Inatet politike do t’i kushtojnë shumë vendit!...

Opinione

Inatet politike do t’i kushtojnë shumë vendit!...

Nga: Dibran Demaku Më: 17 mars 2021 Në ora: 23:54
Dibran Demaku

Sipas raportimit të mediave, liderët e tri partive politike: të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, që kësaj radhe do të mbesin në opozitë, njëzëri kanë deklaruar se nuk do të votojnë zgjedhjen e presidentes së Kosovës, zonjën Osmani. Kjo do të thotë se partitë politike shqiptare do të vazhdojnë avazin e vjetër dhe si për inat nuk do të votojnë për presidente atë e cila e vetme ka marrë vota sa dyfishi i të tri partive politike në fjalë. Dhe liderët e tri partive të lartpërmendura kanë sy e faqe të deklarojnë se ata janë për një president apo presidente jashtë partiake e jo për atë që i ka mundur dhe siç thuhet në popull i ka koritur këta tre burra apo „burreca të fortë“, dy prej tyre të zgjedhur rishtazi në krye të partive të tyre politike dhe njëri veteran apo president i “përjetshëm“ i partisë së tij!

Dhe këta liderë partiak na dalin edhe me deklarata duke thënë se nuk është mirë që i tërë pushteti të mbetët në duart e një partie (sikur kanë harruar se Kurti dhe Osmani i kanë fituar zgjedhjet si koalicion parazgjedhor dhe jo si anëtar të një partie! Ata në të vërtetë e dinë, por bëhen sikur nuk e dinë?!

Atë çfarë nuk e dinë këta „liderë“ është fakti se fituesit e zgjedhjeve do t‘i formojnë institucionet shtetërore me ta ose pa ta!

Vetëm se si gjithmonë deri më tani institucionet e shtetit do të formohen jo me votën plebishitare shqiptare, por me votat e minoriteteve! Dhe sipas pohimeve të mediave deputet e minoriteteve(edhe ata serbë)kanë premtuar se do të jenë në sallën e kuvendit dhe se di t‘i votojnë institucionet e reja të shtetit?!...(Ndërkaq partitë politike shqiptare sërish do të luajnë lojën e Maces dhe të Miut)!

Dhe këtë lojë partitë politike shqiptare (PDK, LDK dhe AAK)e bëjnë me qëllim të caktuar që nesër të zgjedhurit t‘i quajnë si të zgjedhurit e minoriteteve!

Apo mbase ia kthejnë “borxhin“ Lëvizjes Vetëvendosje për krejt atë që ajo ka bërë nëpër vite kur ishte në opozitë?!

Sido që të jetë as pas këtyre zgjedhjeve, pushtetarët e zgjedhur nuk do të kenë atë qetësinë e duhur për t‘u marrë me problemet jetike të qytetarëve dhe të vendit!

Dhe e tëra kjo,jo për tjetër vetëm për inate politike! Inatet politike do t‘i kushtojnë shumë vendit!...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat