Negociatat për aderim në BE në bazë të rezultateve të skrining-procesit!

Opinione

Negociatat për aderim në BE në bazë të rezultateve të skrining-procesit!

Nga: Nijazi Halili Më: 30 mars 2021 Në ora: 12:24
Nijazi Halili


Kapitujt negociues hapen dhe mbyllen përkohësisht në konferencën ndërqeveritare e cila organizohet në pajtim me rrjedhjen dhe dinamikën e hapjes së kapitujve negociues dhe plotësimin e kritereve për hapjen ose mbylljen e tyre të përkohshme.

Negociatat për aderim në BE-në zhvillohen në bazë të pozitave negociuese të BE-së dhe të shtetit kandidat, të cilat përgatiten për çdo kapitull negociues në bazë të rezultateve të skrining-procesit. Këshilli i BE-së merr vendim për hapjen e negociatave në kapitullin e caktuar pasi që më parë është konfirmuar që janë realizuar të gjitha parakushtet për hapjen e negociatave. Hapja e negociatave për kapitullin për të cilin ishin përcaktuar kriteret për hapjen e negociatave mund të fillojë pas vendimit të Këshillit që shteti kandidat ka plotësuar këto kritere.

Nëse Këshilli vlerëson që shteti kandidat është i gatshëm për hapjen e kapitullit të caktuar, ai do të ftojë shtetin kandidat për ta dorëzuar pozitën negociuese (ang. Negotiation Position of the Candidate Country) për një kapitull të caktuar. Pozita negociuese përfaqëson platformën për negociatat e shtetit kandidat për kapitullin e caktuar të drejtësisë së BE-së. Në pozitën negociuese për ndonjë kapitull shteti kandidat prezanton nivelin e arritur të pajtueshmërisë me trashëgiminë juridike të BE-së, programin e pajtueshmërisë së mbetur dhe shqyrtimin e kapaciteteve ekzistuese dhe të ardhshme administrative për implementim.

Pranë asaj, në pozitën negociuese shteti kandidat përcakton edhe kërkesat për afate kalimtare, d.m.th. përjashtimet në ato segmente ku konsideron nga arsye të kuptueshme, që nuk do të jetë në mundësi që krejtësisht të vendosë rendin ligjor të BE-së në kuadrin ligjor deri tek momenti i parashikuar për aderim në BE-në. Shteti kandidat mund t’ia dorëzojë plotësimin Bashkimit Evropian gjatë negociatave, d.m.th. ndryshimin e pozitave negociuese.

Pozitën negociuese për çdo kapitull e përpilojnë grupet negociuese, d.m.th. ekipi negociues duke e përdorur mekanizmin koordinues të krijuar për negociatat aderuese. Pozita negociuese për kapitull të caktuar pas miratimit formal në shtetin kandidat i dorëzohet Bashkimit Evropian. KE-ja e përgatis draftin e pozitës së përbashkët të BE-së (ang. Draft European Union Common Position) dhe ia paraqet Këshillit për miratim.
Me draftin e Pozitës së përbashkët të BE-së, KE-ja mund:
1) të konstatojë që shteti kandidat në atë kapitull ka arritur nivelin e mjaftueshëm të pajtueshmërisë me trashëgiminë juridike të BE-së, dhe që negociatat e mëtejshme në atë kapitull nuk janë të nevojshme, dhe në atë rast kapitulli mbyllet përkohësisht;
2) të konstatojë që niveli i pajtueshmërisë nuk është në nivelin i cili mundëson mbylljen e përkohshme të kapitullit, dhe përcakton kushtet, d.m.th. kriteret për mbylljen e kapitullit(ang. Closing Benchmarks) të cilat shteti kandidat duhet t’i plotësojë për t’u arritur deri tek mbyllja e kapitullit;
3) të vendosë edhe kriteret kalimtare (ang. Interim Benchmarks) për Kapitujt 23 e 24, që janë veçanërisht delikate, me qëllim që më qartë ta ndjekë përparimin në realizimin e reformave dhe të procesit e pajtueshmërisë të legjislacionit në këto fusha të rëndësishme, dhe mbas plotësimit të tyre përcaktohen kriteret për mbylljen e kapitullit.

Këshilli i BE-së miraton pozitën e përbashkët të BE-së (ang. European Union Common Position) si përgjigje mbi pozitën e shtetit kandidat. Nëse shteti kandidat ka realizuar nivelin e mjaftueshëm të përputhshmërisë me trashëgiminë juridike në kapitull të caktuar, konstatohet që negociatat e mëtejshme në këtë kapitull nuk janë të nevojshme dhe që ai mbyllet përkohësisht. Nëse është vlerësuar që nevojiten hapat plotësues në harmonizimin e kuadrit ligjor kombëtar me atë evropian, përcaktohen kriteret për mbylljen e kapitullit, të cilat shteti kandidat duhet t’i plotësojë për t’i mbyllur negociatat përkohësisht për kapitullin në fjalë. Kapitujt negociues hapen dhe mbyllen përkohësisht në konferencën ndërqeveritare e cila organizohet në pajtim me rrjedhjen dhe dinamikën e hapjes së kapitujve negociues dhe plotësimin e kritereve për hapjen ose mbylljen e tyre të përkohshme.
Gjithashtu, duhet marrë parasysh, që varësisht nga ajo a ekzistojnë kriteret për hapjen e negociatave, për mbylljen e negociatave, d.m.th. kriteret kalimtare, janë të mundshme edhe procedurat e ndryshme të zhvillimit të negociatave në çdo kapitull. Autori është anëtar i Akademisë Shqiptare Amerikane për Shkencë dhe Arte në SHBA.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat