Kuvendi Kombëtar në Lezhë, për herë të parë i bashkoi shqiptarët në historinë e tyre

Opinione

Kuvendi Kombëtar në Lezhë, për herë të parë i bashkoi shqiptarët në historinë e tyre

Nga: Prof. dr. Vebi Xhemaili Më: 3 mars 2021 Në ora: 07:29
Prof. dr. Vebi Xhemaili

Kastrioti-Skënderbeut, një nga figurat më të mëdha jo vetëm të historisë së Shqipërisë, por edhe të historisë evropiane dhe asaj botërore. Shqipëria nën udhëheqjen e Skënderbeut vuri themelet e shtetit të bashkuar mesjetar, që u bëri ballë të gjitha invazioneve që tentuan ta rrënojnë këtë principatë që e themeloi dhe ngriti në piedestal me heroizmin e këtij populli komandanti legjendar i të gjithë shqiptarëve Skënderbeu.

Pas rënies së vendeve tona nën sundimin osman fillon një epokë e re e popullatës shqiptare nën administratën e tyre. Pas rënies së Shkupit nën sundimin turk më 6 janar të vitit 1391, sipas studiuesve bullgarë, ndërsa për studiuesit shqiptar Shkupi u pushtua nga ushtria osmane kah fundi i vitit 1391 dhe fillimi i vitit 1392 (më 6 janar 1392).[1]

Në këto rrethana të reja politike u ndryshua në tërësi struktura e popullsisë shqiptare, duke u asimiluar për turq ku shihet te defterët për regjistrim. Në këto dokumente turke për afërsisht deri vitin1455, Shkupi dukej kështu: me 511 familje myslimane dhe 339 familje të krishterë.[2] ku shumica nga këta familje ishin shqiptarë të krishterë, katolikë apo ortodoks. (V.Xh).

Rreth vitit 1440 në Provincën e Maqedonisë së sotme dhe në disa krahina të Shqipërisë u zbatua krejtësisht sistemi timar-spahillëk[3] Në Shqipëri nuk ngeci asnjë lagje qyteti apo fshati pa u përfshi në njërin nga tri llojet e sundimit feudal:-has, ziamet, ose timar. Në gjysmën e dytë të shekullit XVI nga Pasha-sanxhaku u ndanë dhe u formuan edhe dy sanxhaqe të veçuara i Selanikut dhe i Shkupit. Në kuadër të Sanxhakut të Shkupit u bashkuan nahija e Tetovës, Kërçovës dhe Prilepit.[4]Pushtimi i tokave të Shqipërisë, fillon nga Shkupi, thotë studiuesi gjerman Peter Batrl, e cila u shoqërua me një rezistencë të fortë.[5]

Por shumë shpejtë pas rrënjës së Shqipërisë nën sundimin osman, fillon shtimi i pakënaqësisë duke u shoqërua me një varg kryengritjesh nga popullata shqiptare, duke filluar nga viti 1407 deri në vitet 1430 nën udhëheqjen e disa feudalëve në Shqipërinë e Mesme e të Jugut. Më i shquari ka qenë Gjon Kastrioti, ky e vazhdoi luftën kundër turqve duke pësuar katër disfata: më 1410, 1416, 1428, dhe 1430.[6]

Në vitin 1432 fillon Kryengritja në Shqipërinë e Mesme e udhëhequr nga Andrej Topija, e cila u shua me gjak nga ushtria osmane. Sipas studiuesve sllav, kjo kryengritje është shtrirë edhe në mesin e shqiptarëve të Maqedonisë së sotme Perëndimore, ku bënë pjesë edhe fusha e Pollogut, me qytetet Tetovë dhe Gostivar.[7] Pra rrethanat flasin se Shqipëria ishte tejet e pakënaqur me sundimin Osman. Në vitin 1440 Skënderbeu u emërua për drejtues (Sanxhakbej), të Dibër me rrethinë, ku pati mundësi të kontaktojë me popullsinë e kësaj ane dhe të shohë disponimin e popullatës shqiptare për një kryengritje të përgjithshme.[8]

REZISTENCA SHQIPTARE PARA SKËNDREBEUT

Kryengritjet e shqiptarëve që shpërthyen gjatë këtyre viteve në Shqipëri kur në këto troje sundonte babai i Skënderbeut. Pati disa suksese të principatave shqiptare të cilat pastaj u shtypën me një egërsirë të paparë nga turqit. Këto veprime barbare lanë te Skënderbeu një zemërim të thellë shpirtëror, me plotë trauma psikologjike, duke filluar nga moshat e reja të popullatës shqiptare e në veçanti në familjen e Kastriotëve e posaçërisht në vetë Gjergj Kastriotin-Skënderbeun. (V.Xh).

Në këto rrethana tejet të vështira kryengritëse e në veçanti feudalët shqiptarë nuk mund të duronin sundimin e vrazhdë turk, kërkonin nga familja e Kastriotëve që të dërgonin njerëz të besueshëm te Skënderbeu në Adrianopojë, duke e ftuar që të kthehej në Shqipëri për vazhdimin e luftës kryengritëse për çlirim nga zgjedha turke e tërë Shqipërisë ata kërkonin bashkimin e principatave feudale në një shtet të përbashkët me një mbret trashëgues.

Sipas disa burimeve më të reja italiane Skënderbeu ka qenë në Shqipëri para vitit 1440, menjëherë pas vdekjes së babait 1437-1440. Gjatë kësaj periudhe si duket sulltani e shton dyshimin në veprimin e Skënderbeut, për çlirimin dhe shkëputjen e Shqipërisë nga Turqia. Prandaj sulltani jep urdhër për emërim të rri, që Skënderbeu të largohet nga Shqipëria dhe të emërohet për Sanxhakbej në Nikopol, krahinë në Bullgari, që ishte më afër Edrenes dhe vetë sulltanit. Kjo argumentohet edhe në veprimtarinë diplomatike, të shtuar të Skënderbeut. Pasi ky kishte filluar ti shpeshtojë edhe kontaktet interno me Venedikun, Raguzën etj. Skënderbeu u përpoq të afrohej edhe me Napolin. Këtë veprimtari të dendur diplomatike e ka shënuar kronisti italian Donado da Lece.[9]

Në bazë të këtyre të dhënave më të reja historiografike, kontaktet e Skënderbeut kishin filluar para se ai të kthehej në Shqipëri në vitin 1443, duke i bërë të ditur fshehurazi mbretit Alfons: “se ishte dëshira e tij ta çlironte Shqipërinë kundër turqve”. Pra, Skënderbeu e kishte përgatitur trenin kundër turqve dhe priste momentin e volitshëm për të kaluar në Shqipëri. Ky rast u paraqitë pas betejës së Nishit më 1443.

Në anë tjetër edhe papa Eugjeni i IV ishte shumë i interesuar për një kryengritje të përgjithshme në Shqipëri, se ai tani më ishte i bindur se me shqiptarët dhe Skënderbeun që kishte përsosur në piedestal, artin ushtarak në Turqi do ta kishte më lehtë të vepronte. Skënderbeu tani më ishte njohës më i mirë i operacioneve luftarake të ushtrisë së sulltanit, pasi ishte shkolluar së bashku me Mehmetin, dhe kishte marrë pjesë në shumë beteja, ku ishte treguar më i mire dhe më i aftë se ai.

Pra Evropa, vetëm te Skënderbeu dhe heroizmi i tij kishte shpresë. Ajo ndante mendimin se vetëm me heroizmin e shqiptarëve dhe komandantit të saj të spikatur Skënderbeut do ta ndalonte depërtimin osman kah Italia dhe Evropa Qendrore. Prandaj Eugjeni i IV mbante lidhje intensive me peshkopët katolikë në të gjitha qytetet e Shqipërisë dhe me bujarët shqiptarë, në veçanti me Gjergj Arianitin, por edhe me Skënderbeun.

BETEJA E NISHIT

Në vitin 1443 kemi betejën e Nishit. Pas betejës, Skënderbeu me 300 luftëtarë pas shtatë ditë rrugëtimi arriti në Dibër më 11 nëntor, kah Fushë Kosova, Prishtina, Prizreni, arriti në Dibër. Aty mbajti një konsultim me parinë e Dibrës, prej kah vazhdoi rrugën për në Krujë. Kjo marrëveshje u bë më 13 nëntor 1443.[10]

Historiografia serbe pranon kur thotë se prej kësaj date fillon Pavarësia e Shqipërisë mesjetare dhe periudha më heroike e popullit Shqiptar.[11] Politika serbe e pranon Skënderbeun si komandant, por shton se ushtria e tij përbëhej nga popullata serbe, e cila në atë kohë, “e kishte vërshuar Shqipërinë nga të gjitha anët”. Ndërsa për betejën e Nishit më 1443 nuk i përmendë fare hungarezët dhe Janosh Huniadin. Por potencon: “këtë betejë e fituan serbët”. Ata shqiptarët i trajton si të tyre.[12]

Pas marrjes së Krujës, ushtria e Skënderbeut për një muaj çliroi tërë territorin që mbante dikur nën kontrollin e vetë babai i tij Gjoni. Duke u zgjeruar nga Dibra, Gostivari, deri në Tetovë. Pasi edhe nëna e tij Vojsava ishte nga i trialëve të Pollogut.[13] Më konkretisht, nga qyteti i vjetër Ilir i ashtuquajtur Draudrakum, që nga Mesjeta e Hershme, që sot njihet me emrin Gradec.[14] Pra, territori i shtetit të Skënderbeut shtrihej në ato kufij që posedonte dikur babai i tij. Por i zgjeruar me një marrëveshje tregtaro-doganore që lidhi Princ Gjoni më 1426 me Republikën e Raguzës, të cilën e ka nënshkruar në emrin e vetë dhe të djemve të tij. Kufijtë e këtyre zotërimeve përcaktoheshin prej Shufadaje në jugë të Lezhës, e Rodonit në bregdet, deri në Prizren. Nga ana tjetër në zotërimet Gjonit, bënte pjesë edhe Krahina e Rekës mbi Mavrovë në Verilindje të Dibrës, që kufizohej me Gostivar e Tetovë. Pra këto territore ishin të bashkuara deri në vdekje të Gjonit, që përafërsisht ka vdekur në mes viteve 1437-1440.[15] Kjo datë e vdekjes së babait të Skënderbeut sipas historiografisë shqiptare mund të merret si e saktë, pasi babai i Skënderbeut në bazë të burimeve më të reja shkencore ka vdekur më vitin 1437.[16]

Pra këto territore Skënderbeu do të tentojë ti rruaj nga inkursionet turke në Maqedoni duke filluar nga gryka e Dervenit që lidhë Shkupin me Tetovën deri në Liqenin e Ohrit, duke përfshi këto qytete: Tetovën, Gostivarin, Kërçovën, Strugën me rrethinën e Ohrit.[17]

Pas mbajtjes të Kuvendit Kombëtar në Lezhë ku për herë të parë u bashkuan shqiptarët në historinë tyre. Në këtë Kuvend historik u krijua Shqipëria feudale. E njohur në historiografinë moderne si Shtet Mesjetar i Shqipërisë dhe Popullit Shqiptarë. Kuvendi Shpalli Skënderbeun për Kryetar të saj. Që njëherrit i takuan edhe ingerencat e Komandantit të Parë të Ushtrisë së Parë Shqiptare. Ky si Komandant i Përgjithshëm” mori titullin ”Kapiten i Përgjithshëm” (Capitaneus Generalis).

Sulltan Mehmeti me sulmin e pestë arriti ta pushtojë Stambollin më 29 maj 1453. Por dëshironte ta ripushtojë përsëri Shqipërinë e Skënderbeut. Poashtu në anën tjetër sulltani vendosi të dërgojë në Shqipëri Ibrahim Beun që të hakmerrej për disfatën e rëndë që kishin pësuar Dalip e Hamza Pasha një vit më parë në betejën e Modriçës më 21 korrik 1452, ku u zu rob vetë Hamzaj nga Mojsi Golemi, me një pjesë të ushtrisë me shtabin e tij, ndërsa pjesa tjetër e ushtrisë u vu në ikje. Ndërsa lufta vazhdonte, Skënderbeu në një manovrim të të shpejtë ushtarak me Mojsi Golemin për dy orë arritën në fushë betejë të re në vendin e ashtuquajtur Meçad, ku arritën të rrethojnë ushtrinë e Dalip Pashës e cila numëronte mbi 15 mijë ushtarë. Në këtë betejë të përgjakur u vra edhe vetë Dalip Pasha.[18] Sipas kronistëve të kohës në këto dy beteja u vranë më shumë se 7000 ushtarë turq dhe u kapë një material shumë i madh luftarak. Ndërsa ushtria shqiptare humbi përafërsisht një mijë luftëtarë dhe pati shumë të plagosur.

BETEJA E PARË NË FUSHËN POLLOGUT

Fusha e Pollogut shtrihet në Perëndim të Shkupit dhe lidhet me rrugë në këto drejtime: Prizren-Tetovë-Shkup dhe rrugën e vjetër Durrës-Ohër-Kërçovë-Gostivar-Tetovë-Shkup.[19] Por rruga që çon: Shkup-Gostivar-Dibër, kjo rrugë që kalon rrëzë Malit të Thatë mbi Grykën e Dervenit, duke u lidhur me Gostivarin e ka shfrytëzuar shpeshherë edhe Leka i Madh siç e quanin turqit Skënderbeun.[20] Me ardhjen e turqve ata e riparuan këtë rrugë për lëvizje të tyre. Për këtë arsye më vonë nga popullata e kësaj ane u pagëzua Stamboll-Xhade.[21]

Ushtria turke e udhëhequr nga komandanti Ibrahim beu u nisë me 14 mijë ushtarë në derejtim të Shkupit, për të hyrë në Pollog, kah Gryka e Dërvendit, më 22 prill 1453 erdhi deri te beteja e njohur në historinë tonë kombëtare, e njohur beteja e Pollogut.

Për këtë betejë të zhvilluar në fushën e Pollogut, na jep një përshkrim të hollësishëm për shtrirjen e Pollogut dhe kufizimin e saj. Marin Barleti në mënyrë të hollësishme e përshkruan fushën e Pollogut me rrethinë duke e cituar se ajo rrethohet me male rreth e përqark të ashtuquajtura “male të Pollogut.[22] Sipas Barletit turqit para se të vendoseshin në fushën e Pollogut më 22 prill kaluan qytetin e Shkupit qytet të turqve të ashtuquajtur-Shkup.[23]

Por me keq ardhje konstatojmë se edhe studiuesit shqiptarë në studimet e veta Shkupin e përmendin si qytet të turqve. Por në këtë rast është e patjetërsueshme të theksohet se në statistikat turke kanë qenë të punësuar ekspert që dinin të favorizonin vetëm popullin turk dhe Perandorinë Osmane. Prandaj edhe statistikat turke flasin në favor të politikës së asaj kohe, “se popullata që banonte në qytetin e Shkupit në vitin 1455 ishte në përpjesëtim 2/1, me myslimanë”. Sipas dokumenteve dhe defterëve del se nga këta: 516 familje ishin turke, ndërsa të krishterë 339 familje, nga këta shqiptarë të krishterë, dhe një pjesë e vogël e sllavëve e të tjerëve.[24]

Beteja e parë e Pollogut u zhvillua midis Gostivarit dhe Tetovës, në anën e Malit të Thatë pranë fshatit Tenovë. Sipas Nolit beteja e Pollogut u zhvillua në afërsi të Tetovës.[25]

Ushtria turke pasi e kaloi grykën e Dervenit u vendosë rrëzë malit të Thatë në vijën Merrovë-Stërmnicë-mbi fshatin Zhelinë në drejtim të fshatit Çellopek. Në këtë betejë me ushtrinë turke fitoi Skënderbeu me një taktikë tejet të përsosur ushtarake edhe pse ushtria turke ishte shumë më e madhe.

Skënderbeu së bashku me Mojsi Golemin arritën në fushën e Pollogut në një kohë shumë të vështirë klimatike. Gjatë rrugës filloi një shij shumë i fuqishëm. Por Komandanti i Përgjithshëm shqiptar Skënderbeu dha urdhër që edhe në ato kushte të vështira të marshohet nga Gostivari, nëpër fushën e Pollogut duke iu afruar malit të Thatë, më konkretisht Skënderbeu zuri pozicione në vijën midis Çegranit dhe fshatit Vollkovi, me pjesën më të madhe të ushtrisë u vendosë në hapësirën midis fshatrave Tenovë –Radiovcë, përgjatë rrjedhës së lumit Vardar. Në këto kushte me shi pas një pushimi që bëri ushtria turke, Ibrahim pasha dha urdhër që të marshohet nëpër fushën e Pollogut, në drejtim të Mokrës për në Dibër.

Në këto rrethana tejet të papritura, kur Ibrahim pasha fare nuk e priste këtë sulm, Skënderbeu e sulmoi ushtrinë turke në formë harku, kur Ibrahim pasha fare nuk priste këtë sulm se mundë të sulmohej në fushën e Pollogut.[26]

Ushtria turke e ndryshoi drejtimin në vend që të niset kah Gostivari për në Dibër filloi të shkapërderdhet dhe të prapëset ka Gryka e Dervenit në drejtim të Shkupit. Kjo grykë mbaron deri para dyerve të Shkupit dhe është tejet e përshtatur për sulme nga të dy anët e rrugës. Në këtë betejë ushtria turke pësoi një disfatë të rëndë, duke lënë një numër të madh ushtarësh në këtë fushë betejë, që sipas kronistëve të kohës kalonte numrin mbi 3000 ushtarë të vrarë dhe shumë të plagosur.[27] Në këtë betejë u vra edhe vetë Ibrahim pasha. Meritor për suksesin e madh të kësaj beteje padyshim është edhe Mojsi Golemi. Pas kësaj beteje të shkëlqyer në Pollog, Skënderbeu u kthye në Krujë ku i vazhdoi bisedimet diplomatike me disa shtete të Evropës si mbret i Shqipërisë mesjetare, midis Ballkanit. (V.Xh).

Pozitën e pavarur të banorëve të Pollogut e verifikojnë edhe këto të dhëna të regjistrave kadastralë osmanë të shek. XV-të, dëshmojnë mirë se Vilajeti i Kallkandelenit ka qenë jashtë kontrollit osman dhe se ai zotërohej nga luftëtarët shqiptarë të udhëhequr nga Skënderbeu. Gjatë shekullit XV, me përjashtim të kështjellës Sobri, që ishte në krahinën e Dervenit, në vilajetin e Kallkandelenit nuk ka pasur kështjellë. Mungesa e një kështjelle ku mund të strehoheshin e të mbroheshin përfaqësuesit e administratës osmane, si dhe rrethimi prej malesh të larta i vilajetit të Kallkandelenit, i ka bërë të paefektshme përpjekjet e forcave osmane për të vendosur pushtetin e tyre në këtë rajon dhe ka favorizuar shumë luftëtarët e Skënderbeut që ta zotëronin atë pa shumë vështirësi.

Për të dobësuar qëndresën e banorëve të Vilajetit të Kallkandelenit (Tetovës) sulltan Mehmeti II vendosi këtu në funksione të rëndësishme administrative pinjollë të familjeve fisnike shqiptare.

Në krye të vilajetit të Kallkandelenit, (Tetova e sotme), si Subash të tij, Sulltan Mehmeti II, caktoi në vitin 1455 Hasan bej Zenebishin.[28] Por ky nuk e ushtroi këtë detyrë. Në timarin (hasin) e tij dhe në fshatrat që e formonin atë, ku përfshihej edhe Tetova, nuk është bërë asnjë shënim i mëvonshëm për zëvendësimin e tij nga persona të tjerë apo për dhënien atyre të ndonjë fshati që ishte përfshirë në timarin e tij. Po kështu janë pa shënime edhe afër 40 timare të tjera, që përbënin thuajse dy të tretën e timareve të vilajetit.[29] Asnjë prej spahinjve të këtyre timareve nuk ka lënë shënime të veta për vilajetin e Tetovës, nuk është shënuar as në regjistrin e vitit 1467/1468 [1469] si zotërues timaresh. Kjo dëshmon, se kjo trevë ishte jashtë kontrollit të pushtetit Osman.[30]

Mehmeti i II pasi arrin ta pushton Kështjellën e fundit të Perandorisë së Bizantit Kostadinopolin, (duke i ndërruar emrin në Islamboll (Islam të bindur-shumë), që sot, njihet me të nijetin emër. Pushtimi i Konstadinopolit nga Sulltan Mehmeti, u futi frikën shteteve evropiane e në veçanti Venedikut dhe mbretit të Napolit, të cilët të vetmin shpëtim e shihnin vetëm te Mbreti i Shqiptarëve-që ata e pagëzuan; “Rexs Albania”.

Këta shtete të Evropës mesjetare dërgonin konsujt e vetë te Mbreti shqiptar për ti dhënë përkrahje diplomatike, ushtarake dhe materiale, duke i premtuar ndihma të mëdha financiare. Pasi vetëm në udhëheqësin e shqiptarëve ishin të bindur se mundë të mbrojnë Evropën nga invazioni osman.

Skënderbeu në këto rrethana të favorshme diplomatike për Shqipërinë vendosi të rimëkëmbte vendin pas luftërave të gjata që pati me Sulltanin. Skënderbeu me ndihmën e shteteve evropiane së pari vendosi të sanonte fortifikatat e shkatërruara nga luftërat me ushtritë turke. Së pari vendosi të rimëkëmbte dy qendrat e rrënuara: Svetigradin dhe Beratin. Me këto fortifikata dominuese në aspektin strategjiko-ushtarak, Skënderbeu ishte i bindur thellë se do të përgatitej më mirë mbrojtjen e vendit nga sulmet e ardhshme që do të pasonin. Për këtë arsye Skënderbeu i thirri në konsultim komandantët e vet. (këshillin komandues). Të cilët erdhën në përfundim që së pari të merret Berati e pastaj edhe Svetigradi. Ndërsa vetë Mojsi Golemi kërkoi që të shkojë në kufij për të siguruar vendin nga ndonjë sulm i pa pritur nga ushtria turke.

Në këto rrethana kurrë Shqipëria identifikohej me Skënderbeun nga goja e Papës si shpëtimtar i tërë Krishtianizmit, papritmas u përhap lajmi se Mojsi Golemi ka tradhtuar Skënderbeun, Komandantin më të madh të shqiptarëve. Nga kjo tradhti Skënderbeu pësoi një disfatë të rëndë, ku humbi mbi 6000 bashkëluftëtarë, para dyerve të Beratit. Për këtë ngjarje të kobshme të komandantit më të besueshëm të Skënderbeut, Historiania ruse Smirnova do shkruaj: “Katastrofa e Beratit bani një jehonë të keqe për pozitën e Principatës Shqiptare dhe për autoritetin e Skënderbeut, shumë kush kujtoi se vepra e tij mbaroi”.[31]

Vitet 1455-1456 janë vite tejet të vështira të popullit shqiptar nën komandën e Skënderbeut në Shqipëri. Pas Mojsi Golemit edhe nipi i tij Gjergj Stres Balsha, u shiti turqve në tetor 1456 kalanë e Modriçës për 30 000 dukatë. Pas tij u largua nga Skënderbeu edhe Hamza Kastrioti bashkë me të shoqen e fëmijët.[32] Ishin këto goditje tejet të rënda për Skënderbeun që e tronditën shumë fortë komandën e tij, por ky kolos shqiptar kurrë nuk u thye, as kjo tradhti e madhe nga njerëzit më të afërt të tij nuk arritën të thyen moralin e lartë luftarak të shqiptarëve dhe të komandantit të tyre Skënderbeut.

Në këto çaste shumë të vështira për Komandantin shqiptar, e braktisën edhe diplomatët e huaj, të akredituar në zyrën politike pranë Skënderbeut në Krujë.[33] Këta diplomat filluan të humbin besimin në rezistencën e mëtutjeshme në luftërat e Skënderbeut kundër turqve. Por këtë vuajtje shpirtërore Skënderbeut e tejkaloi me një fitore të shkëlqyer kundër tradhtarit Mojsi Golemi, i cili nga Selaniku u nisë me 15 000 luftëtarë nga krahina e sotme e Maqedonisë për në Dibër. Beteja zhvillua më 18-20 maj 1456 në fushën e Oranikut, duke i shkathuar një disfatë katastrofale mbi 10 000 të vrarë, ndërsa vetë Mojsi Dibra, pas dy muajve iku nga Stambolli, pasi nuk mundë ti duronte fyerjet si shqiptar që i bënin turqit, u kthye përsëri në Shqipëri, ku Skënderbeu i madh ja fali jetën për tradhtinë e bërë.[34]

Në këto rrethana tejet të vështira politike në Shqipëri, kurrë shtetet e Evropës i kishin humbur shpresat për vetë mbrojtje. Papritmas në vitin 1456 kemi edhe një fitore nga Janosh Huniadi në Beograd, më 6 gusht 1456 Për fat të keq të botës së krishterë, pas këtyre betejave të shkëlqyera pas 7-8 ditëve papritmas vdes nga ethet Janosh Huniadi.[35]

Pas vdekjes së Huniadit 1456, “Skënderbeu ishte njeriu më i rëndësishëm midis Ballkanit që mbronte integritetin e shteteve të krishtera para forcave të ushtrisë turke”.[36]

Pushteti i Papës, para së gjithëve filloi të shoh në Skënderbeun figurën më të rëndësishme udhëheqëse të planifikuar për komandimin e luftërave të ushtrive të krishtera të Evropës, kundër Lindjes. Ky ishte shkaku që vetë Papa Kaliksi i III, këtë udhëheqës të të madh të shqiptarëve e pagëzoi “Atleta Christi”.[37]

Pas kthimit të Skënderbeut në vitin 1462 nga Napoli ku i siguroi Ferdinandit kurorën mbretërore. Skënderbeu atje themeloi edhe koloninë e parë shqiptare të udhëhequr nga Demetrie Pepesi.[38]

Me kthimin e Skënderbeut në Shqipëri dhe ekspedita e suksesshme e Skënderbeut në Itali 1461-62, Sulltan Mehmeti dërgoi tri ushtri për ta mposhtur Princin e Arbërve dhe Komandantin legjendar Skënderbeun. Ky gjatë vitit 1462 zhvilloi tri beteja tejet të rëndësishme kundër turqve.

E para: në drejtim të malit Mokra dërgoi Sinan Pashën, i cili u thye më 27 gusht 1462, po ashtu edhe krahu i majtë i kësaj ushtrie u thye pa arritur në Dibër, ndërsa Husein Beu u kap i gjallë.[39]

E Dyta: Pak ditë më vonë nga Kosova u nisë edhe Jusuf Beu me 18 000 ushtarë, por u thye në hyrje të Pollogut, pa arritur në Tetovë .[40] (është fjala për Shkupin që në atë kohë ende njihej si qendër e Dardanisë e pas betejës së Kosovës në vitin 1389, Shkupi bie nën sundimin e Perandorisë Osmane në vitin 1390. Pas Lidhjes së Prizrenit, Shkupi njihet edhe si qendër administrative e Vilajetit të Kosovës.

Sulltan Mehmeti i II, dërgoi edhe ushtrenë e III, në krye me Karaxha Beun i cili pa arritur në Dibër u thye shumë keq në shtator të vitit 1462 te beteja e Livadhit ( sot fshati Livadhi), afër Strugës. [41]

BETEJA E II E POLLOGUT

Kjo betejë u zhvillua në verë të vitit 1462.[42] Jusuf Beu kësaj radhe tentoi me një manovrim nga Shkupi të hy në Pollog, nga rruga e vjetër që lidhë Shkupin me Tetovën nëpërmes Grykës së Kaçanikut, për rreth lumit Vardar kah Kalaja e Orashes, që me pozitën e saj strategjik është pika më dominuese në hyrje në ngushticën e fushës së Pollogut, që nga populli i vendit quhet Kalaja e Skënderbeut.[43]

Komandanti i shquar shqiptar që në këtë kohë ishte shpallë mbrojtës i tërë krishterimit, nuk lejoi që ta mashtrojë një komandant nga Anadolli. Ky arriti ta ndaj ushtrinë e vetë në dy pjesë, duke sulmuar nga kalaja e Orashës (në afërsi të Tetovës) për rreth lumit Vardar, ndërsa me pjesën dërmuese të kalorësisë e sulmoi ushtrinë turke mbi urën e gurit në fshatin Zhelinë në drejtim të grykës së Dervenit. Ushtria e Jusuf Beut e habitur nga ky sulm i furishëm i komandantëve të Skënderbeut nuk pati kohë që të zënë pozicione për zhvillimin e luftës dhe filloi zmbrapsjen e pa kontrolluar, ajo u tërhoq përgjatë Grykës së Dervenit, ndërsa një pjesë e saj kah fshati Radushë që çon nëpër luginën e Vardarit për në Shkup, duke pësuar humbje katastrofale. Komanda turke tentoi në hyrje të Shkupit të bënë rezistencë ushtrisë shqiptare, por nuk pati sukses. Pozita strategjike e kësaj ngushtice e vulosi fatin e betejës në favor të ushtrisë shqiptare. Pasi kjo zonë me pozitën që ka nuk lejon përhapjen apo zhvillimin e operacioneve luftarake dhe përdorimin e armatimit të rëndë, deri në hyrje të Shkupit. Këtë epërsi gjeostrategjike, komandantët e spikatur të ushtrisë sonë kombëtare të udhëhequr nga vetë Skënderbeu arritën ta shfrytëzonin me përpikëri deri para dyerve të Shkupit, duke i sjellë një disfatë të rëndë ushtrisë turke e cila nga fusha e Pollogut deri në hyrje të Shkupit la mbi 2 000 të vrarë dhe disa qindra të plagosur.[44]

Kjo betejë e shkëlqyer e Skënderbeut në Pollog duke i dëbuar turqit deri para dyerve të Shkupit i dha popullatës shqiptare kudo që ishte shpresën e çlirimit nga sunduesit turq të Anadollit.

Sulltan Mehmeti i dëshpëruar nga disfata e Pollogut, me të shpejtë nisi një ekspeditë tjetër ushtarake me një ushtri edhe më të madhe drejtë Shqipërisë nën komandën e Karaxha Beut, shqiptarët të vendosur si çdo herë për të mbrojtur çdo pëllëmbë tokë i dolën përpara te fusha e Livadhit (Livadhia-fshat), duke i shkaktuar një disfatë të rëndë. Pra këtë vit kalendarik kurr mbushen 545 vite të fitores së Pollogut, Dibrës dhe të Betejës së Livadhisë. Me plotë krenari këto fitore i përkujton: Tetova, Dibra, Gostivari, Struga, e në veçanti Livadhia. Pra këto fitore janë të tërë popullit shqiptar, të udhëhequr nga prijësi i ynë legjendar Skënderbeu. I cili në ato kushte të ngritjes së vetëdijes kombëtare arriti të themelon shtetin feudal shqiptar, duke i bashkuar për herë të parë shqiptarët nga të gjitha trojet etnike, nga Shkupi, Berati, Shkodra deri në Ulqin. (V.Xh)

Këto suksese luftarake në Shqipëri dhe fitorja e Skënderbeut në Napoli, ku arriti vetëm me 2500 ushtarë të mundë kundërshtarët e Ferdinandit, njëherrit mikut më të sinqertë të popullit shqiptar dhe të vetë Skënderbeut, erdhi deri te forcimi i Aleancës Shqiptaro-Napolitane. Këto fitore e forcuan pozicionin diplomatik të Skënderbeut në arenën ndërkombëtare.

MARRËVESHJA SHQIPTARO-TURKE NË SHKUP 1463

Marrëveshja e Shkupit njihet në histori si një marrëveshje me rëndësi të madhe historike që u nënshkrua midis përfaqësuesve të Skënderbeut dhe Mehmetit të II në Shkup, kah fundi i prillit 1463.[45]

Kjo marrëveshje u nënshkrua me një afat dhjetë vjeçar. Kjo paqë u pranua si tejet tragjike për shtetet e Evropës e në veçanti nga vetë Papa Pio II, i cili ishte në atë kohë edhe nismëtar i luftërave të Kryqit, kundër Gjysmë Hanës. Skënderbeu më këtë aleancë të lidhur në Shkup, bëri një çmenduri në politiken e Papës e në veçanti në diplomacinë e jashtme të Venedikut. E cila disa vite me radhë nxiste Turqinë në luftë kundër Skënderbeut. Politika e jashtme e Venedikut vlerësohet si negative ndaj shtetit shqiptar mesjetar. Ajo kërkonte me çdo kusht të mbante nën hegjemoninë e vetë, sferat e interesit në tërë bregdetin shqiptar ku bënin pjesë edhe disa qytete të rëndësishme në zonën bregdetare. Paqa e Shkupit sipas historianëve të kohës është një e arritur fenomenale e diplomacisë së Skënderbeut në ato kondita. Pasi shteti shqiptar arriti në piedestal, në forcimin e politikës së vendit në analet diplomatike Evropiane. Që sipas analistëve të kohës, lidhja e kësaj marrëveshje në Shkup cilsohet si një fitore e shkëlqyer e diplomacisë Skënde begiane, kundër një politike shterpe (e shpeshherë poltroniste), që mbante deri në atë kohë Republika e Shën-Markut. (V.Xh).

Në këto rrethana të reja në Ballkan Shqipëria u bë vend meritor për forcat e shteteve Evropiane. Tani Venediku për herë të parë kërkoi në vitin 1463 prishjen e traktatit të Shkupit, duke kërkuar publikisht që të lidhë aleancë me Shqipërinë dhe të ndihmojë ushtarakisht ushtrinë shqiptare të Skënderbeut, duke i ofruar mbi 1000 ushtarë dhe 5000 dukat, për luftën që do të pasonte.[46]

Historiania ruse Smirnova, thotë:me këtë aleancë defakto Venediku ka pranuar Shqipërinë si shtet të pavarur në krye me Skënderbeun. Ajo në punimin e vetë Histori e shkurtë e Shqipërisë pranon: se morrita kryesore për goditjen dhe qëndresën e që iu ba Perandorisë otomane janë shqiptarët, të cilët me heroizmin e tyre e ndalën depërtimin e saj kah Evropa e cila asokohe ishte në lulëzimin e saj të plotë në Evropën Juglindore, Pra duhet përmendur përveç shqiptarëve që bënë qëndresën më të fortë. Aty hynë edhe Sllavët e Jugut dhe populli Hungarezë”.[47]

Historiografia gjermane për Skënderbeun thotë: se emri i Skënderbeut do të jetë simbol i rezistencës për brezat shqiptarë. Emri i Skënderbeut do të jetë në shfrytëzimin e kujtesës për bashkim të gjithë shqiptarëve. Ky personalitet i ynë kombëtar do të jetë personifikim edhe gjatë Rilindjes sonë kombëtare deri në shpalljen e pavarësisë.

Lufta e Skënderbeut dhe bashkimi i popullit shqiptar në kohën e tij, do të shërbejë si fondament i frymëzimit edhe te krerët e Lëvizjes sonë Kombëtare, duke filluar nga Lidhja e Parë e Prizrenit e deri më sot. Ata thirrën heroin që të vendosej së bashku me ta në llogoret e luftës nacionalçlirimtare që të frymëzonte në çdo hap me flamurin kuq e zi, me trimërinë e pashoq në artin ushtarak dhe urtësinë e tij. Skënderbeu shpirtërisht gjithmonë mbeti i gjallë midis rinisë shqiptare, duke e thirrur të shërbej brez pas brezi në heroizmin e tij. Ky kolos i historisë sonë kombëtare do të shkëlqej gjithmonë me shkronja të arta: simbol i rezistencës kombëtare për pasardhësit e tij, në luftë për çlirim nacional dhe bashkim kombëtar.

LITERATURA HISTORIKE

1. Jahja Drançolli Shteti Mesjetar i Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Pejë, 2001.

2. Ali Vishko, Nahija e Gostivarit në gjysmën e dytë të shekullit XIX, “Jehona”, nr.8-9, Shkup.

3. Iliri i Albanci, (nauçni skupovi) libri i 10, Beograd, 1988.

4. Vasil Kn~ov, Izabrani Proizvedenija, Tom II, Sofija, 1970.

5. Qerim Dalipi, Inkursionet osmane në trevat shqiptare deri më 1402, Kërçovë, 2002.

6. Tetovo i tetovsko niz istorijata, I,Tetovë,1982.

7. Istorija na makedonskiot narod, Shkup. 1969.

8. Historia popullit Maqedonas, Shkup, 1983.

9. Peter Batrl, Albanien, Regensburg, 1995, (Përkthyer nga gjermanishtja 10. Lubinka Milenkoviq, botuar në Beograd në vitin 2001).

11. Historia e popullit shqiptarë, I, Prishtinë, 1969.

12. Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë, vëllimi i II, Tiranë, 1962.

13. Vladana |or\evi~a, Arnauti i Velike sile, Beograd, 1913.

14. Vebi Xhemaili, Pushtimet e para serbe në Pollog, “Flaka”, më 16-19 mars 1993.

15. Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe lufta shqiptaro-turke e she. XV, Tiranë, 1967; Studime për Skënderbeun II, Tiranë 1989.

16. Muzafer Bislimi, Borbite na Skenderbeg so osmanlite so poseben osfrt na Makedonija, Shkup, 2001.

17. Marin Barleti, Historia e jetës dhe e veprave të Skënderbeut,Tiranë, 1964.

18. Fan Noli, Historia e Skënderbeut, Prishtinë, 1968; Fan Noli, Historia e Skënderbeut, Boston 1950, f. 18.

19. Masar Kodra, Historia e Diplomacisë shqiptare, (vep. në dorëshkrim).

20. Arsh-Senkieviç-Smirnova, Histori e shkurtë e Shqipërisë, Prishtinë, 1967.

21. Mahmut Hysa, Shqiptarët e Maqedonisë, Shkup, 1994.

Abas Ermenji, Albania, Romë, 1968.

23. Joseph Hameer, Historija Turskog Osmanskog carstva, Zagreb, 1979.

Tetovë 2.mars 2021

 

[1] Qerim Dalipi, Inkursionet Osamane në trevat shqiptare deri më 1402, Kërçovë 2002, f.155-156.

[2] Istorija na makedonskiot narod, Shkup. 1969. f. 235.

[3] Historia popullit Maqedonas, Shkup, 1983, f. 62.

[4] Historia e popullit maqedonas, vep e cit. f. 59.

[5] Peter Batrl, Albanien, Regensburg, 1995, (Përkthyer nga gjermanishtja Lubinka Milenkoviq, botuar në Beograd në vitin 2001), f.39.

[6] Fan Noli, Historia e Skënderbeut, Boston 1950, f. 18.

[7] Historia e popullit maqedonas, vep. e përmendur, f. 90.

[8] Historia e popullit shqiptarë, I, Prishtinë, 1969, 251; Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë, vëlimi i II, Tiranë, 1962, f. 263-266.

[9] Gjergj Kastrioti Skënderbeu, vep. e cit. f.40.

[10] Kasam Biçoku, referat i tij në simpoziumin e Shkupit, Shkup, 2005.

[11] Vladana |orgjevi~a, Arnauti i Velike Sile, Beograd, 1913, f. 37.

[12] Po aty,

[13] Vladana |jergjevi~, vep. e cit…f.39.

[14] Vebi Xhemaili, Pushtimet e para serbe në Pollog, “Flaka”, më 16-19 mars 1993.

[15] Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe lufta shqiptaro-turke e she. XV, Tiranë, 1967, f.22.

[16] Studime për Skenderbeun II, Tiranë 1989, f.265; f.265;Gjergj Kastrioti Skenderbeu, vep. e cit. f. 39.

[17] Muzafer Bislimi, Borbite na Skenderbeg so Osmanlite so poseben osfrt na Makedonija, Shkup, 2001, f.82.

[18] Muzafer Bislimi, Borbite na Skenderbeg so Osmanlite so poseben osvrt na Makedonija, vep. e cit. f. 127.

[19] Vasil Kn~ov, Izabrani Proizvedenija, Tom II, Sofija, 1970, f.105.

[20] Iliri i Albanci, (nauçni skupovi), libri i 10, Beograd, 1988, f. 337.

[21]Sipas të dhënave të fshatarëve të Tenovës, të mbledhura naga nga vetë autori).

[22] Marin Barleti, Historia e jetës dhe e veprave të Skënderbeut,Tiranë, 1964, f. 302.

[23] Muzafer Bislimi, Borbite na Skenderbeg so osmanlite…f.129.

[24] Arkivi i Shkupit, shih defteret e regjistrimit që ruhen ë arkivin e Shkupit.

[25] Fan Noli Historia e Shqipërisë, f.296.

[26] Gjergj Kastrioti Skënderbeu…vep. e cit. f.70.

[27] Historia e Shqipërisë, f. 296.

[28]H. Šabanovic, Krajište Isa-bega, 85.

[29]Po aty, 18-19, 72-78, 81-84, 96.

[30] Kasam Biçoku, kumtesë e lexuar në Akademinë e Shkencës në Shkup, 2005.

[31] Arsh-Senkieviç-Smirnova, Histori e shkurtë e Shqipërisë, Prishtinë, 1967, f.29.

[32] Mahmut Hysa, Shqiptarët e Maqedonisë, Shkup,1994, f.112.

[33] Jahja Drançolli, Shteti Mesjetar i Gjergj Kastriotit –Skënderbeut, Pejë, 2001, f.134.

[34] Arsh-Senkeviç-Smirnova, histori e shkutrë e Shqipërisë, vep. e cit. f. 29; Muzafer Bislimi, Borbite na Skenderbeg…vep. e cit. f.136.

[35] Vladana Gjorgjeviç, vep e përmend. f. 11-12.

[36] Peter Bartl, Albanien, vep. e cit. f. 44.

[37] Po aty, f. 45.

[38] Po aty.

[39] Abas Ermenji, Albania, Romë, 1968, f. 72.

[40] Mahmut Hysa, Shqiptarët e Maqedonisë, vep. e cit. f. 113; Gjergj Kastrioti Skënderbeu, vep. e cit. f.81.

[41] Gjergj Kastrioti Skënderbeu, vep. e cit. f. 81.

[42] Historia e popullit shqiptar, (vëllimii parë), Prishtinë, f. 280.

[43] Vebi Xhemaili, shënime të mbledhura në teren nga vetë autori, Orashje, më prill të vitit 1986.

[44] M. Barleti Historia e jetës dhe veprave të Skënderbeut, vep. e cit. f. 421; Muzafer Bislimi, Borbite na Senderbeg…, vep. e cit. f.149.

[45] Jahja Drançolli, Shteti Mesjetar i Gjergj Kastriotit Skënderbeut, vep. e cit . f.166.

[46] Jahja Drançolli, po aty. f. 171.

[47] Arsh-Senkeviç-Smirnova, histori e shkurtë e Shqipërisë, vep. e cit. f.30.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat