Asgjë nuk do të jetë si më parë

Opinione

Asgjë nuk do të jetë si më parë

Nga: Fadil Lepaja Më: 24 mars 2021 Në ora: 15:56
Fadil Lepaja

Asgjë nuk do të jetë si më parë, pat thënë dikush duke menduar në kohën pas luftës me COVID-19. Në politikë, pas “fenomenit” Trump, asgjë nuk do të jetë si më parë, po ashtu. Tronditja dhe reagimi ishin planetar. Kush nxjerr mësim do dal në breg, pasi të bjerë niveli i ujit.

Ndërkohë në lagjen tonë ballkanike, vetëm një vit më parë, presidenti serb nuk pranonte të kthehej në tavolinën e bisedimeve pa u hequr taksa dhe reciprociteti. Sivjet, nuk po e lutë askush. Nuk po e pyesin për asgjë. Ka mbetur jashtë vëmendjes dhe po pret thirrjen për bisedime. Por bisedimet nuk janë prioriteti i parë, i dytë, madje as i tretë i qeverisë së re kosovare. Janë vetëm prioriteti i katërt! Zyrtari i lartë evropian kur u kthye në Bruksel, nuk e përmendi fare presidentin serb as kushtet e tij, por u lavdërua se kishte arritur suksese në Prishtinë. Nga prioriteti i gjashtë, ai me angazhimin e tij kishte arritur që dialogun me Serbinë të e zhvendoste në vendin e katërt të listës së prioriteteve të qeverisë së re.

Serbët, në përgjithësi i kap ankthi kur nuk janë në qendër të vëmendjes botërore. E kanë nisur, thonë, një luftë botërore dhe kanë nxitur të dytën. Tash, shikuar realisht edhe beteja e Kosovës në shekullin e XIV, njëfarë luftë botërore ishte, sepse aq ishte bota atëherë. Nuk kishte as “Instagram”, as “Facebook”, as “Twitter”. Nuk kishte ...asgjë. Fjala nuk kishte peshë nëse nuk e flisje maje kali apo duke dhënë shpirte në betejë. Çudi si bëhej politika.

e kam fjalën për serbët politik, ata institucional. Përfaqësues tipik i kësaj mendësie duket të jetë vet presidenti i Serbisë. Miti i shtetit dhe udhëheqësit, i cili vazhdimisht krijon probleme ndërkombëtare dhe kështu faktorizon veten dhe vendin, vazhdon të jetë dominues. Sa më të mëdha problemet që ja krijojnë botës aq më shumë vëmendje merr ky lider dhe aq më i mëdh bëhet në projeksionin e epikes kolektive. E keqja e madhe e këtyre miteve qëndron te kundërthënia: është vështirë të bëhesh mit dhe të vazhdosh me postime në rrjete sociale. Të demitizojnë sa hap e mbyllë sytë. Mjafton veç një “cicërimë”. Apo edhe më keq, mund të postosh e të mos vihesh re.

Kështu, i ndodhi edhe presidentit serb. Ai zakonisht arrinte të jetë turbulent dhe turbullues. Kësaj radhe edhe pse e mbuloi, më saktë e qëndisi, hartën e Kosovës me flamur serb, edhe pse u përbetua në kryq nuk bëri punë. Edhe pse krejt këto i mbështolli me një trakt emocional për ngjarjet e marsit 2004, prapë se prapë vështirë se e vërejti kush. Edhe kush e vërejti, nuk e mori seriozisht. Kjo veç është ëndërr e keqe për një burrë shteti i cili mendon se ka mision historik të fitojë edhe betejën e humbur gjashtë apo shtatë shekuj më parë në Fushë të Kosovës. Ku e ka hallin ky njeri?

Kështu, një hartë e postuar në profilin privat në “Instagram”, nuk arriti të krijojë rrathë emocionesh në sipërfaqen tashmë të paqëtuar të politikës kosovare as asaj evropiane. Nuk arriti të tronditë as të alarmoj askënd. Për një politikan i cili pretendon të luaj “lojën e Nastradinit” me qendrën e botës, së paku botës së tij të vogël politike, kjo është e tmerrshme. Mediat ndërkombëtare, sidomos, nuk i dhanë publicitetin e pritur një harte të Kosovës të mbuluar me flamur serb. Evropa “e krishtere” nuk i vërejti as fjalët e pa thëna por të aluduara për kryqëzatat dhe Jerusalemin. Në kohën e debateve për hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, kjo po që kishte konotimet e veta. Merre me mend, mediat në Kosovë nuk e “vërejtën” këtë hartë, madje nuk e cilësuan as si provokim. Provoko, provoko dhe nga përdorimi shlyhet edhe aura e tmerrit që i mbështjell deklaratat e tij.

Kësaj radhe ka ndërruar situata. Emisarët nuk po udhëtojnë për në Beograd, për të rifilluar bisedimet. Të gjithë po merren me prioritetet. Nuk është se Kosova mundet të refuzoj pafundësisht të ulet në tavolinën e bisedimeve, por do të ulet kur të ketë vërtetë kuptim dhe mundësi që të përfitohet nga biseda. Për këtë duhen ndërruar rregullat e “lojës”. Vija e interesave, e skicuar nga trio Vucic, Rama, Thaci ishte skicuar përgjatë një dekade bisedimesh dhe duket stresuese për presidentin serb që tash të ndërroj pozicione, ndërkohë që për bashkëbisedues do të ketë dikë nga kundërshtarët e kësaj vije. Trojka kishte ndërruar pozicione në vitet e fundit të administratës Trump duke u afruar si një urë mes lindjes dhe perëndimit dhe duke ofruar edhe një baraspeshë të re rajonale në kuadër të këtyre marrëdhënieve të reja mes (super)fuqive. Ndryshimet në Uashington nuk u shkojnë më për shtati këtyre politikave dhe lojës me harta as tregtisë me territore.

Sido që të jetë, shpejtë do të shihet, si do të shkojnë Kosovarët në bisedime. Do të shkojnë duke kënduar apo zvarrë si e profetizojnë e mbase edhe dëshirojnë, disa kjo mbetet të shihet. Në bisedime do të shkohet gjithsesi sepse krejt kjo situatë mund të marr epilog vetëm me një marrëveshje qoftë histerike qoftë historike.

Shpejtë do të shihet edhe kapaciteti i Serbisë për të bllokuar dhe ndërruar kahe bisedimeve. Derisa presidenti merret me provokime virtuale, Kosova bënë mirë të merret me prioritetet e deklaruara të qeverisë së re. Kjo, mund të merret si fitorja e parë diplomatike e z. Kurti, përderisa ai e ka parasysh “forcën dhe fuqinë” e Kosovës në rajon. Edhe pse duket krejtësisht çështje e brendshme, fitorja e radhës mund të jetë zgjedhja e presidentes. Nuk është çështje (vetëm) e brendshme! Kosova ende nuk ka çështje të brendshme. A do të jetë vërtetë ndryshe kësaj radhe?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat