Kryetari i Malishevës flet për raportimet se i është ngritur aktakuzë: Nuk di, nuk kam informacione

Kosova

Kryetari i Malishevës flet për raportimet se i është ngritur aktakuzë: Nuk di, nuk kam informacione

Më: 7 prill 2021 Në ora: 14:44
Ragip Begaj

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur sot një aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurit R.B për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Pas kësaj në media u raportua se personi ndaj të cilit është ngritur kjo aktakuzë është pikërisht kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj.

Lidhur me këtë lajmi.net ka kontaktuar Begajn, por i njëjti deklaroi se nuk ka informacione për një çështje të tillë.

“Nuk di as çfarë t’ju them sepse unë s’kam asnjë informacion për diçka të tillë. Më kanë pyetur sot edhe disa të tjerë por unë s’kam marrë asnjë aktakuzë”, tha Begaj.

Poashtu i njëjti deklaroi se është në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Jam shumë keq me shëndet, s’po mundem as të flas për besë. Më parë kam qenë i infektuar me COVID-19, tash nuk e di se pse por gjendjen e kam mjaftë të rënduar”, tha Begaj.

Ndër të tjerash në njoftimin e prokurorisë për media thuhet se “Prokuroria Speciale njofton se aktakuza është ngritur për shkak të dyshimit se i pandehuri R.B. në vazhdimësi në cilësinë e personit zyrtar ka kryer veprën penale me dashje dhe duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar, si dhe i ka tejkaluar kompetencat e tij duke i shkaktuar dëm shtetasit R.R. dhe buxhetit të komunës”.

Kësisoj me këto veprime i pandehuri R.B ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 422, paragrafi 1 lidhur me nenin 81 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat