Pse është i pamundur një koalicion Rama-Basha ose Basha-Rama?

Opinione

Pse është i pamundur një koalicion Rama-Basha ose Basha-Rama?

Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi Më 15 prill 2021 Në ora: 12:02
Lulzim Basha dhe Edi Rama

Edi Rama dje i kërkoi kreut të opozitës, zotit Basha, që pas 25 prillit të bëhen bashkë e të qeverisin Shqipërinë, siç tha ai, se këtë "e kërkojnë shqiptarët". Në fakt shqiptarët kërkojnë ndryshimin, jo vazhdimësinë e qeverisjes Rama. Ndryshimin e kërkon edhe SHBA dhe Evropa. Por kjo lëvizje e kryeministrit në detyrë të vendit tonë kërkon përgjigjen e dy pyetjeve:

1) Pse Edi Rama e kërkoi në dhjetë ditëshin e fundit të fushatës elektorale bashkëpunimin dhe koalicionin qeverisës me opozitën? Aq më tepër kur ai për tetë vite e dhunoi atë, e përçudnoi, e rrahu me shkop gome dhe e plagosi me gaz lotsjellës, duke marrë në duart e veta jo vetëm timonin, por edhe tepsinë e florinjtë të buxhetit dhe taksave të shqiptarëve?! Kjo lëvizje e Ramës shpjegohet me disa arsye:

Së pari, ai nuk mund t'i fitojë zgjedhjet. Madje nuk do të mund të dalë as parti e parë. Në këto kushte varka e shpëtimit për të do të ishte një koalicion qeverisës PD-PS. Duke dështuar në kërkesën për të marrë presidencën, tani kërkon një lloj garancie për të shpëtuar lëkurën e tij. Kjo do të thotë se ai nuk ka problem humbjen, problemi i tij është ndëshkimi që i vjen nga kjo humbje.

Së dyti, në variantin më pak të dobishëm, nëse debati vazhdon, Rama synon që të rikrijojë tek të pakënaqurit opinionin se "Të dy janë njësoj"! Kjo taktikë për ta degraduar opozitën dhe liderin e saj para elektoratit është e njohur. Por Lulzim Basha e ka tashmë një përvojë politike të mjaftueshme për të kuptuar lojën e rrezikshme e djallëzore të kryeministrit në detyrë. Prandaj ai duhet që sot t'i japë një përgjigje të prerë kërkesës së kreut të ekzekutivit dhe pas ditës së sotme të mos merret me të. Le të bëjë monolog Rama. Monologu i tij doli i pasuksesshëm në fushatë, ndaj kërkon të hapë një temë dialogu.

2. Pse kreu i opozitës, Lulzim Basha, nuk mund të bëjë koalicion me Edi Ramën? Sepse ai ka krijuar një koalicion parazgjedhor. Sovrani do të votojë për njërën ose tjetrën palë dhe e sigurt është që opozita do të jetë fituese bindëse e zgjedhjeve të 25 prillit. Koalicioni me LSI-në është tashmë një realitet. Do të ishte absurde që dikush të mendojë atë që nuk mund të bëhet, shkeljen e marrëveshjes së qeverisjes nga ana e Lulzim Bashës!

Sepse Lulzim Basha ka nënshkruar disa marrëveshje me grupet e interesit. Do të shkelë ai mbi marrëveshjen për teatrin?! Apo do të "shesë" heronjtë e Unazës?! Kujt mund t'i shkojë mendja se Basha do të hedhë në kosh marrëveshjen me ish-të persekutuarit politik, me shoqatën e biznesit të vogël dhe me grupe të tjera interesi, deri te ajo me shoqatat e grupeve të margjinalizuara?! Do të heqë dorë Basha nga koncepti i 9 për qind të taksës së sheshtë, me të cilin Rama tallet! Apo nga premtimi për heqjen e taksës Rama të naftës?! Do të heqë dorë nga premtimet e tjera, deri te naftëtarët dhe minatorët?! Është e pamundur!

Dikush mund të thotë se Rama mund t'i pranojë kushtet e Bashës?! Më mirë se kushdo në këtë vend është Lulzim Basha ai që e njeh pabesinë e Edi Ramës. Nëse ka njeri të lënduar nga pabesia e tij, ky është pikërisht lideri i opozitës. Por edhe sikur të kishte garanci në realizimin e programit të Bashës, një koalicion me Edi Ramën dhe Rilindjen e tij është i pamundur!

3. Lulzim Basha ka premtuar ndryshimin, jo vazhdimin e qeverisjes së korruptuar dhe inkriminuar të Edi Ramës. Ndryshimi vjen duke përmbysur regjimin autokratik të Ramës dhe jo duke qeverisur po me Ramën. Ndryshim do të thotë integrim në BE sipas konceptit të Bashës dhe jo largim në drejtim të paditur në Lindje, siç bën Rama! Ndryshim do të thotë shtet ligjor të së drejtës dhe jo shtet të oligarkëve politikë, financiarë, ligjzbatues e mediatikë! Ndryshim do të thotë qeverisje pa korrupsion dhe jo justifikim në rastin më të mirë dhe vazhdimësi në korrupsionin e rilindjes në rastin më të keq!

Detyra e Lulzim Bashës është të ndëshkojë ata që kanë shkelur ligjet dhe janë zhytur në korrupsion të paparë. Është që të çojë para drejtësisë të gjitha aferat që ai i ka denoncuar në këto tetë vite. Eshtë që të ndëshkojë fajtorët e kanabizimit të vendit! Asnjë shkelje ligjore nuk duhet e nuk mund të mbetet e pandëshkueshme. Ndryshe nuk do të vijë ndryshimi e nuk mund të kthehet shpresa për qytetarët shqiptarë. Nuk do të përfundojë as tranzicioni. Nuk mundet që këto premtime të bëhen realitet në një koalicion me Edi Ramën dhe Rilindjen, edhe nëse kreu i opozitës në këtë koalicion do të kishte postin e kryeministrit!

Për të gjitha këto që u përmendën më lart, rezulton se hilacaku Rama e hodhi idenë e koalicionit të madh qeverisës me qëllim që të çoroditë opinionin dhe votuesit e 25 prillit. Ndaj përgjigja është dhe mbetet një: Asnjë lloj koalicioni dhe bashkëpunimi me Edi Ramën. Bashkëpunim e konsensus me opozitën e datës 26 prillit për reformat që i duhen vendit dhe integrimin evropian. Nuk ka ndonjë formulë tjetër që e bën ndryshimin e madh, të cilin e kërkojnë dhe e presin me shumë shpresë qytetarët shqiptarë!

Në diskursin e këtij opsioni Rama, mediet dhe njerëzit mediatikë pranë qeverisë përmendin si shembull koalicionin e madh në Gjermani. Por kur ky koalicion u arrit në Gjermani më 2005-ën, kancelari Schroeder ishte humbës i zgjedhjeve. Edhe Rama do jetë humbës si ish-kancelari gjerman. Por Schroder dhe SPD nuk qenë zhytur në korrupsion. Nuk ndodhën në qeverisjen e tij tetë vjeçare skandale të përditshme, si këto që kanë ndodhur me qeverinë e rilindjes. Nuk pati dallime në programet e të dy partive CDU/CSU-SPD, siç ka në Shqipëri. Opozita nuk ishte detyruar të dilte nga parlamenti e të digjte mandatet. Qeveria e mëparshme nuk kishte përdorur të gjitha mjetet e dhunës kundër opozitës.

Ndaj të bësh këtë krahasim do të thotë të krahasosh të pakrahasueshmen. Duhet të vijë civilizimi dhe demokracia gjermane në Shqipëri e atëherë mund të ketë një koalicion të madh, nëse këtë e diktojnë qytetarët. Në Gjermani SPD bashkë me Grynen dhe Partinë e Majtë mund të bënin shumicën në vitin 2005. Por SPD nuk pranoi të marrë në koalicion ish-komunistët e Gjermanisë Lindore, sepse i shihte si ekstremistë të qendrës së majtë. Ndaj ndodhi koalicioni i madh. Edi Rama nuk është si SPD gjermane. Ai bën koalicion me kriminelë, mjafton që të garantojë pushtetin e tij!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat