13 vite të pavarësisë së Republikës së Kosovës!

Opinione

13 vite të pavarësisë së Republikës së Kosovës!

Nga: Haki Latifi Më: 17 shkurt 2021 Në ora: 00:04
Haki Latifi

Pavarësia e Kosovës nuk u krijua në një ditë të vetme, as nga një akt i vetëm politik e në një moment të volitshëm historik, por pavarësinë e Kosovës e kanë krijuar breza të tërë luftëtarësh, heronjsh e dëshmorësh me veprën e tyre jetësore, me punën e palodhshme e me gjakun e tyre. Dhe jo vetëm këta. Hise në pavarësinë e Kosovës kanë stërgjyshet, gjyshet e nënat tona, të cilat në vend të ninullave rritën breza të tërë me këngët e lirisë...

Për t’u bërë shtet më vete, zot i vetvetes, Kosova ka kaluar nëpër histori përpjekjesh e vuajtjesh gjatë ekzistencës së vet, shpeshherë në luftë për identitet politik, kulturor e historik si entitet më vete. Perandori të mëdha e të vogla prej antike e këndej janë ngritur, kanë lulëzuar, e kanë rënë, ndërsa Kosova si njësi me identitet të veçantë përgjatë gjithë historisë - ka ruajtur substancën e vet dardane e shqiptare, që kanë jetuar këtu nëpër shekuj përgjatë evolucionit historik të kësaj hapësire gjeografike e politike.

Pavarësia e Kosovës ka emrin dhe emblemën e Presidentit Rugova i cili, ishte lideri që i dha popullit shqiptar zemër e guxim për Liri. Mjafton të cekim vetëm strategjinë e tij brilante, Kosova e Pavarur, Integrimi ne Strukturat Euroatlantike, dhe Miqësia me SHBA-ës. Presidenti Dr.Ibrahim Rugova me laps dhe Adem Jashari me pushkë, janë emri i vërtetë i Kosovës, janë burrat më emblematikë të historisë së Kosovës.

Ne duhet të besojmë fuqishëm se, një popull që ka ditur të arrijë lirinë, ai do të dijë edhe të ndërtoj të ardhmen e vet në mesin e popujve të lirë.

Gëzuar Kosova jonë - gjaku që nuk falet!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat