Abdixhiku i jep mbështetje të fortë Hazirit në Gjilan: Luta është udhëheqës shembullor

Lajme

Abdixhiku i jep mbështetje të fortë Hazirit në Gjilan: Luta është udhëheqës shembullor

Nga: M.L. Më: 17 korrik 2021 Në ora: 15:18
Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka mbajtur fjalim në Gjilan ku u mbajt konventa për zgjedhjen e kandidatit për kryetar të kësaj komune nga radhët e LDK-së. Unanimisht, Gjilani i ka dhënë mbështetje Lutfi Hazirit në kandidaturën për kryetar të komunës për zgjedhjet lokale që mbahen në tetor.

Abdixhiku ka thënë se suksesi i Lutfi Hazirit në Gjilan ka bërë që ky i fundit të jetë ndër bashkëpunëtorët e tij më të afërt në LDK.

“Gjatë rrugëtimit tim politik në LDK, kam gjetur shumë miq e bashkëpunëtorë. Njerëz të rrekur në politikë, që e dinë fort mirë se çka i duhet këtij vendi për të ecur përpara. Është e vërtetë që në disa raste s’na ka ecur rrugëtimi me sukses pavarësisht se jemi përpjekur shumë. Por, në rastin e Gjilanit, suksesi ka qenë në anën tonë; sepse aty ka udhëhequr një njeri si Lutfi Haziri, që jo rastësisht është edhe ndër bashkëpunëtorët e miqtë e mi më të afërt në LDK.

Luta i ka dhënë shumë vendit të tij, edhe si pjesëtar i ilegales edhe si aktivist e zyrtar i LDK-së që nga themelimi, edhe si Ministër e Zëvendëskryeministër, por edhe si njeriu që ka rikthyer fitoren e LDK-së këtu dhe e ka shndërruar Gjilanin në një vend ku jetohet dinjitetshëm. Luta ka vendosur shembuj të shumtë se si udhëheqet Komuna” u shpreh kreu i LDK-së.

Tutje, ai shtoi se LDK ka nevojë për Lutfi Hazirin.

“E dashura Mika Haziri, e dashura Kënga, Lotina e Mimas Haziri, i dashuri Lum Haziri, do të doja shumë që sot t’u jepja lajmin lehtësues se prindi e bashkëshorti juaj, do të kalojë kohë më shumë me ju. Ju keni çdo arsye të mundshme të ndiheni krenarë për të. Ndihuni faqebardhë. Mburruni. Keni çdo të drejtë të kërkoni edhe kohë më shumë me të. Do të vijë edhe ajo ditë – një ditë. Por jo tani. Sepse Lidhja Demokratike e Kosovës, familja jonë politike, ka nevojë për Lutë Emrush Hazirin. Me kënaqësinë më të veçantë në Konventën madhështore të Gjilanit, në frymë të kërkesës së anëtarësisë, elektoratit e misionit historik për të rikthyer LDK-në në vendin e saj origjinal; me besim të plotë në Zot e familje, pranova dhe e zyrtarizova rikandidimin e Lutfi Hazirit, birit të patriotit të shquar e Heroit të Kosovës, Emrush Hazirit edhe për një mandat në krye të Gjilanit. Luta ka ditur dhe di t’i dalë Zot këtij vendi. Di t’u qëndrojë afër qytetarëve të këtij vendi; ka ditur të mbajë afër gjeneratat më të vjetra dhe të afrojë të rinjtë; t’i avancojë gratë në pozita të merituara e t’u japë shanse të barabarta vajzave të reja; Luta është udhëheqës shembullor; njeri shembullor i LDK-së. Të priftë e mbara mik. Zoti të bekoftë ty dhe qytetarët e kësaj ane; Zoti e bekoftë Kosovën”, ka përfunduar Abdixhiku fjalimin e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat