kanë qëndruar për vizitë në qytetin e Shtimes.

Kolgeci e Osmani janë takuar me kryetarin e Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, ndërsa temë kryesore e takimit ishte ideja për Qendrën Nacionale të Hendbollit, që pritet të ndërtohet në këtë qytet.

Biseda ishte shumë konstruktive, ndërsa është diskutuar për hapat e tjerë për realizimin e këtij projekti shumë të rëndësishëm për zhvillimin e mëtejmë të hendbollit.

Ndërtimi i Qendrës Nacionale të Hendbollit planifikohet të bëhet në kuadër të organizimit të përgjithshëm të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Presidenti Kolgeci e ka vlerësuar shumë pozitive vizitën në Shtime. Ai ka falënderuar kryetarin e Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, për vullnetin për të shtyrë përpara këtë projekt të rëndësishëm.

Kolgeci ka thënë se vendi ku planifikohet ndërtimi i qendrës është shumë i mirë dhe se ofron mundësi ideale për aktivitete të ndryshme sportive.

“Presim takime të tjera me ministritë e përfshira dhe Qeverinë për të shtyrë para këtë projekt.

Shpresojmë që realizimi të fillojë sa më shpejtë. Ndërtimi i një Qendre Nacionale është projekt që e kemi shtjelluar me kujdes dhe është kërkesë e kohës për zhvillim edhe më të madh të sportit tonë”, ka thënë presidenti Kolgeci.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat