Ja ke fut kot Kimete

Opinione

Ja ke fut kot Kimete

Driton Gumnishta Nga Driton Gumnishta Më 27 qershor 2021 Në ora: 10:34
Kimete Berisha, Albin Kurti

Popullizmi si ideologjie dhe sjellje është shndërruar në mirë mëngjesin dhe natën e mirë e të gjithë ditës aktive politike, shoqërore, artistike, sociale, …, gjithëshqiptare.

Politikanët popullizmin e përdorin me fjalime e veprime politike drejtuar klasave popullore, bazuar në kritikat ndaj sistemit dhe përfaqësuesve të tij. Këtë e bëjnë me kalkulime të sakta e për të marrë pushtetin. Mjerisht, në këto fare pak kohësh turbulence politike (edhe duke mos u pajtuar me të), kjo po konsiderohet tanimë si «mjet i pranueshëm politik»!

Ndërsa, jo-politika, në thelb, nëse e përdorë popullizmin si mjet, do duhej bërë si shkollë letrare, e cila kërkon, nëpër shkrime a paraqitje të portretizojë me realizëm jetën e njerëzve të thjeshtë. Këtu pra, njeriu i dijshëm nuk do të duhej ta bënte për asnjë lloj përfitimi, përçarje apo rritje personale por, kryekëput të dërgojë një porosi, këshilluese, pakënaqësie a pikëpamjeje të tij/saj dhe kaq.

Joo, nuk bënë kështu!

Po s’u mor kush me mua nuk e kam arritur qëllimin, andaj, në shkrimet e mia duhet medoemos provokuar a skandalizuar gjë, duhet ndezur dikë…., dhe vetëm pastaj vjen në shprehje mesazhi i vërtetë i shkrimit, nëse ai fare ekziston!

Fatkeqësisht, edhe unë, me vetëdije, «do të vetë-flijohem duke vet-rënë» viktimë e lakut popullist e provokator të ngritur nga një shkrim me titullin «Po ngutesh, Kimeteeee... ».

Këtë, jo pse jam Mazo dhe se dhimbja në tekstin e autores po më shkakton ndonjë kënaqësi !!! Larg qoftë. Por, sepse porosia në këtë artikull është përçarëse me tendencë denigrimi për disa dhe ngritjeje të te tjerëve. Sepse të menduarit për të shkruar diçka e për të mos thënë gjë më vlerë po dëgjohet deri këtu dhe po del ngulfatës e jo i drejtë.

Duke qenë pjesë fizike e «Popullit të Qeverisë Kurti në ekzil», edhe një herë më shumë, me keqardhje e pranova këtë konstatim përçarës përplot shëmtim. Duket se si përsëri po goditet paskrupullt për ndasi, në përkatësi të « ne dhe ju », në ligështim të njërës dorë dhe përforcim të dorës tjetër të të njejtit trup, në vet-lëndim gjymtues të panevojshëm e shumë dëmtues që mbase dikujt edhe po i shkakton kënaqësi, ku i dihet!!!

Tani, se:

- Përveç votuesve në Kosovë, ata në «Ekzil» janë me shumicë me këtë Qeveri ky është realitet aktual dhe e vërtetë e pakontestueshme.

- Kryeministri Kurti, Presidentja Osmani, Ministër Gërvalla,…etj. pas Presidentit Rugova dhe luftëtarëve të UCK-së po përjetohen si përfaqësimi më dinjitoz i shumicës absolute e sidomos atyre në «Ekzil» edhe kjo është po aq e vërtetë,

- Kjo Qeveri po kontestohet nga të tjerë me bindjen se vetëm popullizmi i ka sjellë në pushtet dhe se zhgënjimi do të jetë më i madhi deri sot edhe kjo po thuhet si e vërtetë,

- Nëse njëmend Albin Kurti duke rrezikuar jetën e tij nën pendrekun e burgut serb por edhe para Gjykatës Hetuese të tyre guxonte ta kërkonte dinjitetshëm Republikën e pavarur të Kosovës dhe ta mohonte të drejtën serbe mbi të, kurse tani po «luaka lojna politikë përfituese populliste», e se kjo do ti kushtoj me «vdekje politike» edhe kjo po dëgjohet si e tillë,

- Sidomos duke e sharë sot Albinin, Vjosën, Donikën, apo edhe të tjerët para tij, (demek si opozitar), por me shkurt-pamësi politike dhe pa asnjë themel argumentues, përveq që është vogëlsi shpirtërore kundër-kahëse është sidomos tendencë populliste për t’u vet-përmbushur, vet-ngritur e vet-vlerësuar në sytë e të tjerëve,

Dhe që të jem i sinqertë, ajo që “më nguci » nuk ishte pjesa e parë e fjalisë, por sidomos ajo ku thuhet se «Qeveria Bukoshi, vetë ishte në ekzil e popullin e kishte në Kosovë».

E vërtetë se shumica e popullit të Qeverisë Bukoshi ishte në Kosovë (njëra dorë), por që ajo Qeveri kishte edhe një dorë shumë të fortë në «ekzil» këtë e di vet.

Atëbotë, sa ishte privilegj të merrje përsipër udhëheqjen e hallkave të zinxhirit gjithë përfshirës politiko-organizativ të numrit gjithnjë në rritje të këtyre në «Ekzil», ishte edhe më shumë ngarkesë dhe përgjegjësi.

Duke qenë me vite i zgjedhur në cilësinë e kryetarit të LDK-së si subjekti i vetëm politiko-organizativ i kohës (në shtetin ku veproj), e di vet se sa e vështirë ishte t’u kërkoje njerëzve në « Ekzil » që të linin obligimet e tyre ditore dhe të organizonim tubime masive nëpër të gjitha kryeqendrat e Evropës.

Ndërsa, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit Qendror dhe Këshillit drejtues të Fondit të Republikës së Kosovës (3%), në po këtë shtet, e di po ashtu vet se akoma më e vështirë ishte t’u kërkoja këtyre në «Ekzil» të nxirrnin monedhën e fundit nga gjepat e tyre të cekët financiar që të ndihmohej tërësia, trupi pra, dhe jo vetëm njëra dorë sikur që juve sa e keni shndërruar në modë populliste përçarëse.

A po e shihni pra se Qeveria Bukoshi asokohe nuk po i mbushte autobusët me popullin e tij vetëm nga Kosova por nga atje ku ishin e sidomos nga « Ekzili ». Po ashtu, edhe Qeveria Kurti sot po i mbushë këta autobusë nga tërësia e jo vetëm nga «Ekzili» !

Sinqerisht, do të doja që kjo të mos lexohet si auto-promovim personal sepse as që kam nevojë për të por, kuptojeni dhe promovojeni se Qeveria është e të gjithëve kudo që ata janë dhe se në këtë kohë kemi nevojë sidomos për tërësinë, për secilin, kudo që ai është dhe jo vetëm për pjesëzën.

Andaj, edhe pse provokimi juaj i arritur më detyroj edhe të reagoj por edhe të dilja nga modestia, këshilla ime por edhe e shumë të tjerëve në « Ekzil » e posaçërisht e shumicës në «jo Ekzil» mendoj unë, do të ishte që para se të shprehni pikëpamjet tuaja publike të keni kujdes me porosinë që plasoni.

Ndryshe, para se të shkruash a folësh, ki mendtë Kimeteeee….

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat