Universiteti i Prishtinës (UP) ka bërë një thirrje të përsëritur publike ndaj të gjitha organeve ligjzbatuese për të ndaluar aktivitetet ilegale ndërtimore dhe biznesore në hapësirat e Bibliotekës Qendrore Universitare dhe të Institutit të Kimisë në kampusin qendror.
Sipas UP-së, personeli i universitetit është shqetësuar tejmase për veprimtaritë e paligjshme, që sipas tyre nuk shërbejnë nevojave akademike të studentëve, por janë transformuar në një hotel luksoz, të quajtur 'Zoe Hotel', i cili synon klientelën e biznesit dhe turizmin urban.
Universiteti ka njoftuar Inspektoratin e Komunës së Prishtinës më 23 shtator dhe më 25 tetor 2025 për aktivitetet ilegale, por drejtori i këtij dikasteri komunal, i cili vizitoi vendin e ngjarjes më 27 tetor 2025, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim konkret.
UP-ja thekson se nëse institucionet ligjzbatuese nuk ndërhyjnë, e rezervon të drejtën legjitime për të penguar qasjen e palëve të treta në hapësirat e saj. Menaxhmenti i universitetit është i vendosur të kthejë pronat e uzurpuara në shërbim të mësimdhënies, kërkimit shkencor, aktiviteteve studentore dhe zhvillimit ekonomik të vendit.
Universiteti i Prishtinës apelon për veprim urgjent nga Prokuroria e Shtetit, Drejtoria për Inspektim, si dhe Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës, për të garantuar sigurinë dhe funksionimin normal të kampusit.