S`ka dobi prej dobiçëve. Zgjohu dhe fito!

Opinione

S`ka dobi prej dobiçëve. Zgjohu dhe fito!

Nga: Aurel Dasareti Më: 11 dhjetor 2020 Në ora: 07:02
Ilustrim

Kur shteti bëhet i korruptuar, mosbindja civile është një detyrë e shenjtë. Edhe psikologët më të mirë do t'ju tregojnë se shqiptarët nuk dëshirojnë të bëhen mirë, nuk duan të shërohen. Ajo që ata duan është lehtësimi, shërimi është i dhimbshëm.

***

Të duash si shpirtin atdheun dhe kombin tënd do të thotë zgjim. Shumica e shqiptarëve, edhe pse nuk janë të vetëdijshëm për këtë, flenë. Ata lindin në gjumë, jetojnë në gjumë, rrisin fëmijët e tyre në gjumë dhe vdesin në gjumë pa u zgjuar kurrë. Ata kurrë nuk e njohin hijeshinë dhe bukurinë e asaj gjëje që ne e quajmë qenie njerëzore. Ju e dini, pothuajse të gjithë shqiptarët: katolikë, të krishterë, ateistë, myslimanë, pa marrë parasysh për çfarë teologjie qëndrojnë, pa marrë parasysh çfarë feje janë apo nuk besojnë aspak, të gjithë bien dakord për një gjë - që gjithçka është në rregull. Edhe pse ka një rrëmujë kudo, mendohet se gjithçka është në rregull. Një dukuri apo paradoks vërtet i çuditshëm që bie në kundërshtim me realitetin. Por për fat të keq, shumica e shqiptarëve nuk e kuptojnë kurrë se “gjithçka është në rregull”sepse ata janë duke fjetur. Ata i mundon makthi.

***

Para disa vitesh, nga babai im dëgjova këtë histori për një zotëri nga trojet shqiptare që trokiti në derën e djalit të tij. “Agim”, thotë ai, "zgjohu!" Agimi përgjigjet: "Nuk dua të ngrihem, baba".Babai bërtet: "Çohu, duhet të shkosh në shkollë!" Agimi thotë, "Unë nuk dua të shkoj në shkollë.""Pse jo?"pyeti babai. "Ka tre arsye." Tha Agimi. "Së pari, sepse është kaq e mërzitshme; së dyti, sepse fëmijët më ngacmojnë; dhe së treti, sepse e urrej shkollën.”Dhe babai përgjigjet, “Dëgjo, unë do të tregoj tre arsye pse duhet të shkosh në shkollë. Së pari, sepse është detyra jote; së dyti, sepse je dyzet e gjashtë vjeç; dhe së treti, sepse ti je drejtori shkollës”.

Zgjohu, zgjohu! Turp të kesh. Ti je një i rritur. Ti je shumë i madh për të fjetur pandërprerë. Zgjohu! Përfundo lojën me lodrat tuaja.

***

Zgjimi është, në fakt i pakëndshëm. I turpshëm. Ju jeni të mirë dhe të qetë në shtrat, zgjimi ju irriton. Kjo është arsyeja pse asnjë atdhetar dhe intelektual i mirëfilltë nuk do të përpiqet kurrë më t'i zgjojë shqiptarët. Shpresoj se edhe unë do të veproj me mençuri këtu dhe se nuk do të përpiqem të të zgjoj nëse je në gjumë. Në të vërtetë nuk ka asnjë lidhje me mua, edhe nëse ndonjëherë ju them: "Zgjohuni!" Detyra ime është të bëj obligimin tim atdhedashës, punën time, të kërcej vallëzimin tim. Nëse do të përfitoni prej tij, mirë, nëse jo, keqardhje! Më mirë do të thosha: "Shiu është i njëjtë kudo, por bën që të rriten ferra në kënetë dhe lule në kopsht".

Disa shqiptarë zgjohen nga realiteti i ngurtë i jetës. Ata vuajnë aq shumë, deri sa të zgjohen. Por të njëjtët, bashkë me të tjerët, përplasen me jetën përsëri dhe përsëri. Ata jetojnë si gjumash. Nuk zgjohen kurrë. Është tragjike që nuk u shkon kurrë në mendje se mund të ishte ndryshe. Asnjëherë nuk u shkon ndërmend se mund të ketë qenë më mirë. Megjithatë, nëse jeta nuk ju ka shtypur mjaftueshëm dhe nëse nuk keni vuajtur mjaftueshëm, ekziston një mënyrë tjetër: dëgjoni. Nuk mendoj se duhet të pajtohesh me atë që po them.Kjo nuk do të ishte dëgjim. Më besoni, me të vërtetë nuk ka rëndësi nëse jeni dakord me atë që po them apo jo, sepse marrëveshja dhe mosmarrëveshja kanë të bëjnë me fjalë, koncepte dhe teori dhe ato nuk kanë asnjë lidhje me të vërtetën. E vërteta nuk mund të thuhet kurrë deri në fund. E vërteta shihet papritmas, si rezultat i një qëndrimi të caktuar.Kështu që ju mund të mos bini dakord (të mos pajtoheni) me mua pa e dalluar ende të vërtetën. Por duhet të keni një qëndrim të hapur, duhet të dëshironi të zbuloni diçka të re. Kjo ka rëndësi, jo marrëveshja apo mosmarrëveshja juaj me mua. Më në fund, shumica e atyre që unë ju jap janë, në fakt, teori. Asnjë teori nuk mund ta paraqesë plotësisht të vërtetën dhe për këtë arsye nuk mund t'ju them për të vërtetën, por për pengesat që qëndrojnë në rrugën e së vërtetës. Unë mund ta përshkruaj atë për ju, por nuk mund ta përshkruaj të vërtetën për ju. Askush nuk mundet. E vetmja gjë që mund të jap është një përshkrim i keqkuptimeve tuaja, për t'i sqaruar ato.E tëra çfarë mund të bëj për ju është të vë në dyshim mendimet tuaja dhe sistemin e të menduarit që ju bën të palumtur. E tëra çfarë mund të bëj për ty, është të ndihmoj të harrosh atë që ke mësuar gabimisht nga dikush, nga ndonjë shpirtkeq, zemra e të cilit vlon nga ligësia.

***

Pas çdo pasurie të lehtë fshihet një krim i rëndë.Edhe prostitutat paranë e fitojnë me ndershmëri, me punë të madhe e me djersë. Ndërsa këta dobiçët që shkatërrojnë vendin tonë, po vjedhin pronën shoqërore.

Të bëhesh politikan është pothuajse si të bëhesh prostitutë: së pari e bën për qejf, pastaj të bën presion për të, dhe në fund mund të paguhesh po aq mirë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat