Drejtësia vonon, por nuk gabon

Opinione

Drejtësia vonon, por nuk gabon

Nga: Dedë Preqi Më: 9 qershor 2021 Në ora: 16:01
Dedë Preqi

Kaluan 26 vite mbas luftës në Bosnjehercegovinë, kur Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, e konfirmon dënimin e kriminelit dhe kryekasapit të kësaj lufte Ratko Mlladiq. Edhe pse kjo gjykatë është vonuar gjatë proceseve të saj, por duket se ka edhe diçka pozitive, dhe se veprimi i drejtë i kësaj gjykate është diçka që është pritë deri më tani për dënimin e kriminelëve, jo vetëm të krimeve të luftës që janë kryer në Bosnje, por mendohet edhe për krimet tjera dhe ato që janë bërë në Kosovës.

Krimineli serb Ratko Mlladiq, ishte një udhëheqës me famë në luftën e Bosnjes, i cili në vitin 1995, urdhëroi ushtrinë e vet kriminele, që të ekzekutojë më shumë se 8000 mijë burra dhe djem të rinjë të pa armatosur, në Srebrenicë, ku një masakër e tillë nuk mund të quhet ndryshe përveq se një gjenocid, i cili ishte tmeri më i madh njerëzor që mbas Luftës së Dytë Botërore.

Sllobodan Millosheviqi, e bëri Mlladiçin, komandant dhe strateg kryesor në Bosnjehercegovinë, duke e armatos dhe furnizue me armë të ndryshme, që të bëjë spastrimin etnik në Kroaci dhe në Bosnje. Ndërsa, Radovan Karaxhiq, ishte krahu i djathtë i Mlladiçit, i cili edhe ai e muar dënimin e merituar me burgim të përjetshëm.

Gjatë luftës në Bosnjehercegovinë, të vitit 1992-1995, nën komandën e Mlladiçit, u terrorizuan, malltretuan dhe u muarën peng me qindra e mija boshnjak, të cilët edhe i masakrauan në formën më të tmershme e gjenocidiale. Nën komandën e gjeneral Mlladiçit, edhe forcat paqëruajtëse të Kombeve të Bashkuara nga Holanda, të cilët qëndronin në Bosnje, i muarën peng ushtarët tyre, dhe duke e bërë ekzekutimin e popullatës boshnjake në prani të tyre.

Krimineli Mlladiç, pas luftës në Bosnje, u ndoq më shumë se një dekadë nga hetuesia dhe Gjyqi Ndërkombëtar, të cilin një kohë të gjatë e mbrojti dhe e fshehu Serbia, por duke ditur se krimineli në fjalë, shkakëtoj një gjenocid të pa parë ndaj një populli të pafajshëm dhe të pa armatosur, që nuk mbahet mend që nga koha e Gjermanisë hitleriane, u detyrua shteti serb, që kriminelin Mlladiç, ta dorëzojnë në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë.

Kaluan më se 21 vjet, edhe nga lufta e Kosovës, akoma ka dhimbje dhe pasoja nga kjo luftë që shkakëtoi një regjim i njëjtë serb, krimi i të cilit ende nuk e ka marrë përgjigjen e duhur, duke shkakëtuar më se 400 masakra në tërë Kosovën, ndaj njerëzve të pa fajshëm dhe të pa armatosur, dhe kriminelët e kësaj lufte as 10% të tyre nuk e kanë marrë dënimin e merituar.

Një ndër masakrat më të rënda dhe të tmershme që shkakëtoi Serbia në Kosovë, ishte edhe ajo e Reçakut, të cilën masakër e njohu edhe bota, duke iu falenderuar ambasadorit amerikan Wiliam Walker, ndërsa kryetari i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, një masakër të tillë e quan edhe « trillim ».

Edhe presidenti i sotëm i SHBA-ve, Joe Biden, reagoi me rastin kur Dhoma e Apelit e Gjykatës Penale Ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara në Hagë, e konfirmoi dënimin me burg të përjetshëm për kriminelin dhe kasapin e Bosnjes, Ratko Mlladiç, të cilin vendim e quan edhe historik, duke thënë se, ata që kryejnë krime ndaj njerëzimit, duhet edhe të mbajnë përgjegjësi dhe të dënohen.

Thojnë se drejtësia vonon, por nuk gabon, prandaj presim që drejtësia edhe për Kosovën, të përcaktohet dhe realizohet një ditë, dhe të gjithë ata kriminel që kryen krime dhe masakra ndaj popullatës së pa fajshme shqiptare në Kosovë, një ditë të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar, apo të njëjtë sikur Mlladiçi dhe Karaxhiçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat