Një jetë për atdheun, lirinë dhe pavarësinë

Opinione

Një jetë për atdheun, lirinë dhe pavarësinë

Valdet Hysenaj Nga Valdet Hysenaj Më 4 janar 2021 Në ora: 13:19
Foto ilustrim

Me 23 dhjetor2020 na la Nezir Gashi, i lindur më 21 prill 1934 në Mamuras të Shqipërisë, ish i burgosur politik, besnik i idealit madhor kombëtar për jetësimin e pavarësisë së Kosovës, i njohur si humanist, atdhetar, politikan, intelektual, mësues, njeri i urtë, veprimtar i palodhshëm i LDK-së, pajtimtar gjaqesh, pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës …

Prore risimtar, jetësues uniteti dhe mbështetës i gjeneratës së re.

Në nderim të veprimtarisë së tij, po e ribotojmë një shkrim autorial (intervistë e zhvilluar me Nezir Gashin, me 28 nëntor 1997), botuar në revistën: “Gurra”, Drelaj, Rugovë, nr. 28-29, faq. 16-17, maj 1998.

Vetëm duke shpërfillur sakrificat mund të veprohet për kombëtaren

Etnia shqiptare gjatë historisë kurdoherë pati detyra madhore për realizimin e aspiratave kombëtare. Po ashtu, asaj asnjëherë si munguan bijtë që sa herë i thërriste koha, t’i realizonin këto detyra. Pa mëdyshje, i tillë është edhe Nezir (Ibish) Gashi nga fshati Graboc i Pejës, i lindur këtu e gjashtëdhjetë e tre vjet më parë, në kasabanë e Mamurasit në Shqipëri.

U lind në kohë konfliktesh të mëdha botërore, në kohën kur shqiptarët rënkonin nga plagët e luftës dhe nga padrejtësitë e shumta shoqërore. Familja e Ibish Gashit nga Graboci, e cila me 1926 kishte kaluar të jetonte në Mamuras, qe e njohur dhe shquar për zjarrin e përpjekjeve luftarake, liridashëse dhe përparimtare, jo vetëm në Rrafshin e Dukagjinit dhe në Mamuras…

Shquheshin posaçërisht për luftë me armë në dorë kundër regjimit serb. Me 1942, familja e tij sërish rikthehet në kullën stërgjyshore, në Graboc. Pikërisht, në këto troje, jo rastësisht, takohemi me Nezirin, sot gjashtëdhjetë e dy vjeçar.

Biseda me të është e përzemërt, e çiltëër, por edhe e dhimbshme. Orët e kësaj bisede vështirë se mund t’i hetosh. Me modesti e pa dashur ta teprojë flet qartë e saktë.

Që në fjalët e para hetojmë qasjen e shëndoshë intelektuale për çdo gjë që frymon shqip, po ashtu me mprehtësinë dhe shpejtësinë e gjykimit, na jep të kuptojmë se secili do ta kishte për nder të gjendej në një ambient të tillë bisede.

Gjatë bisedës mësojmë për zigzaket dhe katrahurat që e përcollën gjatë gjithë jetës së tij.

Mësojmë se pas mbarimit të Shkollës së Mesme në Pejë, në Universitetin e Shkupit të jetë diplomuar për arsimtar të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe.

Gjatë viteve 1960 - ’62 të kishte filluar punën e shenjtë të mësimdhënësit në Drenoc, komuna e Klinës, për të vazhduar më pas në Gorazhdec të Pejës, gjatë viteve 1962- ’64.

në orët e para të mësimdhënies e fillon veprimtarinë patriotike, ndonëse në këtë kohë shtresave progresive shqiptare çdo ditë e më tepër u kanosej rreziku. Gjatë kësaj kohe, edhe pse kishte qenë mjaft e vështirë, si në procesin mësimor, ashtu edhe jashtë tij, Neziri s’kishte ngurruar së afirmuari vlerat letrare, kulturore dhe padrejtësitë historike ndaj popullit të tij, duke mos lënë anash kështu as të drejtat kombëtare dhe njerëzore për përparimin shoqëror. Meqë, shumë shpejt kishte rënë ndesh, madje edhe me shqiptarë, të cilët të nxitur nga pushteti kishin hyrë labirintheve të ngatërruara, falë tyre, bie në sy (“për të keq”) pranë organeve të atëhershme të pushtetit. Edhe përkundër vërejtjeve dhe kritikave, Neziri kishte shpërfillur sakrificat dhe e kishte marrë guximit që të vepronte për kombëtaren.

Si rrjedhojë e tërë kësaj si dhe e inkuadrimit dhe e veprimit të tij në grupin e Adem Demaçit, po veçojmë vetëm një orë mësimore, si nismë të tragjikës së tij jetësore.

Pranverë e vitit 1964. Klasa e tetë. Ora e gjuhës shqipe. Ndonëse në ditarin e punës është shënuar diç tjetër, në klasë bisedohet për flamurin kombëtar. Një ekspeditë e tërë policësh kishte rrethuar shkollën. Korridorit të shkollës hapërojnë rëndë çizme policësh të uniformuar. Hapërojnë edhe civilë serbë dhe shqiptarë proserbë. Duke mos u përmbajtur për të pritur rënien e ziles, dera e klasës zhurmshëm goditet nga ta. Nxitimthi e rrëmbyeshëm e nxjerrin nga ora. E mbërthejnë. Me pranga në duar, gjatë kalimit nëpër oborr sot i kujtohen vetëm fytyrat e trishtuara të ish nxënësve të tij prapa xhamash. As vitet e as pluhuri i harresës s’ia shqitën dot nga mendja as sot e kësaj dite tabllotë e asaj ore mësimore, mbase të fundit.

Në Gjyktën e Pejës, të kryesuar nga Zhivo Cveiq, për veprimtari armiqësore për bashkëpunim dhe bashkëveprim me “armikun e popullit” Adem Demaçin, për tentativë të bashkimit të trojeve shqiptare si dhe për mbjellje të urrejtjes në baza nacionale, dënohet me pesë vjet burg, të cilat i mbajti në burgun famkeq të Nishit. Përpos shokëve të grupit: Ramadan Shalës, Shefqet Deçanit, Mehmet Krasniqit, Remzi Balokut, Ejup Kastratit, Selatin Dacit, Kadri Kusarit, Murteza Nurës, në burg u shoqërua edhe me të burgosur të tjerë si: Ali Aliun, Vezir Ukajn, Metush Krasniqin … të cilët me qëndrimin e tyre stoik, prapa grilash, e shtynë që çështjes kombëtare në këtë kohë të shtypjeve të llahtarshme, t’i përkushtohet edhe më fuqishëm.

Secilin fat duhet t’a mundësh, madje edhe atëherë kur ai është i ashpër. Këto pesë vite i kishte mundur burrërisht dhe pa as të vetmen fjalë. Asnjëherë nuk e kishte humbur besimin tek populli i tij dhe rruga të cilën e kishte marrë, madje as për ata dymbëdhjetë muaj të cilët i kaloi në çeli, mjerueshëm, e besa as sot.

Maltretimet fizike që ia kishin bërë dhe fyerjet e llojit të veçantë gjatë vuajtjes së dënimit, jo vetëm që nuk e luhatën, por edhe më shumë ja shtuan dëshirën për të vazhduar kursin e jetës ashtu si e kishte filluar.

Pas daljes nga burgu, asnjëherë nuk i mungoi “kujdesi” i pushtetarëve dhe sahanlëpirësve të tyre, ndonëse nga modestia s’ dëshiron të përmend as të vetmin emër.

Gjatë kësaj kohe shtëpia e tij ishte bërë poligon bastisjesh.

e fuqishme të marsit dhe të prillit të vitit 1981, qenë shkas që sërish të burgoset. Së bashku me Sadri Tafilajn i mbajnë të izoluar katër muaj, për shkak të përqafimit të kësaj lëvizjeje, siç u kishin thënë.

Mësojmë po ashtu, se me 1984 dënohet prapë me dy muaj burg, meqë me shokët: Sadri Tafilaj, Xhemail Gashin dhe Sefer Gashin, paskëshin marrë pjesë në t’pamen e ish të burgosurit politik Kadri Kusarit.

Ditë më parë, ishin penguar nga policia që të merrnin pjesë në varrimin e tij, për ç’shkak tërë natën ishin mbajtur në stacionin e policisë në Gjakovë, me ç’rast u ishte urdhëruar që të ktheheshin prapa. Atëbotë, me dy muaj burg për … “Zoti ju lashtë shnosh” u dënua edhe Xhemail Gashi – rrëfen Neziri.

Për maltretimet e përjetuara kësaj here heziton të flasë.

Shfletojmë një album modest të fotografive, ato flasin vetë.

Bacën Nezir e gjejmë mjaft aktiv, me dhjetëra e dhjetëra herë, gjatë Aksionit për Faljen e Gjaqeve dhe zhdukjen e hasmërive në mes vete, tok me bacë Antonin dhe veprimtarë të tjerë të shquar, veprim të cilën e kryen edhe sot.

Veprimtarisë s’ju shmang asnjëherë. Që nga viti 1989 e deri më sot, bacë Neziri është kurdoherë në ballë, në mort e dasmë, në gëzime e hidhërime, në protestë e demostratë, në furtunë e stuhi, në ngricë e acar, në mbledhje të LDK-së dhe të partive të tjera…

Është anëtar i kryesisë së Degesë së LDK-së në Pejë.

Populli i din dhe i çmon bijtë e vet. Në zgjedhjet e fundit gjithëpopullore, falë votës së lirë të popullit dhe respektit që e gëzon në masë, u zgjodh deputet i Republikës së Kosovës.

Edhe sot e kësaj dite është konsekuent ndaj ideve të veta, ide që i përqafoi gjatë gjithë jetës. Në fund duke buzëqeshur na tha: “ … se edhe i mençuri duke i injoruar të tjerët, bëhet budalla …”.

Porosi e vetme e tij për lexuesit e “Gurrës” është që mendje e zemra t’i bashkojmë dhe se tunelit me dalje të mbyllur t’i shmangemi.

ta mbijetojmë edhe këtë tragjedi kosovare – përfundon i heshtur dhe me një brengë të madhe në shpirt.

E lamë aty ku e gjetëm. Gjatë kthimit diskutuam gjatë për shkëndijat që e ndriçojnë sot çdo cep të atdheut, të përhapura prej tyre, të cilët çdoherë qenë të zgjuar, madje edhe atëherë…

Mos t’i harrojmë, mos të harrojmë…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat