Shok me Aleksandër Vuçiç dhe mik me Gjergj Lucën!

Opinione

Shok me Aleksandër Vuçiç dhe mik me Gjergj Lucën!

Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi Më 23 mars 2021 Në ora: 12:03
Aleksandar Vuçiç dhe Edi Rama

Të premten e shkuar nga Kukësi ai i dërgoi një mesazh presidentit serb Aleksandër Vuçiç! Në reagim të hartës së Kosovës mbuluar me flamurin e Serbisë, u shpreh saktësisht kështu: “Ai shoku në Beograd luan kukulla në Facebook”! Ia dërgoi mesazhin mikut të tij, president të Serbisë - "Bën çfarë të duash, ti je dhe do mbetesh miku im"! Faqen zyrtare të presidenti të Serbisë e thjeshtoi në "lojë kukullash në fb"! Nuk ka nevojë më shumë se kaq për të kuptuar lidhjen e ngushtë midis Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiç.

Në këmbim të kësaj miqësie të ngushtë, kreu i shtetit serb po lobon që Rama të marrë një mandat të tretë. Ndërhyri te presidenti Macron, ndaj sot kryeministri i Shqipërisë takon dhe drekon me presidentin francez. Fotografitë e tij në mediat trushplarëse do të bëjnë xhiron e radhës dhe injorantët, të paditurit, mediokrit gjithashtu do të mendojnë se "Edi Rama paska mbështetjen e Evropës"! Në fakt është e kundërta. Ai nuk ka kurrfarë mbështetjeje nga Evropa. Evropa i ka vënë atij 15 kushte që të hapen bisedimet për pranimin e Shqipërisë në BE. Po të donte ta mbështeste, presidenti francez do të votonte hapjen e bisedimeve me Shqipërinë, pavarësisht atyre 15 kushteve. Por ai ka qenë dhe do të jetë kundër kësaj, sa kohë është në krye të vendit Edi Rama. Pritja e sotme në Shën Elize është një çokë e koordinuar nga Aleksandër Vuçiç.

Por le të kthehemi te lidhja Rama-Vuçiç. Ku qëndrojnë rrënjët e miqësisë midis tyre? Ata janë njësoj. Ngjajnë në mashtrime, në intriga, në komplote, në gjeste dhe në artikulim. Ngjajnë në veprën e korrupsionit gjithashtu. Vuçiç është kapur kohët e fundit me presh në duar. Ministri i tij i Brendshëm, anti-shqiptari Aleksandër Vulin, është kapur me 200 mijë dollarë korrupsion. Ministri i Mbrojtjes i Serbisë është kapur në korrupsion së bashku me djalin dhe vëllain e presidentit të Serbisë. Ky ministër ka dëshmi, me të cilat i bën presion shefit të tij në Beograd. Po ashtu ish-ministri i Jashtëm, tani kryetar i Kuvendit serb, Ivica Daçiç. Po rezulton se të gjithë politikanët serb që janë marrë e merren me Kosovën dhe luftojnë ethshëm kundër saj janë njerëz të korruptuar në stafin dhe kabinetin e presidentit të Serbisë. Kosova shërben si alibi për aferat dhe pasurimin e tyre. Të gjithë këta kanë bashkëpunuar në një agjendë korrupsioni të paparë.

Pasqyra para disa ditësh ia shpjegoi të njëjtat simptoma edhe kryeministrit tonë. I tha se "je i korruptuar deri në grykë"! Se ti e katërfishove koston dhe çmimin e një kilometri rruge me qëllim që të ndash paratë me oligarkët, madje me oligarkë që falsifikojnë firmën e departamentit të shtetit amerikan. Pasqyra i tha se edhe vëllai yt është i përfshirë në korrupsion për llogarinë tënde. Diku nga viti 2015, tha pasqyra, ti kryeministër i kishe lënë vëllait tënd mbi 200 milionë dollarë për investime në Nju Jork. Pasqyra ia përmendi faktin se në vend të investoje për spitalet, paratë ia jep Vilma Nushit. Në vend të investoje për riparimin e pasojave të tërmetit dhe pandemisë, paratë ia çon në konto firmave fantazmë të receneratorëve. Të gjitha për një arsye të thjeshtë: Që të ndash paratë me këta oligarkë. Dhe e gjitha kjo ka një lidhje të ngushtë me Aleksandër Vuçiç. Kjo lidhje quhet linjë e pastrimit të parave të vjedhura e të grabitura kryesisht nga buxheti i shtetit shqiptar.

Ndërkaq Vuçiç, sipas mediave evropiane, është regjistruar në bisedime telefonike kompromentuese. E njëjta gjë ka ndodhur me mikun e tij në Tiranë, bisedat e të cilit janë publikuar në shkelje të ligjit për zgjedhjet e lira në Shqipëri. Nëse do të dilnin të gjitha aferat e kryeministrit të Shqipërisë, më e madhja do të ishte ajo e Xibrakës në Elbasan. Aty do të shiheshin jo vetëm lidhjet e vëllait të kryeministrit, por edhe roli i këtij të fundit dhe Gjergj Lucës në atë skandal të madh jo vetëm kombëtar. Kandidati për deputet i opozitës, Boçi, tha se nëse ai do të kishte në dorë telefonin e Gjergj Lucës, nuk do të bëheshin zgjedhje në Shqipëri. Sepse kreu i mazhorancës do të duhej dërguar prapa hekurave dhe që në këtë moment zgjedhjet do të ishin një formalitet.

Gjergj Luca është i njohur si fanatik i lidhjeve me Edi Ramën. Duhet pranuar se në këtë aspekt Luca është i sinqertë. Por marrja në mbrojtje e biznesmenit grabitqar Gjergj Luca nga ana e kryeministrit për të sulmuar një profesor universiteti dhe kandidat për deputet të opozitës, si Luçiano Boçi, është shumë kompromentuese për kreun e ekzekutivit shqiptar. Është kompromentuese, sepse do të dëshmonte jo vetëm lidhjet e dyshimta të tij me Serbinë dhe presidentin serb, por edhe ato me oligarkët dhe sipërmarrësit e mbështetur prej tij.

Kjo do të thotë se alternativa që Edi Rama u jep shqiptarëve është Aleksandër Vuçiç dhe biznesmeni Luca. Nuk besoj se ka shqiptar në këtë vend që pranon si alternativë këto dy modele, që personalizojnë edhe modelin Rama! Nuk besoj se ka shqiptar që beson se përkrahja e Vuçiç dhe Macron për Edi Ramën është në dobi të Shqipërisë, Kosovës dhe kombit shqiptar! Nuk besoj se dikush mendon që modeli i suksesit të grabitjes së pronave pa shpërblim nga Gjergj Luca është modeli më i mirë i qeverisjes në këtë vend!

Ngado që ta shohësh modelin që ofron Edi Rama, ai model rezulton të jetë i dështuar, pa bilanc, pa ofertë, pa shpresë. Madje armiqësor me interesat e Shqipërisë e të kombit shqiptar! Ndoshta do të ishte ndryshe nëse kryeministri i Shqipërisë do të pranonte dështimet e veta në qeverisjen e tij tetëvjeçare. Do të ishte ndryshe nëse ai do të tërhiqej nga miqësia e ngushtë dhe lidhjet e dyshimta me presidentin e Serbisë. Do të mundej që dikush ta besonte atë, nëse nuk do të merrte në mbrojtje oligarkët e tipit Gjergj Luca, nga të cilët ai ka përfituar pasuri e pushtet të vjedhur!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat