Modeli i deputetit Shaip Kamberi për në bisedimet Kosovë-Serbi!

Opinione

Modeli i deputetit Shaip Kamberi për në bisedimet Kosovë-Serbi!

Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi Më 26 qershor 2021 Në ora: 07:52
Shaip Kamberi

"Mund të ndodhë zoti President që në njërën nga raundet e radhës përballë në tryezën e bisedimeve të keni Saranda Bogujevcin, familjen e së cilës e kanë vrarë Skorpionat serbë. Njerëzorja në ju nuk do t'ju lejojë ta shikoni në sy qetazi".

Kjo ishte një nga përgjigjet e deputetit të Luginës së Preshevës në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, drejtuar presidentit Aleksandër Vuçiq. Kur e lexova këtë replikë të atdhetarit dhe mbrojtësit të flaktë të çështjes së Kosovës, zotit Kamberi, më kujtoi menjëherë retorikën dhe argumentin e Ibrahim Rugovës për mbrojtjen e vendit të tij të sunduar dhe dhunuar nga Serbia e Milosheviçit.

Fjala e zotit Shaip Kamberi në parlamentin e Serbisë është e pazakontë, ngjan p.sh me fjalën e Dr. Ibrahim Rugovës në Lidhjen e Shkrimtarëve të Jugosllavisë diku nga viti 1987. Në atë mbledhje kishte folur edhe Rexhep Qosja, por qasja e tij me tone nacionaliste nuk kishte peshën e fjalës se Dr. Rugovës. Arsyeja: Sepse Ibrahim Rugova kishte zgjedhur argumente humane për ta mundur dhunuesin. Nuk zgjodhi asokohe, as më vonë, termat e heroizmit dhe epikën e Mujit e Halilit për ta kundërshtuar politikën shtypëse të Beogradit në Kosovë. Prandaj dhe e mundi me sukses propagandën dhe qasjen serbe kundër shqiptarëve.

Sot Shaip Kamberi na ofron një lloj modeli, me të cilin mund të përballet arroganca dhe cinizmi i qeverise dhe presidentit të Serbisë me humanizmin e viktimave të tyre në Kosovë. Saranda Bogujevci është njëra prej këtyre viktimave që e vendos me shpatulla për muri presidentin e kallashnikovit në Beograd. Por mund të jetë dhe Vasfije Krasniqi, Donika Gërvalla e shumë të tjerë, të cilët kanë sakrifikuar veten e familjet e tyre për lirinë e Kosovës. Përballja e viktimës me agresorin është vdekjeprurëse për këtë të dytin.

Edhe interlokutorët nuk do të bëhen më palë me agresorin e kallashnikovit. Do të reflektojnë dhe do të thonë "Prit! Këtu po përballen viktimat me dhunuesit. E si mund të bëhet drejtësia duke privilegjuar dhunuesit, në këtë rast presidentin e Serbisë?!!" Do të ketë tjetër imazh dialogu midis Kosovës dhe Serbisë dhe mediet ndërkombëtare do të bëhen pjesë e këtij dialogu shumë interesant edhe për to. Nëse qeveritë e mëparshme nuk patën interes ta ndërtonin dialogun në këto shina të përballjes së humanes me dhunën e arrogancën e agresorëve, qeveria Kurti ndoshta duhet të shohë edhe përbërjen e delegacionit.

Është shumë efektive që në takimet me Vuçiq çdo herë të jenë përkrah kryeministrit, veç të ngarkuarit për dialogun, edhe një nga viktimat e Serbisë në politikën e Kosovës! Është shumë prekëse nëse viktima dëshmon me gojën e vet në sy të përfaqësuesve të Brukselit apo të Amerikës dhe presidentit të Serbisë atë çfarë ka përjetuar nga ushtarët dhe policët serbë në kohën e dhunës e terrorit në Kosovë. Nëse në krah të kryeministrit do të jenë këto viktima direkte të dhunës serbe, atëherë presidenti Vuçiq, apo kryeministrja Bërnabiq do të hezitojnë të bëjnë kërkesa maksimale, si ajo për Asociacionin apo ekstra-territorialitet në Kosovë. Edhe nëse do t'i bënin këto kërkesa, ato nuk do dëgjoheshin, siç dëgjohen tani përmes valëve të propagandës false të Serbisë dhe mbështetësve të saj në Prishtinë e në Tiranë!

Shaip Kamberi ka dhënë një shembull se si mund të fitohet beteja e fundit me Serbinë, tashmë në tavolinën e bisedimeve. Mos luani kokëfortin në këto bisedime. Jepni modelin se viktimës së viktimizuar nga këta banditë që u gjenden përballë në atë tavolinë. Mos kini turp nga viktimizimi, sepse që shqiptarët kanë qenë gjithmonë një viktimë e armiqve të tyre e sidomos të serbëve, ky është një realitet i patjetërsueshëm. Nëse nuk e pranojmë këtë të vërtetë do të dukemi rrejshëm se qenkemi të fortë e për me forcë, harrojeni se mundet Serbia edhe në tavolinë bisedimesh. Ajo ulet në tavolinë me përfaqësuesit e Kosovës për të grabit atë që i takon Kosovës. Ndryshe nuk do të ishte aty. Prandaj përballeni Aleksandër Vuçiqin me viktimat e veta në Kosovë, kur ai ishte ministër informacioni i Milosheviçit. Por përballeni edhe me deklarata që vetë ai ka bërë vitet e fundit, me të cilat ngre lart figurat e kriminelëve serbë, përfshirë dhe kasapin e Ballkanit, Sllobodan Milosheviç.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat