Një vajzë e mitur, e cila ishte lënduar në një aksident trafiku në rrugën “Tirana” në Gjakovë, ka ndërruar jetë pas disa javësh trajtimi mjekësor në QKUK, transmeton “Bota sot”.
Aksidenti kishte ndodhur më 27 tetor 2026, rreth orës 17:25, në mes të dy automjeteve, njëri me targa të Shqipërisë dhe tjetri me targa vendore.
Si pasojë e aksidentit, përveç dëmeve materiale, lëndime trupore kishin pësuar pesë persona, tri femra dhe dy meshkuj. Njëri nga të lënduarit ishte edhe drejtuesi i automjetit me targa të Shqipërisë, i cili pas trajtimit mjekësor ishte dërguar në mbajtje, ndërsa personat e tjerë kishin pranuar tretman mjekësor.
Më 24 nëntor 2026, është raportuar se vajza e mitur, e cila po trajtohej në QKUK, ka ndërruar jetë. Vdekjen e saj e ka konfirmuar ekipi mjekësor.
Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa rasti është duke u hetuar.