18 vjet pa Tahir Zemajn, kush janë vrasësit?!

Opinione

18 vjet pa Tahir Zemajn, kush janë vrasësit?!

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 4 janar 2021 Në ora: 08:35
Tahir Zemaj

Edhe këtë janar e presim pa ndonjë të dënuar për vrasjen e kolonel Tahir Zemajt. Ishte 4 janari i vitit 2003, ku në pritë u vra kolonel, Tahir Zemaj, njeriu më i zoti që Kosova kishte në luftën e fundit. I Zoti në sensin e përgatitjes ushtarake, strategjike dhe trimërisë që shfaqi në beteja të ndryshme në luftë me armikun. Vlen të përmendet Beteja e Loxhës, për të treguar se çfarë strategu ishte kolonel Zemaj.

Faktikisht është krejtësisht e kuptueshme pse deri më tani nuk është zbardhur se kush e vrau kolonelin së bashku me dy të tjerët, e kuptueshme pasi jetojmë në një vend ku drejtësia mungon, dhe fatkeqësisht kjo vrasje, por jo vetëm e kolonel Zemajt, por edhe kolonel Ahmet Krasniqit, pastaj bashkëpunëtorët më të ngushtë të presidentit Rugova, që ishte dhe mbetet edhe sot elita më e mirë që ka pasur Kosova. Me vrasjen e këtyre figurave të ndritura të kombit u pa më së miri se Kosovën po e prisnin ditë të vështira dhe të rënda.

Kolonel Zemaj është vrarë nga ata që në luftë mbetën inferior karshi zotësisë dhe profesionalizmit të tij, duke ditur këto gjëra nuk kishin fytyrë që para popullit të flisnin për trimëri, derisa kolonel Zemaj ishte gjallë dhe iu nxirrte të vërtetën. Pra, me vrasjen e kolonel Zemajt sikur eliminuan të vërtetën, e cila i trembë “çlirimtarët”.

Megjithatë gabuan shumë, pasi e vërteta nuk fshihet dot, ka mjaft dokumentar dhe dëshmi se çfarë beteja bëri kolonel Zemaj, e çfarë këta që e vranë. Por populli thotë se gjaku nuk humbet kurrë, shpresë që na mban ende të besojmë se kjo do të ndodhë. Për më tepër që janë arrestuar nga Gjykata Speciale krerë të lartë të UÇK-së, dhe kreu i SHIK-ut, i cili padyshim se mund të ketë njohuri për vrasësit si dhe urdhërdhënësit e Tahir Zemajt. Pra Gjykata Speciale mbetet shpresa e vetme që kjo vrasje, tanimë 18 vjet, mbetet e pazbardhur.

Në Kosovën e pasluftës, shumë vrasje kanë mbetur për t’u zbardhur, e padyshim është edhe ajo e kolonelit, heroit të Kosovës, Tahir Zemaj, i cili nuk do të prehet i qetë derisa vrasësit e tij ende janë në liri. Dua të besoj se vrasësit e tij s`do jenë edhe shumë kohë të lirë, dhe aspak s`do habitem nëse për vrasjen e tij, dorasit dhe urdhërdhënësit e tij do të dalin njerëz me pozita shumë të larta, të cilat i gëzuan mbi kufomat e vrasjeve.

Me zbardhjen e vrasjes së kolonel Tahir Zemajt, Kosova do të filloj rrugën e pastrimit nga e keqja, e cila e ka mbërthyer vendin që nga paslufta, respektivisht që nga vdekja e presidentit Rugova. Ata që deri dje ishin në pushtet, e që sot janë në Hagë, mund të dijnë shumë për vrasjet e pasluftës, ndërsa mbetet vetëm çështje kohe derisa e vërteta të zbardhet, dhe përfundimisht Heroi Tahir Zemaj të prehet i qetë në tokën Dardane.

Ky vit, mund dhe duhet të jetë vit që vrasësit e kolonelit të identifikohen, të dënohen dhe të marrin atë e meritojnë.

Ndonëse vitet ikën, nuk harrohet vepra kolosale që Tahir Zemaj la, në nekrologjinë e tij të jetës: Hero, shembull se si mbrohet Atdheu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat