Nikaj-Merturi, mes madhështisë se Alpeve Shqiptare

Opinione

Nikaj-Merturi, mes madhështisë se Alpeve Shqiptare

Nga: Gjon NEÇAJ Më: 26 janar 2021 Në ora: 14:15
Gjon Neçaj

Krahina e Nikaj-Mërturit përbëhet prej 12 fshatrash, që janë: Lekbibaj, Salcë, Palç, Kotec, Brise, Gjonpepaj, Peraj, Tetaj, Curraj i Poshtëm, Betosha, Shëngjergj, Curraj i Epërm, Qeresh-Mulaj. Fiset e Nikajve dhe të Mërturit janë një krahinë e vetme që shtrihet në pjesën perëndimore të Tropojës, në juglindje të Alpeve Shqiptare, në kufi me rrethin e Dukagjinit.

Tërë zonën e rrethojnë kreshtat e larta alpine si: maja e Hekuarve, grykat e Hapta, maja e Kakisë 2360 m, maja e Ndërmanjës 2250 m. Ka klimë malore me dimër të ashpër, me reshje të shumta bore dhe me verë relativisht të freskët. Bimësia është e zonës së dushkut, ahut e pak pishë. Ka kullota të pasura alpine të përshtatshme për verimin e bagëtive. Lulet dhe bimësia në këtë luginë janë përrallore.

Lugina e Nikaj-Mërturit përshkohet nga dy lumenj, të cilët nuk shterojnë asnjë herë. Këta lumenj janë: Lumi i Nikajve dhe lumi i Mërturit, të cilët bashkohen poshtë Currajt të Poshtëm dhe të dy së bashku vazhdojnë rrjedhjen e tyre midis fshatit Raje e Tetaj dhe derdhen në lumin Drin.

Në Nikaj-Mërturi shkohet përmes liqenit të Komanit me anije dhe ndalohet në stacionin që quhet Kodër Markaj, rreth 10 km pa shkuar në Fierzë. Përmes rrugës nacionale që kalon nga Qafa e Malit, duke u kthyer majtas në Fierzë dhe vazhduar sipas rrjedhës së Drinit. Rruga nacionale që vjen nga Fierza, te Ura e Mërturit, ndahet në dy degëzime, njëra që vazhdon për në Lekbibaj, ku është edhe qendra e komunës, pastaj vazhdon për në fshatin Mserr ku ndahet për në Salcë dhe në Lugun e Ndërmanjës. Tjetra vazhdon bregut të lumit për në Shëngjergj, kalon afër Bëtoshës dhe vazhdon nëpër rrugën shekullore të Pultit të Vjetër, për në Qafën e Kolçit e lidhet me Tropojën (Malësinë e Gjakovës).

Nikaj-Mërturi është një vend shumë interesant për të zhvilluar turizmin, alpinizmin dhe sporte të tjera malore. Rikonstruktimi i rrugës ekzistuese nga Fierza në qendër të komunës , do ta bëjë më të vizituar këtë trevë, ku ndërtimi i rrugës automobilistike për në lugun e Ndërmanjës e në Vranë, si dhe ndërtimi i rreth dhjetë kilometra rrugë për në Curraj Epër, do ta bënte kthimin e Nikaj- Mërturit në një perlat më të bukura të turizmit malor në Shqipëri e më gjerë.

Do të përmendnim vetëm disa emra vendesh, si: perlën e Alpeve Shqiptare, Currajn e Epër, Qereshin, Kuçin, Boshin, Alshinën, Kakinë, Zallin e Ortegut, Shpellën e Kakverrit, T’hermen, Fangjet, Rrukun e Nikajve, Listrami i Bëtoshës, Vorri i Fratit, Shtegu i Dashit, Piku i Currajve, Çuku i Llapushtrës mbi Rajë, Shterziqja e Brisës, Logu i Gurrës e bjeshkët e Salcës, Okoli i Palçit etj etj.

Gjatë verës shijohet tamli me borë, boronicat, mjedrat, drethëzat, dardhat gjokmeme, hardallitë, flina, leqentku i mestitur, mazë e zier, fërligu (traditë e hershme e zonës), mishi i tharë në tra mbi oxhak (postermë), bacrugat e gështenjave etj.

Përveç bukurive natyrore dhe ushqimeve karakteristike të zonës, turistët do të ulen këmbëkryq me trashëgiminë kulturore të krahinës së Nikaj -Mërturit si në asnjë vend tjetër.

Do të ishte i padiskutueshëm interesi i turistëve të huaj që krahas bukurive përrallore të kësaj zone, të njiheshin me folklorin e pasur, këngët dhe veglat muzikore, veshjet e larmishme, dasmat dhe ritet e zakonet mortore, të cilat dëshmojnë për një zonë jashtëzakonisht të pasur me etnokulturë të veçantë dhe të bukur. Jo rastësisht, Franc Nopçe, i cili kishte vizituar Nikaj- Mërturin në vitet 1900 të shekullit të kaluar, si deputet i parlamentit austriak, kishte propozuar që Nikaj- Mërturin ta shpallnin monument kulture nën mbrojtje ndërkombëtare, për bukuritë e rralla dhe për njerëzit e mrekullueshëm.

Mes madhështisë dhe bukurisë së Alpeve Shqiptare

Nikaj-Mërturi bën pjesë në rajonin verilindor dhe zë pjesën perëndimore të rrethit të Tropojës, në anën veri-perëndimore të luginës së Drinit, duke u kufizuar në lindje përmes Majës së Kores dhe Qafës së Kolçit me komunën e Bujanit dhe të Fierzës dhe në perëndim përmes Qafës së Ndërmanjës dhe Qafës së Agrit me komunat e Shalës, Shoshit dhe Temalit, të rrethit të Shkodrës. Qendra e zonës është në fshatin Lekbibaj, e cila është 27 km nga qyteti i Bajram Currit dhe 13 km nga Fierza. E ndodhur midis bjeshkëve dhe majave të larta, është një zonë shumë e veçantë ku shfaqen dhe ndërthuren kontraste të papara, ku përballen e bukura dhe e vështira, madhështia dhe ashpërsia, pamjet mahnitëse me infrastrukturën e dobët, mundësitë e shumta për zhvillim me një prapambetje relative, ashpërsia natyrore e terrenit me butësinë hyjnore të peizazhit, e kaluara e lavdishme dhe e sotmja që po ndryshon.

Historia-gjenealogjia

Rrethanat ekonomiko shoqërore që u krijuan për krahinat malore të Shqipërisë së veriut pas pushtimit osman të shek. XV çuan në formimin e disa njësive krahinore administrative dhe ekonomiko-shoqërore të vetëqeverisura sipas të drejtës zakonore, që do të përfshinin në gjirin e tyre një popullsi që ruante të forta lidhjet e fisnore. Dy nga këto njësi ishin Nikajt dhe Merturi, të cilat u formuan në një pjesë të territorit të Pultit të Epërm, dhe që tradicionalisht janë quajtur “fise” ose “bajraqe”. Sot ata përbëjnë një krahinë gjeo-etnografike të quajtur Nikaj – Merturi.

Fisi i Nikajt përbëhet nga fshatrat: Lekbibaj, Peraj, Gjonpepaj, Currajt të Poshëm, Curraj të Epërm (bashkë me Qeresh dhe Kuq). Ndërsa për Mërturajn po kujtojmë ato te Franc Nopçes, i cili thoshte: ” Një nga fiset më të vjetra e më të rëndësishme të Malësisë së Vogël asht Mërturi”.

Nga studiues të ndryshëm si dhe në traditën gojore thuhet se Mërturi e ka prejardhjen nga fisi i Berishës. Mërturi përbëhet nga fshatrat: Brise, Salce, Palc, Shëngjergj, Betoshë

Fshatrat e Nikaj- Mërturit janë të shpërndarë në të gjithë zonën, afër liqenit, lumenjve dhe disa edhe afër bjeshkëve, si Bëtosha, Brisa, Salca, Peraj, Vrana, Curraj Epër, Qereshi dhe Mulaj. Ato janë vendosur në çdo vend ku ka qenë e mundur të ndërtohet një shtëpi dhe të ketë edhe një copë tokë, si në maja kodrash, livadhe, por disa kulla janë ndërtuar edhe në shkëmbinj, kthyer me kurriz nga humnera për arsye mbrojtjeje nga sulmet e pushtuesve dhe gjakmarrja.

Bukuritë natyrore të krahinës

Zona përshkohet tej për tej nga dy lumenj: lumi i Currajve dhe i Vranës e që burojnë nga bjeshkët e larta me ujë të pijshëm që nga burimi e deri ku bashkohen për t’u derdhur në lumin Drin. Nuk ka fshat që nuk i ka nga dy, tre e më shume kroje me ujë të pijshëm, që për nga pastërtia pa dyshim që do të konkurronin çdo ujë në botë, pasi secili prej tyre zanafillën e ka nga bjeshkët e larta, ku bora e re pushon mbi borën e vjetër. Pjesa më e madhe e zonës është me pyje e kullota, pasi toka bujqësore e përdorur për mbjellje është e vogël, por është interesant fakti që shumica e saj ndodhet nën ujë. Peizazhi natyror është i paimagjinueshëm, me monumente natyrore të shumta e të rralla. Pyjet me gështenja krijojnë kurora të mrekullueshme rreth e rreth fshatrave, sidomos në fshatin e Lekbibajve apo në Markaj, Tetaj etj, frutet e të cilave konkurrojnë në çdo treg. Arra dhe lajthia përbëjnë një tjetër pasuri që natyra ia ka falur Nikaj-Mërturit, sidomos lajthia, e cila vende-vende formon edhe pyje të tëra, si p.sh në fshatin Qeresh, ku e gjithë kurora e këtij fshati deri në Qafën e Qereshit dhe përreth saj është e formuar nga pyje lajthish. Trofta e lumenjve të Nikaj-Merturit, mjalti, si dhe prodhimet blegtorale, të gjitha organike janë shumë cilësore.

Vlera që duhen shfrytëzuar

Ka pasur disa ekspedita turistike, duke filluar që nga viti 1993, e deri te më e fundit verën që kaloi, nga Italia, Sllovenia etj, të interesuar për eksplorimin e shpellave. Kanë arritur të hyjnë disa kilometra në shpellën Bira e Zezë në fshatin Qeresh dhe janë mahnitur me madhështinë dhe bukurinë e asaj shpelle. Shpella vazhdon edhe më tej dhe, sipas tyre, shpërndahet në katër drejtime të ndryshme. “Sot për sot, si pasojë e infrastrukturës së vështirë që ka zona e Nikaj-Mërturit, sektori i turizmit nuk është zhvilluar. Kjo ka bërë që kjo zonë të jetë e virgjër, pra gjithçka natyrale. Duke pasur parasysh potencialet e shumta turistike që ka zona, turizmi malor e në veçanti ai dimëror, do të jetë në të ardhmen një nga mundësitë më të mira për zhvillimin e kësaj krahine.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat