Dy zyrtarët mohojnë fajësinë se shitën Klubin Futbollistik “Dardana” me dokument të falsifikuar

Kosova

Dy zyrtarët mohojnë fajësinë se shitën Klubin Futbollistik “Dardana” me dokument të falsifikuar

Më: 27 janar 2022 Në ora: 10:42
Pamje nga seanca

Ish-drejtori i Klubit Futbollistik (KF) “Dardana”, Sevdai Kastrati dhe ish-drejtori sportiv i këtij klubi, Habib Leci, janë deklaruar të pafajshëm se në dhjetor të vitit 2020 me dokument të falsifikuar këtë klub ia shitën Klubit Futbollistik “Vushtrria”.

Një deklarim të tillë, ata e bënë në seancën fillestare të së enjtes, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Huma Jetishi, në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë.

Gjykatësi Sadri Krasniqi, i njoftoi të akuzuarit se në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të paraqesin kërkesë lidhur me hudhjen e aktakuzës, provat në aktakuzë dhe ligjshmërinë e saj.

Prokuroria Themelore në Gjilan më 19 nëntor 2021 ka ngritur aktakuzë ndaj Sevdai Kastratit dhe Habib Lecit, me arsyetimin më 20 dhjetor 2020, në Kamenicë, kanë përpiluar dokument të falsifikuar duke e përdorë procesverbalin e 20 dhjetorit 2020, me ç’rast fillimisht e shndërrojnë Klubin Futbollistik “Dardana” nga Organizata Joqeveritare në Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar, e me pas këtë klub ia shesin Klubit Futbollistik “Vushtrria”.

Sipas prokurorisë, edhe përkundër faktit se nga viti 2016 nuk është mbajtur asnjë kuvend i klubit, dy të akuzuarit përpilojnë dokument të falsifikuar dhe me dije e përdorin listën me nënshkrime të marrë nga dosja e klubit, ia bashkëngjitin procesverbalit kinse më 20 dhjetor 2020 është mbajtur kuvendi i klubit dhe në atë kuvend anëtarët e klubit janë pajtuar për shndërrimin e klubit nga OJQ në Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Me këtë, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, nga neni 390, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose burgim deri në katër vjet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat