Ruajtja dhe mbrojtja e identitetit tonë kombëtar, është amanet dhe detyrim intelektual, patriotik e atdhetar!

Opinione

Ruajtja dhe mbrojtja e identitetit tonë kombëtar, është amanet dhe detyrim intelektual, patriotik e atdhetar!

Nga: Mark Prenkaj Më: 18 mars 2021 Në ora: 16:52
Ilustrim

“Në qoftë se dëshironi ta njihni dhe ta doni atdheun tuaj, shkoni në dheun e huaj” thotë: Berne!

Gjeni e gjaku, toka e të parëve, gjuha, historia dhe Tradita janë amanetet tona të shenjta, të trashëguara brez pas brezi. E kanë ruajtur këtë identitet dhe këto vlera, stërgjyshërit tanë, nëpër shekujt e përgjakshëm të historive të padrejta, nga pushtues dhe agresor të njëpasnjëshëm mbi tokat e të parëve tanë Ilir e Arbëror!

Historia e jonë e lavdishme, e dhimbshme por krenare, i mbijetoi të gjitha këto padrejtësi dhe krime makabre e shfarosëse, duke u tkurrur e zvogëluar si në kilometra katrore, po ashtu edhe në numër popullsie!

Sot populli ynë i ndarë padrejtësisht në më shumë se pesë shtete, e i shkapërderdhur në të katër anët e globit, po provon të luftoj për korrigjimin e padrejtësive të pariparueshme, që iu shkaktuan nga fqinjët lakmitarë për grabitje e kolonizim të tokave tona, përvetësim të kulturës dhe traditws sonë, jo edhe pa mëkatin dhe bekimin e fuqive të mëdha gjatë historisë!

Sot vëllezërit tanë të gjakut në shtetet: Serbi, Mal të zi, Maqedoni të veriut e Greqi, që janë popull autokton në tokat e tyre qysh se është krijuar bota dhe popujt, nuk gëzojnë akoma të gjitha të drejtat e garantuara me ligjet ndërkombëtare, për liritë themelore për popujt dhe etnitë!

Këtu duhet të mos harrojmë për ata dhjetëra miliona pasardhës të gjakut arbërorë, të ikur në kohëra lufte, dëbime, këmbime popullsie, si në Turqi, Siri, Egjipt, Ukrainë, Rumuni, Bullgari e gjetiu. Sot në këto shtete, asimilimi e ka arritur pothuajse qëllimin e atyre që i shkaktuan ato lëvizje të detyruara me dhunë e luftëra! Si mundë t’ua shpjegojmë ne sot, miqve tanë evropian e botërorë, se në shtete brenda gadishullit ILIRIK - ballkanik, akoma nuk lejohet lirshëm përdorimi i abetares, gjuhës, flamurit!...

Shteti grek anëtar i bashkimit Evropian, e i ngritur mbi themelet e historisë, gjakut dhe heroizmit të vëllezërve tanë Arvanitë, sot nuk e njeh popullsinë autoktone Çame, gjuhën dhe kulturën, territorin, lejimin për kthim të të dëbuarve me ligj-lufte 1940, të drejtën për jetë të lirë...!

Nuk besoj të ketë një popull tjetër në rruzullin tokësor të i jenë bërë kaq shumë padrejtësi, nëpërkëmbje dhe barbari dhe gjenocid, deri në tentim për shfarosje! Prapë se prapë ne ditëm, dimë dhe përherë kemi dhënë prova, se dimë të tregojmë kulturë, bujari, fisnikëri e besë! Ne ditëm dhe dimë të bashkëjetojmë me fqinjët tanë pa i harruar kurrë plagët dhe vuajtjet që na i patëm dhe vazhdojmë t’i kemi falë tyre!

Ne i kemi dhënë botës dijetarë e prijës kolosal, si të penës edhe të trimërisë, shenjtorë, humanist e burrështetas të pashoq në gjithë universin! Sot breznitë e Kastriotit e të Gonxhës- Nanës Terezë, përditë po i pushtojnë majat e listave në kreun e kulturës, artit, shkencës, sportit, duke e dëshmuar gjenin dhe gjakun e pastër të trashëguar ARBËRORË- ILIR!

Kohët e fundit jemi dëshmitarë, të një vërshimi deri në përmbytje, të daljes nga shtrati i një kulture me synim të bastardimit të gjuhës, kulturës, besimit fetar, artit të të kënduarit, gazetarisë, krijimtarisë, kinematografisë ...!

Një rol të madh në këtë “lojë” të ligë po e luajnë edhe shumë media dhe mediume publike e private! Në programet e tyre jo të pakta, degradimi i gjuhës, sharjeve, fjalëve të pista dhe skenave të shëmtuara, shkojnë aq larg sa është e pamundur ta shikosh bashkë me familje, fëmijë e miq! Janë të përditshme serialet e huaja pa kokërr vlere arti e filozofie, nga kinematografia turke, që zgjasin me muaj e vite, që nga paslufta tani e njëzet vite! Filma dhe seriale me sulltanë e hyrije, me dinastitë dhe komeditë e aventurat e një kulture orientale osmane, turke që me të madhe dyshohet se “importohen” dhe sponsorizohen nga shteti ynë fqinj Serbia !...

Sikur nuk mjaftojnë të gjitha këto, tani kryeministri i shtetit shqiptarë Edi Rama bashkë me presidentin e shtetit turk Erdogan, nënshkruajnë marrëveshjen për futjen e gjuhës turke në sistemin arsimor shqiptar!

Me vendim të miratuar nga Këshilli i Ministrave, më 24 shkurt 2021 dhe botuar në Fletoren Zyrtare me 2 mars, parashikon që në sistemin arsimor shqiptar të hyjë dhe mësimi i gjuhës turke si lëndë me zgjedhje të lirë. Marrëveshje kjo e firmosur nga dy ministritë përkatëse të arsimit, ajo e shtetit shqiptar dhe turk.

Sistemi arsimor shqiptar lejon futjen si lëndë me zgjedhje të gjuhëve: anglisht, frëngjisht, spanjisht, si dhe greqisht për zonat e minoritetit grek. Ndërsa futja e gjuhës turke duket si pjesë e marrëveshjeve personale që Edi Rama e ka me presidentin turk Erdogan, që përditë e më shumë dëshmon rritje të ndikimit të Turqisë në Shqipëri.

Ajo çfarë i kapërcen kufijtë e një “vëllazërie” dhe miqësie ndërshtetërore është, kërkesa e të parit të shtetit turk Erdogan dhe “shenjtorëve” historian turq, për rishikimin dhe rishkrimin e historisë në tekstet mësimore shkollore! Heqjen e termeve ku fyhen ata si pushtues për hiq më pak se robërinë mbi 500 vjeçare në tokat Arbërore!

Në këtë marrëveshje dypalëshe, palët “bien dakord” për rishikimin e historisë sonë, që do të thotë se në vend se lidhur me këtë çështje të pyeten historianët tanë kompetentë dhe akademia e shkencës, këtë do e bëjë sipas qejfit Erdogani dhe Turqia pasardhëse e shtetit osmanli!

Ne si komunitet mërgimtarë në Kantonin e Bernës së Zvicrës, jemi të shqetësuar, prekur dhe mllefosur, me gjitha këto dukuri që po na shpërfaqen sikur në një ëndërr të keqe. Thonë se “ujku do mjegull”, ata të dikurshmit, mëkatarët, dashakeqët dhe profiterët, që në këto kohëra të vështira nëpër të cilat po kalojmë si popull, duan ti pastrojnë kusuret e historisë. Andaj e ngrisim zërin tonë, duke ju bërë thirrje institucioneve shtetërore dhe akademive tona kombëtare të shkencës dhe arteve që ta kryejnë detyrimin, rolin dhe punën shkencore në ruajtjen dhe mbrojtjen e identitetit tonë kombëtar, që është amanet dhe detyrim intelektual, patriotik e atdhetar!

Është koha që ne si shqiptarë, tani si kurrë më parë ta duam dhe ta mbështesim njëri tjetrin, pa dallim në cilën shtrirje gjeografike na është prerë fati të jetojmë. Vetëm duke e dashur dhe ndihmuar njëri tjetrin, ne do konsolidohemi, prosperohemi dhe forcohemi si komb! Vetëm kështu të bashkuar dhe unik në kërkesat, qëndrimet dhe ofertat tona karshi botës së qytetëruar, do na duan, vlerësojnë dhe trajtojnë edhe të tjerët!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat