BE duhet të këtë parasysh pavarësinë e Kosovës në dialogun me Serbinë

Opinione

BE duhet të këtë parasysh pavarësinë e Kosovës në dialogun me Serbinë

Nga: Xhavit Çitaku Më: 20 janar 2021 Në ora: 17:17
Xhavit Çitaku

Një dialog i stërgjatur, me shumë kontradikta, mosmarrëveshje e plot ngarkesa nacionaliste e injorimi të shtetit të Kosovës nga ana regjimit të Serbisë. Ndërkaq, në anën tjetër, Bashkimi Evropian si ndërmjetësues në këtë dialog po tregohet jashtëzakonisht i plogësht dhe pa ndonjë strategji të mirëfillt për të arritur një epilog në një pjesë të Ballkanit perendimor që ka nevojë për paqë dhe stabiliteti pas një lufte të përgjakur të shkaktuar nga Serbia fashiste e Milosheviqit. Në të vërtetë, BE niset nga parimi se marrëveshja për të stabilizuar marrëdhëniet fqinjësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të burojnë nga bisedat e zhvilluara nga delegacionet dhe liderët e këtyre dy vendeve, pa llogaritur të vërtetën e hidhur se Serbia ka hyrë në këtë dialog për të realizuar apetitet e saj qindra vjeçare të gllabërimit të tokës shqiptare. Në këto synime të saj goxha shumë po i jep krah edhe ndërmjetësuesi Lajçak duke ngritur zërin zëshem në mbështetje të kërkesës së Serbisë, sidomos, lidhur me asosacionin e komunave serbe. As zyrtar tjerë të lartë të Bashkimit Evropian në asnjë rast nuk i kemi dëgjuar të kenë parasysh pavarësinë e Kosovës e pranuar nga 114 shtete të botës.Pra ata janë deklaruar neutral në këtë dialog shumë të rëndësishëm që me dukët se është mjaft paradoksal, sepse nuk shkojnë së bashku edhe të jesh neutral, kur vetëm pesë vende të BE nuk e kanë pranuar mvetësinë e vendit tonë, edhe të jesh ndërmjetësues. Me këtë rast po mohohet akti më sublim që ka shpallur ndonjë herë Kosova dhe në anën tjetër sikur Serbia po ndihet e favorizuar, që po shihet qartë gjatë gjithë procesit negociator. Nëse edhe më tutje vazhdon një qendrim asnjënës i Bashkimit Evropian karshi pavarësisë së Kosovës, atëherë edhe lojërat, ndërkëmbëzat dhe kërkesat maksimale të Serbisë vetëm sa do të shtohen, gjë që do të zvarrit edhe më tej arritjen e marrëveshjes përfundimtare ndërmjet këtyre dy vendeve dhe kësisoj vihet në rrezik edhe paqja në këtëpjesë të Evropës.

Kushtetusja e ka dhënë mendimin lidhur me Asosacionin e komunave serbe

Sa herë që Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës nxjerr ndonjë vendim, të parët janë zyrtarët e Bashkimit Evropian që ngritin zërin për respektim të tyre. Ndërkaq, kur është fjala për Marrëveshjen rreth Asosacionit të komunave serbe, këta zyrtar kanë qendrim tjetër, përkatësisht janë të zëshem se ajo duhet të realizohet nga qeveria e Kosovës pavarësisht se po kjo Gjykatë pjesën dërmuese të asaj marrëveshje e ka shpallur jokushtetuese. Zaten edhe në kuadër të asaj marrëveshjeje qartë është paraparë se mendimin përfundimtar për këtë do të jap Gjykata Kuushtetuese. Ky është një shëmbull i keq i kualifikimit me dy kute të vendimeve të këtij institucioni më të lartë të interpretimit të kushtetushmerisë, të cilat janë të obligueshme për të gjithë akterët e përshirë. Dhe me të drejt shtrohet pyetja se cili organ, institucion apo edhe politikan do të merrte guximin dhe të nëpërkëmbte këtë vendim. Askush dhe asnjëri, kurrë. Pra, do të ishte e tepërt dhe joserioze insistimi që një marrëveshje e shpallur jolegjetime dhe arkivosur në Kushtetuesen e Kosovës si e tillë të kërkohet për ta realizuar në praktikë, që do të thoshte në fakt edhe cenim i integritetit territorial të vendit tonë.

Pse heshtë Lajçak ndaj reagimit të von Kramon lidhur me diskriminimin e shqiptarëve në komunën e Medvegjës

Raportuesja për Kosovën në Bashkimin Evropian von Cramon reagoj ashpër ndaj veprimeve antishqiptare të organeve serbe në Komunën e Medvegjës, të cilat po i pezullojnë adresat nga evidenca zyrtare familje të tëra shqiptare me të vetmin qëllim për të realizuar synimet e tyre për pastrim etnik në këto troje shqiptare. Lidhur me këtë diskriminim ajo iu drejtua zyrtarëve të lartë të BE dhe ndërmjetësuesit të dialogut Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak, që të ndërmarrin të gjitha masat që këto veprime kundër popullatës shqiptare të ndërpriten sa më parë deri sa nuk është bërë vonë. Për fat të keq ende nuk ka asnjë deklaratë nga këta zyrtar e aq më pak nga sllovaku Lajçak lidhur me shqetësimin e von Cramon dhe të banorëve shqiptar në komunën e Mevegjës. Edhe me këtë rast reagimi nga selia e demokracisë evropiane në Bruksel po bëhet me dy kute, apo thënë me gjuhën e fakteve se po të ishte ishte fjala, ta zëmë, ndalimi i ndonjë zyrtari serb për të vizituar Kosovën për shkak të sjelljeve të tyre në kundërshtim me ligjet e Kosovës, atëherë Lajçak dhe të tjerë zyrtar menjëherë do të dilnin me deklarata se veprimet e tilla nuk kontribuajnë në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfishirëse ndërmjet Kosovës e Serbisë. Shi për këtë, është koha e momenti që kjo dyftyrësi karshi shqiptarëve që janë, po ashtu, edhe europian autokton të marrë fund. Ndërkaq, aktualisht BE dhe Lajçak duhet që të urgjentisht të kontaktojnë liderët serb dhe të ndërprejnë menjëherë diskriminimin e shqiptarëve jo vetëm në komunën e Medvegjës, por në tërë rajonin e Luginës së Preshevës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat