Vështrim Profesional-shkencor në dokumentin “Programi i Republikës së Kosovës 2021-2025”

Opinione

Vështrim Profesional-shkencor në dokumentin “Programi i Republikës së Kosovës 2021-2025”

Nga: Prof. Dr. Musa Limani Më: 18 maj 2021 Në ora: 19:49
Prof. Dr. Musa Limani

Në bisedë e sipër, shpesh qytetarët më kanë pyetur. Ku jeni ju intelektualët e profesionalistët që nuk kyçeni në procese politike dhe ekonomiko-shoqërore, për t’i ndihmuar institucionet dhe organet shtetërore në shtruarjen dhe zgjidhjen e problemeve në fusha të juaja përkatëse?! Kjo është një pyetje e shpeshtë dhe shumë me vend, mirëpo në këtë pyetje kemi edhe përgjigje të ndryshme. Disa mendojnë se intelektualët dhe profesionalistët nuk përfillen nga spektri politik, sepse strukturat politike nuk dojnë rreth vete njerëz të aftë. Në struktura të tyre kyçin njerëz poltron, militant dhe kuazi intelektual, të cilët nuk ua prishin as “tymin e duhanit”. Është për të ardhur keq, por është e vërtet se, në periudhën e pas çlirimit, veçmas pas Pavarësisë, është shkelur “truri”, apo më mirë me thënë janë lënë jashtë loje profesionalistet dhe intelektualët e mirëfilltë, nga të gjithë pushtetmbajtësit e deri tanishëm, duke përjashtuar Qeverinë aktuale.

Mirëpo, sido që të jetë, është obligim moral i çdo intelektuali të mirëfilltë, që nga aspekti i tij profesional, të jap kontributin e tij në çdo moment kur atë e kërkon interesi kombëtar. Duhet të gjejë formën e reagimit dhe të jetë në luftë pa kompromis për realizimin e kauzës sonë kombëtare. Historia na tregon se asnjë herë lufta për kauzën kombëtare të jetë shtruar dhe zgjidhur pa angazhimin e drejtpërdrejtë të intelektualëve (inteligjencës), sepse ata janë përfaqësuesit dhe prisit më të denjë të kombit. Andaj, duke u mbështetur në atë që u cek më sipër, e duke pasur parasysh përgjegjësinë dhe obligimin tim moral, profesional e kombëtar, vendosa që të jap ndihmesën time në avancimin e Programit të Qeverisë aktuale, duke dhënë disa vërejtje dhe sugjerime profesionale në këtë dokument. E ndjej obligim kombëtar, moral e profesional si ekonomist, që potencialin tim profesionalo-shkencor ta fus në funksion, duke dhënë kontributin tim në shtruarjen dhe zgjidhjen sa më adekuate të zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Ditë më parë u publikua dhe u debatua në Kuvend, Programi i Qeverisë së Republikës së Kosovës 2021-2025. Marrëglobalisht, mund të thuhet se Programi i Republikës së Qeverisë së Kosovës, për kah përmbajtja dhe shtruarja e qëllimeveështë dukshëm më i avancuar se çdo program i të gjitha qeverive paraprake, veçmas në fushën sociale.Programi i Qeverisë, si çdo dokument tjetër ka edhe mangësitë e tija.Është obligim moral, profesional e kombëtar, që çdo profesionalist nga fusha e tij, të jap vërejtjet dhe sugjerimit, me qëllim të ndihmesës për përmirësimin e këtij dokumenti. Andaj, në këtëdrejtim, unë në vazhdim do të jap vërejtjet dhe sugjerimet e mia profesionale, duke u përqendruar vetë në pjesët qëtangojnë fushën ekonomike, duke sjellur mendim meritor profesional e shkencor e me përgjegjësi të plotë profesionale, jo si kritikë, por si ndihmesë për avancimin e këtij dokumenti. Nëse dikush mendon se ky vështrim apo edhe vështrimet paraprake të Strategjivetë Qeverive të bëra nga unë janë bërë për të kritikuar Qeveritë, thellë gabohen, pasi që unë jam i gatshëm që kurdoherë të mbrojë dhe të hyjë në polemikë në aspektin profesionalo shkencor, me këndo.

Që në fillim duhet potencuar se, asnjë Qeveri paraprake, e as në Programin e Qeverisë aktuale, nuk iu dha hapësirë e duhur dhe vendi meritor zhvillimit ekonomik. S’ka dyshim se, shëndeti i popullsisëështë mbi të gjitha, me të drejtë ai u vu si prioritet i parë në programin e Qeverisë, por pas Covid 19, zhvillimi ekonomik do të duhej të ishte në qendër të vëmendjes e me prioritet, duke prezantuar masat konkrete.Ndonëse në këtë dokument për kah radhitja zhvillimi ekonomik ishte vurë si prioritet i dytë i këtij dokumenti, por vetëm në mënyrë deklarative, pa masa konkrete. Zhvillimi ekonomik duhet të zë vend dominues në Programin e Qeverisë, sepse asnjë qëllim dhe synim i parashtruar nuk mund të realizohet pa zhvillimi ekonomik, sepse baza materiale përcakton superstrukturën, e jo e kundërta. Një gjë dihet, nuk mund të ketë zhvillim ekonomik, sipas dëshirës, vullnetit dhe premtimeve. Për të siguruar zhvillim ekonomik më perspektiv e më tëqëndrueshëm, nevojitet të bëhen reforma rrënjësore në ekonomi, duke i futur në funksion të gjitha masat dhe instrumentet e politikës së zbatuar ekonomike dhe tënënsistemeve në mbrojtjen dhe nxitjen e zhvillimit të bizneseve vendore, përkatësisht të zhvillimit ekonomik. Kuptohet, këto reforma dhe ndryshime nuk mund të bëhen ad hoc dhe parcialisht, por me hartimin e dokumentit të strategjisë së zhvillimit afatgjatë, nga i cili do të nxirren planet afatmesme dhe prioritetet zhvillimore ekonomiko-shoqërore. Për fat të keq, këtë dokument nuk arritën të hartojë asnjë Qeveri e deri tanishme, dhe sipas Programit të prezantuar shihet se as kjo Qeveri nuk do të mund të hartojë këtë dokument, me rëndësi të veçantë në të cilin do të mbështetej zhvillimi ekonomiko-shoqëror i Kosovës në periudhën e ardhshme.

Për kah koha e përfshirjes, Programi paraqet Plan të zhvillimit afatmesëm. Në planet afatmesme, prezantohen dhe kuantifikohen postulatet e treguesve kryesor makroekonomik, duke u prezantuar me vlera absolute e relative, si: norma e zhvillimit ekonomik për periudhën në fjalë, vlera absolute e Bruto Produktit Vendor dhe për një banorë, masat konkrete të politikës fiskale, kreditore dhe të politikës së jashtme, prioritetet zhvillimore dhe struktura ekonomike, deficiti i bilancit të tregtisë së jashtme, borxhi publik etj. Është e nevojshme tëprezantohen postulatet kryesore të zhvillimit makroekonomik, sepse nëpër mjet tyre, Qeveria bënë publike synimet dhe qëllimet zhvillimore në periudhën e ardhshme. Me prezantimin e këtyre të dhënave, prezantohen synimet që do t’i realizoj Qeveria gjatë këtij mandati. Në Programin e Qeverisë nuk figurojnë këta tregues global makroekonomik, me ç’rast opinioni i gjerë nuk ka njohuri se cilat janë synimet dhe arritjet zhvillimore gjatë kësaj periudhe. Pra, mungojnë masat konkrete me të cilat do të prezantohet zhvillimi ekonomik në këtë periudhë. Programi është i përcjellur me premtime dëshira, si: “do të ofrojmë”, “do të angazhohemi” etj., të cilat shprehje janë për fushatë elektorale, e jo për program konkret veprues. Qeveria është ekzekutivi, ajo duhet të shpalos program konkret veprues, e jo premtues, të prezantojë masa konkrete për zbatimin dhe realizmin e qëllimeve të premtuara dhe të parashtruara në këtë dokument. Andaj, duke lexuar ketë program, fitohet përshtypja se në përmbajtjen e tij ka mëtepër premtime se sa veprime konkrete.

Pos kësaj, mungon dhe përdoret në mënyrë jo adekuate terminologjia profesionale ekonomike, si p.sh.: “zhvillimi socialo-ekonomik”, në vend se të ishte “zhvillimi shoqëroro-ekonomik”. Fjala “sociale”, në gjuhën shqipe shpreh varfëri, problem social, andaj ashtu si përdoret në Programin e Qeverisë është gabim, sepse ia ndryshon përmbajtjen dhe qëllimin e fjalës “sociale”. Po ashtu kemi termin jo adekuat profesional ekonomik, kur thuhet “...zhvillim i balancuar dhe i qëndrueshëm rajonal”. Nuk kemi zhvillim të balancuar, por kemi zhvillim polarizues. Madje kemi shprehjen: “shitja e letrave të borxhit”. Unë si ekonomist nuk kam hasur në literaturën profesionale termin “shitja e letrave të borxhit””. Unë e kuptojmë shitjen e letrave me vlerë në tregun e kapitalit, rëndësinë dhe rolin e tyre për sigurimin e mjeteve financiare (buxhetore) nga ana e Qeverisë, por nuk e kuptojë dot se çka paraqet në fakt “shitja e letrave të borxhit”. Këtë me siguri e dijnë vetëm hartuesit e këtij dokumenti. Madje, kemi shprehjen “Qeveria komunikon vizionin e saj para qytetarëve”, ose “Strategjia Kombëtare për Zhvillim bën adresimin e sfidave në të gjithë sektorët e politikave publike” etj. Për shkak të natyrës së punimit, në vazhdim do t’i paraqesim vetëm disavërejtjenë fushën ekonomike, që i konsiderojë më drastike në kuadër të këtij Programi.

Në fillim, në temën “Qëllimi i programit të Qeverisë”, në fjalinë e parë thuhet: “Programi i Qeverisë është dokument themelor me të cilin Qeveria e komunikon vizionin e saj para qytetarëve të Republikës së Kosovës për qeverisjen e saj”. Nuk di si Qeveria nëpërmjet programit mund të komunikojë me qytetarët, ajo me këtë rast prezanton vizionin e saj, por nuk komunikon.

Në pikën 1.2. tëProgramit të Qeverisë: Ringjallja ekonomike, në pasusin e parë, ndër të tjera thuhet: “Nëpërmjet rritjes së pagës minimale në 250 euro, për 40 orë pune në javë, si dhe ngritjes së pragut të pagës që nuk tatimohet nën nivelin e pagës minimale, do të sigurohemi (kush do të sigurohet, nënvizoi: M.L.?) që ata që kanë paga më të ulëta të kenë me shumë para në fund të muajit”. Si është e mundur që ata që kanë paga nën minimalen e nuk tatimohen, do të kenë më shumë para në fund tëmuajit?! Ky paraqet një paradoks të llojit të vet. Nga aspekti profesional kjo fjali është e pa justifikueshme dhekontroverse. Në kontekst të kësaj duhet potencuar se, mos tatimimi i pagës nën atë minimale është me vend dhe idrejtë, mirëpo kjo masë mundëson të mos zvogëlohej fuqia blerëse për vlerën që do t’i zbritej nga norma tatimore, por assesi nuk do të ndikojë qëtë punësuarit të kenë më shumë para në fund të muajit. Në të njëjtën pjesëtë Programit, premtohet rritja e pagës minimale në 250 euro, është masë dhe vendim shumë pozitiv dhe me vend, krahasuar me pagën minimale që ishte më parë 130 dhe 170 euro. Mirëpo, duhet cekur se paga minimale nuk caktohet në mënyrë arbitrazhe, siç është propozuar në Program nga ana e Qeverisë. Gjithë kund në botë, andaj edhe në Kosovë, paga minimale caktohet në bazë të “shportës” së jetesës, e që llogaritet në bazë të indeksit të çmimeve me pakicë, duke përfshirë produktet ekzistenciale për jetesë. Unë kam llogaritur në bazë të metodologjisë ndërkombëtare e në bazë të të dhënave publike nga ana e Agjencionit të Statistikave të Kosovës, për çmimet e produkteve ekzistencialepër caktimin e “shportës” së jetesës,e më ka dal se në vitin 2019, paga minimale është dashur të ishte 289 euro. Madje, paga minimale duhet të caktohet në bazë të marrëveshjes që arrihet me BSPK-ën dhe sindikatat tjera, si përfaqësues të punëtorëve. Siç dihet, sindikatat, veçmas ajo e prodhuesve privat, janë deklaruar publikisht se nuk pranojnë pagë minimale nën 350 euro. Andaj, para se të deklarohej paga minimale, Qeveria është dashur të ketë një Marrëveshjeme BSPK-ën dhe sindikatat e tjera rreth përcaktimit të pagës minimale. Tani për caktimin e pagës minimale na paraqiten tri opsione: së pari, atë që e ofron Qeveria 250 euro, së dyti, ajo që del nga gjendja faktike e “shportës” së jetesës 289 euro, dhe, së treti, atë që e kërkon sindikata 350 euro. Andaj, cila do të jetë kjo pagë mbetet të shihet!.Mirëpo, sido që të jetë, përcaktimi i cilës do nga këto vlera për pagën minimale, ka edhe koston e saj materiale, që Qeveria duhet të ketë parasysh, duke pasur parasysh të hyrat buxhetore.

Madje, në ketë pjesë të Programit në pasusin e tretë të para fundit (fq. 8), thuhet: “Do të angazhohemi (në vend do të themelojmë, nënvizoi: M.L.) për krijimin e Fondit Sovran... i cili do t’i marrë në pronësi asetet strategjike (cilat janë ato?) të Republikës së Kosovës, për t’i valorizuar ato, për mundësimin e investimeve të jashtme dhe qasjen në tregje të huaja të kapitalit”. Së pari shtrohet pyetja, çka është Fondi Sovran, si do të funksionojë në sistemin bankar, dhe, së dyti, Fondit Sovran nuk mund t’i barten në pronësi asetet strategjike, ato bëjnë pjesë në kuadër të kompetencave të Qeverisë. Madje si mund të kuptohet se asetet strategjike “Fondi Sovran do t’i valorizoj ato”, në çfarë mënyre dhe për çfarë qëllimi?! Po ashtu, këtij fondi i jepet e drejtë ekskluzive për investime në rritjen e vlerës (cilës vlerë?) të Trepçës, KEK-ut, Telekomit dhe Postës. Ndërmarrjet publike nuk mbështeten financiarisht nga Qeveria, pos nëse nga njëra prej tyre është aksionare, siç është rasti i “Trepçës”, apo me rastin e sanimit që mos të lejohet falimentimi i ndonjërës prej tyre, sepse ato janë ndërmarrje profitabile. E drejta e Qeverisë në këto ndërmarrje është të udhëheq me to dhe të caktojë Bordin profesional të menaxhimit. Madje, për riaktivizimin e gjigantit të dikurshëm industrial “Trepça”, nuk thuhet asnjë fjalë, e as për riaktivizimin e minierave të përmbytura, si dhe për finalizimin e lëndëve të para të këtyre minierave.

Në kuadër të këtij pasusi të Programit thuhet: “Si pasojë e kësaj, do të shuajmë Agjencinë Kosovare për Privatizim me anë të transferimit të saj në agjenci brenda Qeverisë. AKP-ja është institucion i pavarur i themeluar nga Parlamenti i Kosovës, dhe për punën dhe veprimtarinë e tij i përgjigjet vetëm themeluesit. Me këtë rast, tentohet që ky institucion nga Parlamenti të kalojë në kuadër tëFondit Sovran, që është vendim i pa justifikueshëm në pikëpamje juridike dhe i pa pranueshëm në pikëpamje ekonomike. Shuarja e AKP-së në mënyrë të një anshme, paraqet problem kompleks dhe në vete implikon shumë probleme juridiko-ekonomike, si: problemi i pa zgjidhur i shumë lëndëve në gjykata, mos pagesa e 20,0% punëtorëve të ndërmarrjeve shoqërore të privatizuara, kërkesa të shumta të kreditorëve etj. Andaj, në vend që të shuhet AKP-ja, Qeveria do të ishte mirë të bëjërivlerësimin e deri tanishëm të procesit të privatizimit. Nëse shuhet AKP-ja, atëherë Qeveria automatikisht po bënë amnestimin e të gjitha abuzimevedhe keqpërdorimeve të bëra me rastin e shitjes së ndërmarrjeve shoqërore dhe publike. Mendojë, se Qeveria në vend që ta shuaj AKP-në duhet të angazhohet që procesi i privatizimit të kryhet sa më parë dhe t’i luftoj të gjitha abuzimet e më hershme dhe aktuale, sepse pa kryerjen e procesit të privatizimit, Kosova nuk mund të kalojë fazën e tranzicionit. Përfundimin e procesit të privatizimit nuk mund të bëjë Fondi Sovran, pos institucionit përkatës të cilin e ka themeluar Parlamenti, e që në punën e tij është i pavarur, por me llogaridhënie ndaj themeluesit.

Po ashtu, në Program parashihej formimi i Bankës Zhvillimore të Kosovës (fq. 9). “Banka Zhvillimore do të jetë mekanizëm për mbështetjen e sektorit privat dhe promovimin e investimeve. Ajo do të jetë komponenti kreditues, që do të financohet nga paratë publike dhe shitja e letrave të borxhit....”. Së pari, mjetet buxhetore Qeverisë i shërbejnë për plotësimin e nevojave të përgjithshme dhe të përbashkëta të qytetarëve, e jo për financimin e ndonjë banke.Së dyti, shtrohet pyetja sa do tëjetë forca kapitale e kësaj banke ashtu që t’i konkurrojëbankat ekzistuese komerciale në tregun e kapitalit, përkatësisht në politikën kreditore. Së treti, funksionimi i kësaj banke (afariste), do të çrregullojë funksionimin e sistemit bankar në Kosovë. Së katërti, ndoshtanjohuritë e mia profesionale nuk janë të mjaftueshme, apo në nivel, për të kuptuar se çka kuptojmë me “shitjen e letrave të borxhit”.

Madje, parashihet të formohet “Agjencioni zhvillimor, si një mekanizëm për udhëheqjen e politikave zhvillimore ndërmjet ministrive dhe agjencive të pavarura” (fq. 9). S’ka nevojë për një institucion të tillë, sepse politika zhvillimore makroekonomike është kompetencë e Qeverisë, e jo ndonjë Agjencioni. S’ka nevojë të formohet kjo agjenci, sepse Qeveria si ekzekutiv ka në kompetenca të saja hartimin dhe zbatimin e politikave zhvillimore makroekonomike. Mendojë se shumë më e arsyeshme do të ishte që Qeveria të themeloj Institutin Ekonomik të Kosovës, i cili do të merrej me probleme zhvillimore, duke bërë analiza empirike, plane afatmesme e strategji zhvillimore afatgjatë, se sa të themelojë ndonjë bankë apo agjencizhvillimore. Madje, në pasusin e dytë të parafundit fq. 9, të Programit thuhet: “Për, zhvillim ekonomik afatgjatë, deri në fund të vitit 2021, do të miratojmë Strategjinë Kombëtare për Zhvillim, e cila do të përfshijë adresimin e sfidave në të gjithë sektorët e politikave publike. Si një dokument gjithëpërfshirës, SKZH do të mundësojë ndërlidhjen me Objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm”. Së pari, një dokument siç është Strategjia Kombëtare për Zhvillim, nuk mund të bëhet për disa muaj, e as për një vit. Së dyti, nga ajo qëështë thënë në Program lidhur me kuptimin dhe funksionin e strategjisë, na jep me kuptuar se hartuesi i këtij dokumenti nuk e ka të qartë se çka paraqet Strategjia Kombëtare Zhvillimore e mirëfilltë, përkatësisht në kuptimin e plotë të fjalës. Si mund të kuptohet kur thuhet se ne “do të miratojmë Strategjinë Kombëtare për Zhvillim, e cila do të përfshijëadresimin (ndoshta duhet caktuar edhe postierin) e sfidave në të gjithë sektorët e politikave publike”. Çka kuptojmë me “politika publike”?! Nga konteksti i kësaj del se paska edhe “politika private”. Andaj, në kontekst të kësaj duhet cekur se, kjo fjali aspak nuk përkon me kuptimin, brendinë, përmbajtën dhe strukturën e dokumentit të Strategjisë së mirëfilltë zhvillimore afatgjate. Prandaj, thënë në kuptimin më të thjeshtë të fjalës, Strategjia e zhvillimit ekonomik afatgjatë, paraqet përfshirjen e të gjitha masave që i ndërmerrë Qeveria për realizimin e qëllimeve kryesore të zhvillimit ekonomiko-shoqëror të vendit në periudhë të caktuar kohore (7-10 vjet), përkatësisht përfshin konturat e përgjithshme të zhvillimit ekonomiko-shoqëror për periudhë të caktuar kohore. Me këtë rast përcaktohen synimet dhe orientimet globale zhvillimore, duke i kuantifikuar me shifra konkrete treguesit më relevant makroekonomik të ekonomisë së vendit, si: normën e zhvillimit të ekonomisë së përgjithshme me variante, Bruto Produktin Vendor në vlerë absolute dhe për një banorë, vlerën dhe strukturën e investimeve dhe burimin e tyre, normën e punësimit dhe normën e papunësisë, strukturën ekonomikedhe prioritetet e lëmenjve ekonomik etj. Strategjia e mirëfilltë zhvillimore afatgjate, ka karakter multi dhe interdisiplinar, në hartimin e së cilës duhet të kyçen ekspertët me eminent të fushave përkatëse, kurse bartës dhe hartues duhet të jenë institucionet përkatëse shkencore. Andaj, Qeveria, përkatësisht asnjë ministri, e asnjë institucion në Kosovë, nuk mund të hartojë strategjinëe përgjithshme të mirëfilltë, sepse nuk posedojnë me potencial profesionalo-shkencor. Ministritë, mund të hartojnë strategji sektoriale për fushëveprimin e tyre, por assesi nuk mund të hartojnë strategji të përgjithshme. Nëse mendohet se Strategjinë Kombëtare për Zhvillim, Qeverisë do t’ia hartojë Zyra për Planifikim Strategjik, që funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit (po presupozojë), gabohemi shumë. Kjo Zyrë më parë e kishte hartuar dokumentin: PLAN-për zhvillim të qëndrueshëm nën te: “Strategjia Kombëtare PërZhvillim 2016-2021 (SKZH”, Prishtinë, Janar, 2016). Ky dokument nga aspekti profesional-shkencor ishte plotësisht dështim dhe si e tillë kurrë nuk e pa dritën, sepse as për kah përmbajtja e as struktura nuk përkonte me një dokument të mirëfilltë, siç do të ishte Strategjia e përgjithshme zhvillimore afatgjate në kuptimin e plotë të fjalës. Këtë konstatim më së miri e vërtetojnë përpjekjet e qeverive të më parëshmepër të hartuar Strategjinë edhe atë hiq më pak se katër herë, por të gjitha dështuan, pikërisht nga mungesa e qasjes metodologjike, përvojës dhe potencialit profesional-shkencor.

S’ka dyshim se diaspora shqiptare dhe investimet e huaja direkte, paraqesin faktorë me rëndësi të veçantë në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Në program për diasporën shqiptare është shkruar vetëm një pasus në të cilin thuhet: “Pjesë integrale e fuqishme e planit tonë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, janë mërgata jonë. Nëpërmjet krijimit të instrumenteve (cilat janë ato, është dashur të ceken,nënvizoi: M.L.) do të sigurohemi që kapitali i mërgatës sonë të kanalizohet në investime që krijojnë vende punë.... fq. 8”. Në program është dashur në mënyrë taksative të prezantohen masat dhe instrumentet konkrete të politikës fiskale, kreditore dhe të politikës së tregtisë së jashtme si mbështetje institucionale, me të cilat Qeveria e Kosovës duhet të krijoj klimë (ambient) të favorshëm për tërheqjen e kapitalit të diasporës. Pa prezantimin konkret të këtyre masave, nuk mund të dihen (ata nuk janë evlia) favoret dhe mbështetja institucionale që i ofron Republika e Kosovës të gjithë atyre që dëshirojnë të avancojnë kapitalin e tyre në ngritjen e kapaciteteve industriale e tjera ekonomike në Kosovë. Me të njëjtat masa nëpërmjet politikës investive, Qeveria e orienton në pikëpamje sektoriale avancimin e kapitalit të diasporës. Ndërkaq, për investimet e huaja direkte (IHD), si faktorë me rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik të Kosovës, në program nuk është thënë ama bash asnjë fjalë!

Në pikën 2.11. të Programit është shtruar problemi i zhvillimit rajonal (fq. 35). Me këtë rast Qeveria aktuale ka bërë një hap shumë pozitiv, që për herë të parë pas çlirimit, zhvillimi rajonal përfshihet si pjesëpërbërëse e Programit Qeveritar, përkatësisht e zhvillimit të përgjithshëm ekonomik. Mirëpo, kur lexohet kjo pjesë e programit, vërehet se përmbajtja nuk përputhet me emërtimin zhvillimi rajonal. Nga përmbajtja e tekstit të kësaj pjese të programit, vërehet se, hartuesi nuk e kupton se çka është zhvillimi rajonal dhe cilat janë masat që duhet ndërmarr Qeveria për të realizuar politikat e zhvillimit sa më harmonik territorial. Kështu, në pasusin e parë të kësaj pjese të Programit thuhet: “Vizioni ynë është zhvillimi i balancuar dhe i qëndrueshëm rajonal, me rritje të kohezionit socio-ekonomik, në vend shoqëroro-ekonomik, nënvizoi: M.L.)”. Fjalia si e tillë nuk është e kuptueshme dhe nuk ka të bëjë me zhvillim rajonal. Së pari, nuk mund të sigurohet “zhvillimi i balancuar dhe i qëndrueshëm rajonal”, sepse gjithkund në botë, andaj dhe në Kosovë zhvillimin ekonomik e karakterizon polarizimi territorial. Në asnjë moment, e në asnjë vend edhe atë më të zhvilluar, nuk mund të sigurojë zhvillim të balancuar. Madje, në kuadër të fjalisë paraprake në vazhdim thuhet: “me rritje të kohezionit socio-ekonomik”. Çka duhet kuptuar me “rritje të kohezionit socio-ekonomik”?! Në pasusin e dytë për zvogëlimin e pabarazive rajonale, ndër të tjera thuhet: “Zvogëlimi i dallimeve në aspekt të zhvillimit socio-ekonomik dhe ngritja e cilësisë së jetës në rajone zhvillimore (ndoshta në rajone jo mjaft të zhvilluara: nënvizoi: M.L.), nuk mund të arrihet pa ngritjen e kapaciteteve të rajoneve (çka kuptojmë me kapacitete të rajoneve, nënvizoi: M.L.), në mënyrë që të kenë një konkurrencë të mirëfilltë ndër rajonale”. Fjalia është kontradiktore me atë që është tentuar të thuhet dhe plotësisht e pa kuptueshme”.

Komponenta rajonale e zhvillimit ekonomik, si pjesë përbërëse e zhvillimit të gjithmbarshëm ekonomik të një vendi, në vete ngërthen të gjitha masat dhe instrumentet të cilat i merrë shteti (Qeveria), me qëllim të nxitimit të zhvillimit të viseve (rajoneve) jo mjaft të zhvilluara që për synim ka zhvillim sa më harmonik territorial të vendit. Siç dihet, diferencat e mëdha të zhvillimit rajonal, paraqesin sfidën dhe problemin kryesor të zhvillimit ekonomiko-shoqëror harmonik territorial të çdo vendi, andaj edhe të Kosovës. Mos zhvillimi harmonik territorial në vete ngërthen probleme politike, shoqërore, ekonomike, sociale e ndërnacionale. Andaj, politika e zhvillimit rajonal, përkatësisht vendosja sa më e barabartë që është e mundur, por jo balancimi, e forcat prodhuese në pikëpamje territoriale, duhet të zënë vend të veçantë në politikat zhvillimore makroekonomike të Qeverisë. Me këtë rast duhet përcaktuar njësia kryesore rajonale, rajonizimi ekonomik i Kosovës në kuptimin e limitimit ndërmjet viseve (rajoneve) të zhvilluara dhe viseve (rajoneve) jo mjaft të zhvilluara, përcaktimi i masave (direkte-fondeve dhe indirekte-të politikës fiskale) dhe të instrumenteve për nxitimin e zhvillimit të territoreve jo mjaft të zhvilluara.

Më sa dihet ekziston Ministria e Zhvillimit Rajonal. Mirëpo, pos emërtimit me veprimtarinë që e ushtron, kjo ministri nuk ka të bëjë me zhvillim rajonal. Në bazë të raporteve që i kam lexuar nga kjo Ministri, shihet se ajo merret me analizën e investimeve dhe garantëve nëpër komuna, që aspak nuk përkon me politikën e zhvillimit rajonal.

Në Programin e Qeverisë, nuk është thënë asnjë fjalë për lëvizjet natyrore dhe mekanike të popullsisë. Siç dihet, popullsia veçmas kontingjenti i punës (popullsia aktive), paraqet faktorin subjektiv kryesor të zhvillimit ekonomik e shoqëror. Nuk mund të prognozohet zhvillimi ekonomik e shoqëror i Kosovës, pa prognozimin e zhvillimit të popullsisë në pikëpamje absolute dhe sipas të gjitha strukturave: moshore, gjinore, arsimore etj. Kemi rënie drastike të natalitetit të popullsisë nga 56.221 persona sa ishte në vitin 1987, në 22.761 persona në vitin 2018, apo kishte një zvogëlim prej 33.460 persona, ose kishte një rënie prej 40,1% për ketë periudhë 31 vjeçare. Ndërkaq, shtimi natyror i popullsisë ra nga 30.482 persona sa ishte në vitin 2002,në 13.763 persona në vitin2018, apo për 45,2%. Këto janë shifra shqetësuese për lëvizjet natyrore të popullsisë. Po ashtu, emigracioni dhe imigracioni paraqesin dukuri shqetësuese në lëvizjen mekanike të popullsisë. Pas çlirimit, kemi një lum të madh të emigracionit të rinisë në vende të ndryshme të botës, forcës më vitale të kombit, ku si shkak kryesor është papunësia e madhe, pra problemi social. Në Kosovë, ka filluar plakja e popullsisë, që më parë ishte popullata më e re në Evropë. Imigrimi në relacionin fshat-qytet dhe qytet-qytet, është shumë frekuentues pas çlirimit. Kemi një koncentrim enorm të popullsisë në Prishtinë. Tani në Prishtinë është koncentruar diku rreth 1/3 e popullsisë së përgjithshme e Kosovës. Braktisen fshatra, lihet tokadjerrinë, zvogëlohet numri i bagëtive, dhe vendosen në Prishtinë, ku në mungesë të papunësisë së madhe, bëhen barrë sociale, ku pushteti lokal nuk mund t’i përballojë me buxhetin e tij të përkufizuar në ngritjen e infrastrukturës ekonomike dhe shoqërore. E gjithë kjo bëhet në mungesë të zbatimit të planit hapësinor. Nëse nuk ndërpritet kjo valë imigruese e popullatës, ky proces më vonë do të na kthehet bumerang dhe problem në vete për shkarkimine Prishtinës.

Në shenjë ndihmese, e me qëllim që të jap kontributin tim profesionalo-shkencor e intelektual në zhvillimin ekonomik, unë i ofroj Qeverisë aktuale Projektin ideor për hartimin e “Strategjisë së Zhvillimit të Republikës së Kosovës 2021-2030”, të zbërthyerë në pjesë, teza e nënteza, me arsyetim me shkrim, dhe si mund të hartohet ky dokument madhor në të cilin mbështetet zhvillimi i ardhshëm i Kosovës!.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat