Letër e hapur për kryetaren e KQZ-së të Kosovës zonjën Valdete Daka

Opinione

Letër e hapur për kryetaren e KQZ-së të Kosovës zonjën Valdete Daka

Gëzim Muçolli   Nga Gëzim Muçolli Më 3 shkurt 2021 Në ora: 00:45
Valdete Daka

Pasi kontrolluam "Listën e Votuesve jashtë Kosovës" që e publikuat dhe nuk i gjetëm emrat tonë, po ju drejtohemi me insistim që sa më shpejt të korrigjoni gabimin tuaj.

Nuk mund të na mohohet e drejta themelore kushtetuese e demokracive qytetare europiane: e drejta e votës dhe e pjesëmarrjes së lirë në zgjedhje.

Zonja Daka deri në ditën e sotme, me 2 shkurt 2021 nuk kemi pranuar asnjë thirrje telefonike nga njerëzit që keni angazhuar për këtë punë. Asnjëri nga tre numrat e telefonit që ju kemi dërguar nuk ka regjistruar thirrje nga Prishtina. Nuk e dimë motivin e heshtjes suaj!

Ju kërkojmë që nesër ta përmirësoni menjëherë gabimin tuaj dhe ti futni emrat tonë në Listën e qytetarëve me banim jashtë atdheut me të drejtë vote. Ne jemi të regjistruar në KQZ dhe kemi votuar në të gjitha zgjedhjet demokratike parlamentare dhe administrative të mbajtura në Republikën e Kosovës. Nuk e dimë se çka ju duhet të na telefononi kur ju kemi dërguar gjithë dokumentacionin e nevojshëm për tu regjistruar për votim në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit 2021 në Kosovë.

Nëse deri tani mund të kuptohej thënia e Bill Vaughan si autoironi kolektive kur thoshte se " Qytetari amerikan e kalon oqeanin për të luftuar për demokracinë, por nuk dëshiron ta kalojë rrugën për të shkuar të votojë në zgjedhjet nacionale amerikane!", ne duam ti kalojmë të gjitha pengesat për të votuar.

Mos harroni se ne nuk jemi Diasporë por jemi Mërgatë dhe jemi fort të lidhur me fatin dhe hallet e e Republikës sonë. Nuk duam ti lejojmë të votojnë të tjerët në emrin tonë. Liria ka edhe emrin tonë. E këtë ua kemi borxh fëmijëve dhe brezave që po vijnë.

Gëzimi, Valdetja dhe Albani nga Padova e Italisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat