Mashtrime me investime online, arrestohen 3 persona dhe sekuestrohet pasuri mbi 1 milion euro

Kronikë

Mashtrime me investime online, arrestohen 3 persona dhe sekuestrohet pasuri mbi 1 milion euro

Më: 26 nëntor 2026 Në ora: 11:28
Fotoilustrim

Tre persona janë arrestuar nën dyshimin për krim të organizuar, mashtrim dhe shpëlarje të parave.

Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale, përmes një komunikate të përbashkët, kanë bërë të ditur se gjatë operacionit të zhvilluar më 25 nëntor në Prishtinë dhe Fushë Kosovë është sekuestruar pasuri në vlerë mbi 1 milion euro, transmeton KosovaPress.

Aksioni është zhvilluar në 4 lokacione, me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, me mbështetjen e njësive të tjera hetimore, Njësisë Speciale FIT dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar 19 vetura, 1 motoçikletë, 6 telefona, 5 kompjuterë, 6 USB, 4,095 euro para të gatshme, 11.28 gramë substancë e dyshuar narkotike dhe dokumente relevante për rastin.

Sipas hetimeve të deritanishme, të arrestuarit dyshohet se përmes komunikimeve elektronike dhe telefonike kanë mashtruar persona të ndryshëm, kryesisht shtetas të huaj, duke i nxitur të investojnë në platforma të rreme investimi.

Përmes kësaj skeme, të dyshuarit besohet se u kanë shkaktuar dëme financiare viktimave.

Prokuroria Speciale, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rastit, raporton KosovaPress.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat