Policia Kufitare ka ndaluar një shtetas të Malit të Zi në zonën e Bjeshkës së Sejnovës në Pejë, nën dyshimin se kishte kaluar ilegalisht kufirin dhe mbante armë e mjete të mprehta, transmeton “Bota sot”.
Rasti ka ndodhur më 24 nëntor, rreth orës 13:20, gjatë patrullimit të policisë. Zyrtarët kanë ndaluar të dyshuarin, i cili dyshohet se kishte hyrë ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës.
Gjatë kontrollit, policia i ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me 14 fishekë, si dhe një thikë.
Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
Ndërkohë, një tjetër rast i kalimit ilegal të kufirit është raportuar në fshatin Stubline, më 24 nëntor, rreth orës 19:05.
Në këtë rast, dy persona të dyshuar janë shoqëruar në stacionin policor, pasi dyshohet se kishin kaluar ilegalisht kufirin.
Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë liruar, ndërsa rasti do të vazhdojë në procedurë të rregullt.