Glauk, gabove shumë. Kosova nuk duhet të lëviz ambasadën nga Jerusalemi

Opinione

Glauk, gabove shumë. Kosova nuk duhet të lëviz ambasadën nga Jerusalemi

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 6 shkurt 2021 Në ora: 11:08
Glauk Konjufca, foto ilustrim nga "Bota sot"

Gjithnjë kam menduar se Glauk Konjufca është i mençur, më është dukur i hollë nga mendja, aq sa e vlerësoja si njëri ndër më të zgjuarit dhe më të diturit në tërë skenën politike.

Prandaj, edhe u habita nga deklarata e tij krejtësisht e pavend, e pa mençur dhe aspak në interes të Kosovës.

Derisa Glauku e vlerëson si veprim jo i mençur vendosja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, gjykoj se ja ka huq krejt.

Edhe më shqetësuese është paralajmërimi se “Ajo do të mbetet aty ku është deri nëse ne kushtëzohemi që të mos jetë aty. Nëse hyrja jonë në Bashkimin Evropian kushtëzohet për ndryshimin e lokacionit, atëherë kjo do të duhet të rishqyrtohet”, tha ai.

Një deklaratë e tillë nga numri dy i partisë më të madhe në vend, ish ministër i jashtë, dhe me mundësi të mëdha që prapë të jetë ministër i jashtëm, me shqetësoi, dhe si e tillë e vlerësoj deklarata më e pavend që Glauku ka dhënë ndonjëherë.

Së pari duhet t’i kujtoj z. Konjufca se njohja e Kosovës nga Izraeli është pasojë e premtimit për hapje të ambasadës në Jerusalem, zotim që Kosova e ka dhënë në Shtëpinë e Bardhë. Ky veprim është konform vizionit të Kosovës për lidhje permanente me SHBA, e cila duke ditur raportet që ka me Izraelin mund të dëmtojnë Kosovën shumë në rast të largimit të ambasadës nga Jerusalemi.

Së dyti, Kosovës s’ka pse i bën presion askush në Evropë, është shteti i pavarur dhe merr vendime sovrane, dhe jo në bazë të interesave të ngushta të ca shteteve përreth. Po supozojmë se BE kushtëzon Kosovën me largimin e ambasadës nga Jerusalemi, edhe në këtë rast Kosova s’duhet të bie pre e BE, por duhet t’i qëndrojnë në krah SHBA.

Nuk guxon që një person i nivelit të lartë si z. Konjufca, që me shumë gjasë pritet të jetë sërish ministër i jashtëm, të lëshojë deklarata të tilla, që bien ndesh me vizionin e Kosovës, dhe shqiptarëve të Kosovës, drejt perëndimit së bashku me SHBA.

Shpresoj të jetë një deklaratë aksidentale, dhe jo orientim i VV, e cila me këtë qasje s’do arrij të mbetet gjatë në pushtet, të cilin pritet ta arrijë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Marrëdhëniet e Kosovës me SHBA janë alfa dhe omega e Kosovës. Raportet e shqiptarëve me hebrenjtë kanë qenë gjithnjë të mira, dhe të tilla duhet të vazhdojnë.

Duhet t’i kujtoj z. Konjufca që është pikërisht kjo BE që nuk na liberalizon vizat, edhe për fajin tonë gjithsesi, ama BE, gjithnjë ka mbajtur qëndrim proserb dhe jo aq proshqiptar, dhe kjo gjë duhet të kihet parasysh.

Në çdo hap të sajin, Kosova duhet ta bëj me SHBA, me ambasadën e Kosovës që nuk guxon të lëviz nga Jerusalemin, duke qenë kështu në një vijë me qëndrimin amerikan. Glauku duhet të sqaroj edhe një herë këtë deklaratë të tij, a është vërtet qëndrim i tij dhe VV, apo një deklaratë aksidentale, e pamenduar mirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat