Michel: Propozimi francez e respekton diskutimin për gjuhën maqedonase

Maqedonia

Michel: Propozimi francez e respekton diskutimin për gjuhën maqedonase

Më: 5 korrik 2022 Në ora: 18:13
Foto ilustrim nga vendi i ngjarjes

“Me propozimin francez qartë diskutojmë për gjuhën maqedonase, ajo është gjuhë e juaja dhe propozimi e respekton këtë”, kjo ishte porosia e presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, në Shkup, ku po qëndron për të shprehur mbështetjen e Bashkimit Evropian ndaj këtij dokumenti.

Presidenti Michel ka nënvizuar se nëse Maqedonia e Veriut ka mundësinë historike që t’i thotë “Po” propozimit francez, “me këtë i thotë ‘Po’ fillimit të negociatave, Bashkimit Evropian dhe të ardhmes së fëmijëve tanë”.

“Personalisht kam besim se kjo është një zgjidhje e balancuar që adreson shqetësimet tuaja dhe qëllimi është i qartë, të fillojmë negociatat e anëtarësimit dhe të ecim përfundimisht drejt ndërtimit të së ardhmes sonë të përbashkët në Bashkimin Evropian. Nëse thoni po, konferenca e parë ndërqeveritare do të organizohet në ditët në vijim”, ka theksuar Michel.

Ndërkaq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka theksuar se me rëndësi të veçantë është të kuptuarit se propozimi francez parasheh gjuhë të pastër maqedonase.

“Gjuha maqedonase në propozimin francez është plotësisht e pastër dhe e barabartë si gjuhë me të gjitha gjuhët e tjera të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian pa fusnota, pa sqarime plotësuese apo diçka tjetër. Me këtë propozim fituam atë për çka me vite angazhohemi, e ajo është formulim i pastër i gjuhës maqedonase”, ka thënë Kovaçevski.

Ai ka theksuar se propozimi francez paraqet bazë të çështjes jashtëzakonisht të rëndësishme të progresit dhe sigurimit të asaj që Maqedonia e Veriut ka pritur për 17 vjet, pas marrjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Propozimi është në përputhje të plotë me Rezolutën e Kuvendit për qëndrimet shtetërore në kontestin me Bullgarinë, gjë që tregon se Qeveria, unë si kryeministër dhe institucionet kompetente përfaqësojmë me përgjegjësi interesat e shtetit jashtë dhe brenda”, ka thënë kryeministri Kovaçevski.

Për të treguar mbështetjen e Bashkimit Evropian për propozimin francez, si dhe për të konfirmuar përkushtimin për integrimin e Maqedonisë së Veriut në familjen evropiane, Charles Michel ka marrë pjesë dhe në mbledhjen e Qeverisë ku është shqyrtuar ky dokument.

Përderisa opozita maqedonase, VMRO-DPMNE, mbetet në qëndrimin se propozimi francez është në dëm të interesave të Maqedonisë së Veriut si shtet dhe qytetarëve të saj, pasi sipas tyre vihet në rrezik identiteti dhe gjuha maqedonase.

Derisa zhvillohej takimi ndërmjet presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, Dragan Kovaçki përfaqësuesi i VMRO DPME-së para një grupi të qytetarëve që kishin dalë për të protestuar, tha se propozimi francez paraqet ultimatum të të gjitha kërkesave të palës bullgare.

“Qeveria duhet të dëgjojë zërin e popullit dhe jo të vendosë në kundërshtim me vullnetin e tij. Përmes protestave, populli tha se nuk do të pranojë ultimatum. Kovaçevski (kryeministri i Maqedonisë së Veriut) dhe Qeveria tani duhet të tregojnë se janë me popullin apo kundër popullit të vet”, tha Kovaçki.

Ai ftoi të gjithë qytetarët që të dalin sa më masivisht në protestat e mbrëmjes para Qeverisë dhe siç tha, sot do të protestohet dhe para Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Protesta të dhunshme kundër propozimit francez

Tash e katër ditë mijëra qytetarë janë duke protestuar para Qeverisë dhe Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, kundër propozimit francez pasi, siç shprehen, me këtë dokument Maqedonia e Veriut si shtet nënshkruan kapitullimin para Bullgarisë. Protestuesit thonë se propozimi francez rrezikon gjuhën dhe identitetin maqedonas.

Protesta e 4 korrik u përcoll me shumë tensione që çuan në dhunë kur një grup i qytetarëve të udhëhequr nga lideri i partisë E Majta, Dimitar Aapsiev, i cili njihet për qëndrimet e tij nacionaliste, theu rrethojën e vendosur para Qeverisë dhe në drejtim të Policisë dhe ndërtesës qeveritare hodhën letra tualeti, shishe plastike, topa uji, mjete piroteknike dhe vezë.

Protestat mundësi e artë për struktura kundër orientimit euroatlantik të vendit

Njohësit e çështjeve politike thonë se përshkallëzimi i situatës nga protestat e dhunshme, paraqet një terren të favorshëm për strukturat që janë kundër orientimit të Maqedonisë së Veriut drejt NATOS dhe Bashkimit Evropian.

“Gjithsesi se protestat paraqesin një mundësi të artë për të gjithë ata që munden edhe më tepër të polarizojnë shoqërinë, por gjithashtu edhe për të krijuar përshtypjen se një pjesë e madhe e qytetarëve janë kundër NATO-s dhe kundër dhe Bashkimit Evropian. Këto struktura do të mundohen që t’i shfrytëzojnë këto protesta ashtu siç janë përpjekur edhe në të kaluarën për t’i manipuluar qytetarët. Nuk do mend se këto struktura janë të angazhuara - për këtë flet dhe prezenca e flamurit të ish-Bashkimit Sovjetik në protestën e mbrëmshme, ndërkohë që ditëve të kaluara kemi parë dhe foto të Putinit etj, si dhe djegien e flamurit të BE-së para Qeverisë”, thotë Sefer Selimi nga organizata joqeveritare Demokracy Lab.

Gjatë kësaj jave pritet që Kuvendi të miratojë konkluzat rreth propozimit francez, me ç’rast është paralajmëruar pjesëmarrje më e madhe e protestuesve, siç kanë theksuar, për të pamundësuar varrosjen e identitetit dhe gjuhës maqedonase përmes mbështetjes së propozimit francez.

Ndryshe, përmes propozimi francez i cili arriti në Maqedoninë e Veriut më 30 qershor synohet të tejkalohen dallimet mes Shkupit dhe Sofjes për çështjen e gjuhës dhe të kaluarës historike me këtë dhe zhbllokimin e procesit integrues. Bullgaria tashmë dy vjet, përmes vetos, e ka bllokuar fillimin e bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut, me këtë edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë drejt rrugëtimit në procesin integrues në Bashkimin Evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat