Kryeministri Avdullah Hoti me fjalë të mëdha e punët n’hava

Opinione

Kryeministri Avdullah Hoti me fjalë të mëdha e punët n’hava

Rexhep Torte Nga Rexhep Torte Më 10 dhjetor 2020 Në ora: 16:29
Avdullah Hoti

Shqiptarët e shumëvuajtur në Kosovë, të afërmit e të pagjeturve shqiptarë ne Kosovë dhe mijëra e mijëra viktima shqiptare nga agresioni gjenocidal e vrasës i Serbisë në vitet 1998/99, duan veprime konkrete e jo fjalë boshe e dyfytyrëshe.

Udhëheqësit e derisotëm në Kosovë pa asnjë përjashtim, në 21 vitet e kaluara si udhëheqës Qeverie apo Shteti, nuk u treguan të përgjegjshëm, as për popullin e shumëvuajtur, as për familjet dhe të afërmit shpitërisht të e përvëluar për të pagjeturit e tyre, dhe as për nderimin e sinqertë e dinjitoz të viktimave të gjenocidit që Serbia e kreu në Kosovë.

Në web faqen e “Bota Sot” më 9 dhjetor 2020, u informuam sëse Avdullah Hoti, kryeministër i Kosovës, në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit dhe Nderimit të Viktimave të Krimeve të Gjenocidit, deklaoroi se,” Serbia duhet të kërkojë falje për krimet dhe gjenocidin e kryer në Kosovë, se rrallëkush në historinë e vonshme të Evropës si Kosova vazhdon të ballafaqohet me plagën e madhe të të zhdukurve. Në Ditën Nderkomëbtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit i nderojnë me pietet të gjithë civilët e pafajshëm , kudo në botë. Qindra familje tona ende presin me ankth ndonjë lajm për fatin e më të dashurve të tyre, të cilët u tretën pa shenjë gjatë krimeve dhe gjenocidit serb në Kosovë në vitet 1998/99/. Bota e di çfarë ka ndodhur këtu, e di mirë kush ka qenë agresor, e kush viktima! Me gjithë pengesat e mëdha, dëshmitë e këtyre krimeve të kryera në zemër të Evropës, vazhdojnë të dalin në dritë. Prandaj pohojmë fuqishëm se provat e çmendisë serbe në Kosovë nuk mund të zhbëhen, sepse ato janë parë dhe janë evidentuar nga mbarë komuniteti ndërkombëtar.Duke mbajtur përherë në kujtesë tragjedinë që ka përjetuar, Republika e Kosovës është e përkushtuar për të ardhmen paqesore të rajonit dhe integrimin në familjen e kombeve të lira demokratike europerëndimore. Por poashtu ne presim nga fqinji ynë verior Serbia , të kërkojë falje për djegien ne kufomve të civilëve shqiptaë, për varrosjen dhe zhvendosjen e disahershme të tyre.Përveçse një akt moral, kërkim falje është edhe kusht elementar human për të ecur përpara kah pajtimi dhe mirëkuptimi në mes shteteve tona”, tha në fund Avdullah Hoti.

O Avdullah Hoti, si mund të pritni të kërkojë falje Serbia për krimet e kryera ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Kosovë, kur tashmë 21 vite Serbia në mënyrë të vazhdueshme e ka bërë të ditur se nuk pranon se ka kryer krime në Kosovë.

Serbia me të gjitha mënyrat gënjeshtare po mundohet edhe sot e kësaj dite, t’i fshehën vrasjet dhe masakrat monstruoze e shtazarake që i kreu në Kosovë, duke përfshirë edhe masakren e Reçakut, e cila e vetedijësoi NATO-n që t’i nis sulmet ajrore ndaj caqeve serbe në Kosovë e Serbi.

Ju kryeministër Avdullah Hoti e keni mundësinë dhe rastin më të volitshëm t’i jepni ultimatum Serbisë.

O të kërkojë falje publike për krimet e kryera ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Kosovë, o përndryshe nuk do të uleni të dialogoni me Serbinë.

O ta zbardhën Serbia fatin e 1650 të pagjeturve shqiptarë që i rrëmbeu nga oborret dhe shtepitë shqiptare, o përndryshe nuk do të uleni të dialogoni me Serbinë.

O ta tregojë Serbia vendndodhjen e varrezave masive në Serbi ku janë varrosur trupat e shqiptarëve të pafajshëm të vrarë e të masakruar në Kosovë e të transportuar në Serbi, o përndyshe nuk do të uleni të dialogoni me serbinë.

O t’i tregojë Serbia hekuranat ku i ka djegur trupat e shqiptarëve të vrarë e të masakruar në Kosovë e të transportuar e të djegur mizorisht në Serbi, o përndryshe nuk do të uleni të dialogoni me Serbinë.

O t’i tregojë Serbia planet dhe skenarët për vrasjet, masakrat, dhunimet dhe gjenocidin në Kosovë, o përndryshe nuk do të uleni të dialogoni me serbinë.

O t’i nxjerr Serbia para drejtësisë kriminelët Serbë që i kryen tërë ato krime ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Kosovë, o përndryshe nuk do të uleni të dialogoni me Serbinë.

O të dalin para drejtësisë Aleksandër Vuçiqi dhe Ivica Daçiqi, bashkëpunëtorët e ngushtë të kriminelit Sllobodan Millosheviq, o përndryshe nu do të uleni të dialogoni me serbinë.

O të themelohet edhe në Serbi Gjykata Speciale e Hagës për Krimet e Lutës, o përndryshe nuk do të uleni të dialogoni me Serbinë.

O ta ndërpret Serbia okupimin që po e kryen në Veri të Kosovës me vendosjen e kolonëve serbë në vendbanimet e reja me shtëpi të reja e të mobiluara, ku është duke vendosur kryesisht serbë që nuk kanë banuar asnjëherë më parë në Kosovë, o përndryshe nuk do të uleni të dialogoni me Serbinë.

O t’i ndërpret Serbia provokimet dhe kanosjet ushtarake ndaj Kosovës paqedashëse, o përndryshe nuk do të uleni të dialogoni me Serbinë.

O Avdullah Hoti , kjo deklaratë e Juaja me rasin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit dhe Nderimit të Viktimave të Krimeve dhe Gjenocidit, është fund e krye hipokrizi.

Sepse erdhët kryeministër i Kosovës me komplotin e Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës që e rrëzuan Qeverinë e Albin Kurtit.

Sepse Ju pranuat të uleni e të dialogoni me kriminelin Aleksandër Vuçiq, pa i vendosur asnjë kusht Serbisë.

Sepse, pas të gjitha krimeve që Serbia agresore gjenocidale e vrasëse i kreu në Kosovë, Ju pranuat të dialogoni me Serbinë sipas dëshirës së saj për arrijtjen e një kompromisi.

Sepse u mashtruat nga Donald Trump dhe Richard Grenell që për propagandë zgjedhore të Trumpit ta nënshkruani më 4 shtator 2020 në Uashington Marrëveshjen e dëmshme për Kosovën dhe në favor të Serbisë agresore gjenocidale e vrasëse.

Sepse nuk u dhatë një përgjigje të prerë Vladimir Lajçak-ut dhe Josep Borell-it, emisarëve nga BE-ja, që janë proserbë e që vijnë nga dy shtetet që ende nuk e kanë njohur Kosovën, dhe që insistojnë për themelimin e Asociacionit të komunave serbe sipas diktatit të Serbisë.

O Avdullah Hoti, na tregoni të paktën vetëm një rast në 21 vitet e kaluara, kur e keni ngritur zërin karshi Isa Mustafës në LDK, që të ndërmerret qoftë edhe një veprim konkret për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Na tregoni të paktën vetëm një rast kur e keni ngritur zërin karshi Isa Mustafës në LDK, që të ndërmerret qoftë edhe një veprim për zbardhjen e fatit të Mr. Ukshin Hotit, ose të të pagjeturve tjerë shqiptarë.

Na tregoni të paktën qoftë edhe një reagim qeveritar që e keni bërë me rastin e botimit të librit skandaloz përplot me gënjeshtra të Serbisë, të botuar ditë më parë nga Serbia në gjuhë të huaja me titull “Gjenocidi shqiptar ndaj serbëve në shëkulli9n e 20-të”.

Liderin Ibrahim Rugova e kemi njohur së afërmi, dhe LDK-ja e sotme e Isa Mustafës, vetëm po e shfrytëzon imazhin dhe emrin e Ibrahim Rugovës, sepse sot LDK-ja nuk ka të ngjarë me parimet e tij.

O Avdullah Hoti, deklarata e Juaj dhënë më 9 dhjetor 2020 në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit dhe Nderimit të të Viktimave të Krimeve të Gjenocidit, duket vetëm si farsë dhe hipokrizi.

Sepse përkundër reagimeve të shumta nga shoqatat e të pagjeturve dhe të opinionit mbarëshqiptar, nuk u denjuat ta shkarkoni nga detyra Driton Selmanaj, zëvendësin Tuaj, edhe pse Driton Selmanaj dy herë radhazi e injoroi temën e të magjeturve duke e cilësuar si të konsumuar.

O Avdullah Hoti, do ta nderonit veten, familjen, LDK-në dhe Kosovën po qe se krijoni mundësinë që në Kosovë sa më shpejt të caktohen zgjedhjet e reja, që Kosova të çlirohet nga ky ngërç politik, që Kosova të çlirohet nga këto pazare të ndyra për zgjedhjen e presidentit.

Gjëja me e pastër, më ndershme dhe më shpëtimtare për Kosovën do të ishin zgjedhjet e reja, dhe ato forca politike që do të fitojnë në zgjedhje le ta marrin përsipër udhëheqjen e Kosovës, dhe të dialogut Kosovë-Serbi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat