Në Maqedoninë e V. ende zjarre aktive, opozita kërkon përgjegjësi

Maqedonia

Në Maqedoninë e V. ende zjarre aktive, opozita kërkon përgjegjësi

Më: 4 gusht 2021 Në ora: 12:04
Zjarri në Koçan të Maqedonisë së Veriut më 2 gusht 2021.

Nga Qendra për Menaxhimin e Krizave, kanë bërë ditur për disa zjarre më të vogla në disa zona në Shkup, Strumicë, Kumanovë, Ohër, Manastir dhe rajonin e Shtipit. Por, të gjitha këto vatra janë nën kontroll dhe pritet lokalizimi i tyre i plotë gjatë ditës së mërkurë.

Nga zjarri që të martën (3 gusht) përfshiu Koçanin dhjetëra persona kërkuan ndihmë mjekësore për shkak të asfiksimit. Flakët shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale, djegie të disa makinave dhe dëmtimin e shtëpitë. Sipas Qendrës për Menaxhim me Kriza nga zjarret janë djegur 20 hektar pyje dhe kullosa.

Ndërkohë, për shkak të dështimit të institucioneve për përballje efikase me zjarret, mungesën e makinerisë, aeroplanëve dhe pajisjeve tjera, opozita maqedonase ka paralajmëruar padi kundër drejtuesve të lartë shtetëror.

"VMRO-DPMNE do të paraqesë padi penale kundër qeverisë për mosveprimin në kohë për të parandaluar zjarrin në Koçan. Ajo që ndodhi dy ditë më parë në Koçan është një tregues i gjithë papërgjegjësisë së qeverisë së Zaevit dhe paaftësisë së tyre duke vënë në rrezik jetën dhe pronë e qytetarëve. Me Zaevin dhe LSDM- në në pushtet, ne shohim mosfunksionim total të sistemit”, thuhet në reagimin e VMRO DPMNE-së.

Kryeministri Zaev, së bashku me drejtues tjerë të qeverisë kishte shkuar në zonat e krizës ndërsa angazhoi të gjitha kapacitetet për shuarjen e zjarreve. Të martën, Serbia dërgoi katër helikopterë zjarrfikës. Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski së bashku me homologun e tij serb, Aleksandar Vullin, inspektuan situatën pas shuarjes së zjarrit në Staro Nagoriçane, një zonë afër qytetit të Kumanovës pranë kufirit me Serbinë.

Kryeministri, Zoran Zaev, ka njoftuar vënien në dispozicion të fondeve të qeverisë për kontrollet e nevojshme për tre aeroplanët për shuarjen e zjarreve. Ata tani disa vite nuk kanë bërë asnjë ngritje në ajër për shkak të mungesës së fondeve për kontrollin e tyre.

Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Stojance Angelov tha në një konferencë shtypi të martën se nevojitet një reformë e thellë e të gjithë sistemit të menaxhimit të krizës./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat