Zgjërim të koalicionit apo zgjedhje të reja

Opinione

Zgjërim të koalicionit apo zgjedhje të reja

Nga: Skender Musliu Më: 30 nëntor 2020 Në ora: 19:14
Skender Musliu

Duke patur parasysh arrestimin e disa figurave të rëdësishme politike nga Gjykata Speciale, zgjidhja e presidentit të vendit, keqmenagjimi i pandemisë, dialogu me Serbinë si dhe kriza ekonomike, domosdoshmërisht parashtrohet pyetja, se a duhet të zgjerohet koalicioni qeverisës me PDK-ën, apo të organizohen zgjedhjet e parakohshme.

Ditëve të fundit është aktualizuar tema e zgjërimit të koalicionit qeverisës me përfshirjen e PDK-ën në Qeveri, duke u komponuar një Qeveri nga të gjitha partitë humbëse të zgjedhjeve të fundit, që sovrani i dërgoi në opozitë, e kjo do të akselerohet sidomos edhe me humbjen e kandidatit të LDK-ës për kryetar të komunës së Podujevës që njihet si bastion i LDK-ës.

Qeveria aktuale e cila erdhi në pushtet pas përmbysjes së Qeverisë Kurti, nën kushte që tanimë dihen, edhe përkundër premtimeve, nuk arriti të përballet me sfidat.

A mund të qëndrojë në pushtet edhe mëtutje një Qeveri, në të cilën ministri fiton tender prej 5 million euro, Qeveri ku vidhen 2.1 million euro nga Buxheti i shtetit, që shkarrkoi Bordet e Kompanive të ndryshme duke zavendësuar ato me partizan partiak të kushtëzuar nga partitë e koalicionit qeveritar, Qeveri që pranon Mini Shengenin edhe pse Bashkimi Europian nuk e përkrah, futjen në bisedime Ujmanin si aset strategjik,ku vidhet kacaforta e Institutit të Veterinarisë dhe Ushqimit me para dhe dokumente senzitive, që blenë vetura luksioze që secila kushton nga135 mijë euro……

Si mund të vazhdojë me punë kjo Qeveri që në fushatë zgjedhore premtonte se do t’a luftonte korrupsionin, ndërsa para do kohe shuajti Task-Forcën Antikorrupsion që hetonte zyrtarë të LDK-ës dhe AAK-ës, respektivisht tre tendera të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të nënshkruar nga ministri Agim Veliu, për çka edhe vet Avdullah Hoti vitin e kaluar ishte intervistuar në cilësinë e dërshmitarit.

Çfar Qeverie është kjo që ka degraduar Ministrinë e Punëve të Jashtme duke emëruar Ambasador dhe Konzuj të pakualifikuar, partiak dhe familiar të politikës, në kundërshtim me të gjitha kritereve diplomatike. Në vend që MPJ të ndërtojë një strukturë të qëndrueshme për kualifikimin profesional të kuadrit diplomatik për diplomat të karierës, kastat politike në mënyrë të papërgjegjshme emërojnë familiarët dhe bashkpartiakët e tyre jashtë çdo kriteri, duke shëndruar Ambasadat dhe Konsulatet në Dega partiake dhe Qendra turistike.

Kemi një Qeveri që nuk ka kurfarë Platforme, strategji e as vizion për zgjidhjen e problemeve akute, është Qeveri që nuk e ka as shumicën e thjeshtë në Kuvend.

Tanimë një kohë të gjatë Kuvendi i Kosovës është jofunksional dhe nuk përmbushë obligimet themelore për të cilat ajo ekziston. Mosprezenca e deputetëve nëpër seanca është skandaloze edhe pse kjo është detyrë parësore e tyre. Mbase kjo krizë parlamentare nuk jep shenja përmirsimi, andaj duhet të shtrohet pyetja e përgjegjësisë së deputetëve. Jo serioziteti i punës së tyre tregon për joperformancën e Kuvendit sepse vetëm 10 % e Ligjeve janë miratuar, e mbi të gjitha, edhe pas disa tentativave, ende nuk miratohet Ligji për Rimëkëmbjen ekonomike që është i domosdoshëm për mirëqenien sociale të qytetarëve.

Zgjidhja e presidentit është bërë mollë sherri mes partive politike, përveç LVV-ës, të cilat kanë manifestuar dëshirën që presidenti të jet nga rradhët e tyre.

Me qëllim që mos të shkohet në zgjedhje, politikanët, të shtyrë nga apetitet për postin e presidentit, kanë filluar kalkulimet politike duke shantazhuar dhe rritur pazarin. Bisedat ndërpartiake për zgjërimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit kanë filluar, dhe si zakonisht kjo do të bëhet duke manipuluar dhe keqpërdorur votën e sovranit. Politikanët janë bërë sikur fajdegjinjtë që japin para me fajde, sepse votën e sovranit e kanë zbërthyer në mall të tregut për të bërë pazar në korriz të popullit për interesa personale e jo shtetërore.

Çdo përpjekje për t’ia vazhduar jetën kësaj Qeverie, don të thot zgjatjen e kësaj agonie politike duke mbajtur në pushtet strukturat e inkriminuara, nepotizmin, korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Prandaj për t’a ndërprerë këtë papërgjegjshmëri dhe pandëshkueshmëri të politikanëve, si dhe duke patur parasysh keqmenagjimin e pandemisë, dialogun e ardhshëm me Serbinë, zgjedhjen e presidentit, Qeverinë e brishtë dhe jofunksionale, Kuvendin e paralizuar, rimëkëmbjen ekonomike, mungesën e dinjitetit, teket dhe inatet politike karshi sfidave, domosdoshmërisht imponohet nevoja e zgjedhjeve të parakohshme, sepse vetëm një Legjislaturë dhe Qeveri e re e legjitimuar nga sovrani do të mund të ballafaqohet me sfidat që e presin Kosovën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat