Tentimi i fundit i "marrjes së kalasë nga brenda"

Opinione

Tentimi i fundit i "marrjes së kalasë nga brenda"

Nga: Isa Shabani Më: 9 janar 2021 Në ora: 13:47
Ilustrim

Sipas Enciklopedisë Brockhaus të Gjermanisë "Partia politike është bashkim permanent i organizuar i qytetarëve me interese shoqërore dhe pikëparje politike të përbashkëta mbi organizimin e shoqërisë shtetërore dhe rendit ekonomik me qëllim të marrjes, deklarimit gjegjësisht të kontrollit të sundimit në shtet. Nëse nisemi nga ky përkufizim dhe analizojmë lindjen e partive politike në Kosovë mund të konstatojmë se shumica e tyre, të formuara pas çlirimit, me disa përjashtime nuk kanë fare të bëjnë me pjesën e parë të këtij definicioni.

Pra, qëllimi kryesor i tyre është marrja e pushtetit shtetëror dhe qeverisja me të për qëllime të ngushta, dhe si të tilla ato i nënshtrohen një individi apo një grupi të ngushtë të saj, të veshur me një petk formal politik ose ndonjë kauzë të rreme politike. Andaj, për të mund të funksionuar si të tilla, u nevojitet një diciplinë e rreptë partiake, ngjashëm me ato të rendit totalitar komunist.

Duke u nisur nga fakti se të gjitha këto parti apo bashkime kanë rrjedhur nga LPK, e cila ka qenë e lidhur ngusht dhe e dirigjuar nga PPSH, dhe si e tillë e kishte të përvetësuar edhe ideologjinë e saj stalinisto-marksiste-leniniste është normale një funksionim i till i tyre. Mirëpo, këto "parti", si të tilla sapo e marrin pushtetin e përdorin ate për qëllime klienteliste sepse vetëm kështu mund të kenë jetëgjatësi të pushtetit të tyre. Si rezultat kemi pastaj kapjen e plotë të shtetit nga një strukturë e tillë mafioze. Ky shkrim nuk ka për qëllim që të analizoj formimin, funksionimin, ristrukturimin e këtyre partive dhe ushtrimin e pushtetit shtetëror nga ana e tyre.

Vëmendje të caktuar meriton trajtimi i çështjes se si këto "parti" të tilla arrijtën të tkurrin elektoratin e LDK-së - në fillim lëvizjes e pastaj partisë së Presidentit historik dr.Ibrahim Rugova. Edhe në fazën fillestare të funksionimit të LDK-së, gjatë artikulimit të interesave të shqiptarëve në ish-Jugosllavi në dekadën e fundit të shekullit të kaluar kishte tendenca dhe tentime të hapura nga grupet majtiste për përvetësimin e këtij organizimi i cili kishte shprehur haptas qëndrimin djathtist perëndimor. Fatbardhësisht falë urtësisë së Presidentit Rugova dhe Akademik Fehmi Agani të gjitha këto dështuan. Mirëpo, pas çlirimit të Kosovës dhe mbajtjes së zgjedhjeve të para - të lira e të njohura ndërkombëtarisht - lokale e parlamentare dhe fitores së LDK-së u shfaqën synimet karieriste të individëve të caktuar nga radhët e saj. Në këtë kohë kemi daljet e para nga LDK dhe formimin e alternativave të ndryshme, por pa ndonjë efekt të caktuar në dobësimin e elektoratit të saj. Mirëpo, këto tendenca erdhën në shprehje sidomos pas vdekjes së Presidentit Rugova. Tkurrja e parë e elektoratit të LDK-së bëhet nga ana e AAK-së e cila e kapitalizoj në mënyrën më të mirë të mundshme, arritjen e koalicionit me LDK-në nëvitin 2004, kur disa figura udhëheqëse të saj, të cilat kishin poste ministrore kaluan në radhët e AAK-së. Dëmi më i madh elektoral i është shkaktuar LDK-së me formimin e LDD-së. Mirëpo, kjo parti pas dështimit të saj në zgjedhjet e mëpastajme parlamentare iu bashkua prap LDK-së. Tani kemi në formim e sipër listën e proklamuar nga ish-nënkryetarja e LDK-së dhe kandidatja e saj për Kryeministër në zgjedhjet e vitit 2019, Kryeparlamentarja Vjosa Osmani. Ku është dallimi në mes të projeksionit të saj dhe paraardhësve? Ata që kaluan individualisht në AAK muarën me vete vetëm një rreth të ngusht të zgjedhësve, më shumë nga rrethi familjar dhe të afërm të tjerë. Të rrallë janë ata që u etabluan aty, disa dështuan plotësisht kurse disa u kthyen prap në LDK.

Vetëm një rast e kemi që pastaj nga kjo "parti" ka kaluar në partinë e krijuar nga vazhdimësia e eksremit të majtë LPK-së, por e tani e veshur me petk formal demokratik - PDK, VV-së, të cilës pastaj iu bashkuan edhe të pakënaqurit nga radhët e saj. Deri më tani nuk kemi pasur tentim kalimit të personave nga strukturat udhëheqëse të nivelit qendror të LDK-së në ndonjë parti majtiste dhe të marri me vete tërë antarësinë e saj. Andaj synimi i Vjosa Osmanit është tentimi i parë i hapur, që përmes një Liste nga një parti institucionale djathtiste t'i afrohet liderit të një partie të eksremit majtisto-islamik, nxënësit të Antirugovistit të përbetuar. Dallimi nga kalimet tjera, qëndron edhe në ate, se ajo duke e keqpërdorur besimin të cilin ia shprehi LDK-ja duke e zgjedhur Nënkryetare, duke e kandiduar për Kryeministre nga radhët e saj dhe duke e zgjedhur Kryeparlamentare synon të marri edhe një pjesë të elektoratit. Cili është qëllimi i saj përfundimtar? Duke analizuar qëndrimin kundërshtues të saj në vazhdimësi ndaj vendimeve të organeve të LDK-së, duke marrur parasysh deklaratën e saj se ka dhjetë vite që punon për përafrim me VV-në, krekosjet e saj ndaj deputetëve të LDK-së nga pozita e Kryeparlamentares në mbledhjet e Kuvendit të Kosovës si dhe deklaratat se i ka ndarë rrugët me LDK-në mund të konkludohet se ajo synon shkatërrimin total të LDK-së, në mënyrën më të egër të mundshme, me marrjen e plotë të elektoratit të LDK-së, synim afatgjatë i majtistëve.

Kjo është mënyra më perfide dhe më e rrezikshme që deri më tani është përdorur për zhbërjen e partisë së Presidentit Rugova. Por kjo ka arritur që t'u mbijetoj të gjitha stuhive si atyre të pushtetit gjakatar diktatorial serb poashtu edhe të eksremit tonë majtist në Kosovë. Uroj që ky të mbetet tentimi i fundit i së majtes për "marrjen e kalasë nga brenda". Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK - këto tri shkronja, edhe këtë herë, në momentin kur shumë (b)analist nuk llogaritin në fitoren e saj, do të tregojnë vitalitetin e forcën e saj dhe do të ngritet si feniks, sepse kjo kala e pamposhtur ka lidhjen e saj të ngushtë me popullin, që nga themelimi i saj në krye me Presidentin Rugova, e ka edhe sot dhe do ta ketë edhe në të ardhmen.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat