Skënder Farka, inxhinieri dhe veprimtari model, që ecën më shpejt se koha… 

Opinione

Skënder Farka, inxhinieri dhe veprimtari model, që ecën më shpejt se koha… 

Gëzim Loka Nga Gëzim Loka Më 10 korrik 2021 Në ora: 07:07
Skënder Farka

Të shkruash për Profesorin e nderuar dhe veprimtarin e përkushtuar Skënder Farka, duhet të ndjekësh gjurmët e tij në kohë, të “mbledhësh” ëndrrat e tij si xixëllonjat netëve dhe t’ia përcjellësh lexuesit tok me mesazhin e bukurisë së të jetuarit për të tjerët, çfarë dallon njerëzit e zakonshëm nga veprimtarët model, si Skënderi, në punën e tyre dhe në jetë.  

Me Skënder Farkën, veprimtarin e shquar të shoqatës aktive “Tirana” na lidhin udhëtimet drejt Lurës, përkushtimi I tij njësoj si të ishte lurian, për të qenë gjithherë i pranishëm në këtë trevë të mrekullueshme, të vlerave unike natyrore, historike dhe njerëzore. Vajtjet e tij në Lurë, më tepër se “gudia” turistike, kanë qenë dhe mbeten projeksionet e një njeriu fisnik, intelektuali vizionar, për të prekur hallet e më të pamundurve, edhe në vendlindjen time të degëve e rrënjeve, duke gjetur tek Skënder Farka një model të njeriut të përkushtuar, për t’iu ardhur në ndihmë nevojtarëve dhe të pamundurve.  

Takimet me të janë gjithmonë supriuese dhe nuk janë kurrë kafe të rëndomta fjalësh pa bukë, por të mbushura me dialogje  që prekin hallet, shqetësimet dhe kauzat e tij, në shërbim të një komuniteti, hapësirën e të cilit duket se e ndjen në çdo pore lëkure dhe rrahje zemre. Jo vetëm për Tiranën dhe shoqatën e saj prestigjioze, ku kontribuon me mish e me shpirt duke lënë pas gjurmë mbresëlënëse, por dhe Lura ia ka parë hairin këtij njeriu kaq kërkues ndaj vetes dhe që kërkon të çojë kudo ku I shkel këmba dhe I sheh syri mesazhe dashurie dhe fisnikërie për jetën njerëzore.   

Jeta nuk ka qenë aspak e lehtë për këtë veprimtar të palodhur, që me punë e dije, me libra dhe ndihma konkrete për të pamundurit, me pasionin e një kërkuesi të palodhur thesaresh të natyrës dhe shpirtit njerëzor, bën për vete gjithkënd që vështron përtej hundës së tij dhe kërkon të bëjë diçka për të tjerët, për t’ua lehtësuar sadopak barrën e vështirësive dhe sfidave të jetës.  
Skënderi lindi në një familje tiranase me tradita të forta atdhedashurie, arsimdashëse dhe qëndrestare ndaj vlerave të familjeve qytetare. I ati i tij, Haliti, ishte një mjeshtër rrobaqepës, diplomuar në Itali. Ai së bashku me bashkëshorten e tij fisnike, bijë e derës së mirënjohur Fagu, lindën dhe rritën katër djem, të cilët u bënë të gjithë me shkollë të lartë, me kurse pasuniversitare dhe specializime në fusha të ndryshme. Në këtë mjedis u rrit dhe edukua Skëndëri, me dashurinë për vlerat njerëzore, për traditat më të mira të Tiranës dhe gjithë hapësirave shqiptare, ku i pëlqen të prek dhe shikojë çdo pëllëmbë të tyre.   

Shkollën e mesme e kreu në Politeknikumin “7 Nëntori’ në vitin 1957 me rezultate te mira, ku pas përfundimit të kësaj shkolle e caktojnë të punojë si teknik në Hidrocentralin e Matit, për të vijuar në vitin 1960 studimet e larta në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, pranë UT, duke u diplomuar në vitin 1964 si inxhinier i përgjithshëm, ku fill pas mbarimit emërohet si kryeinxhinier në uzinën “Traktori”. Në këtë vit nis një veprimtari të ngjeshur sportive e sidomos në alpinizëm, duke u ngjitur majave të maleve më të larta të vendit, ndërkohë që pajiset dhe me diplomën “Alpinist i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, i kategorisë së parë.  

Skënderi specializohet në vitin 1871-1972 në për konstruktor në Kinë e në vitin 1980 specializohet në Francë.  
Në vitin 1978 emërohet në detyrën e zyrtarit të lartë të ministrinë e Industrisë dhe Minierave, ku qëndron deri në vitin 1983. Për punë pasiononte e përkushtuese është dekoruar me “Medaljen e Punës të klasit të tretë”. Më vonë, për punë përkushtuese e plot dije e pasion, në shërbim të vlerave njerëzore e shkencore në punët e ushtruara, merr “Medaljen e Punës të Klasit të Dytë”. Në vitet 1983-1990 punon në sektorin e gjeologji-minierave, duke mbuluar Uzinën Gjeologjike të Tiranës, minierat e Bulqizës dhe Batrës. Gjatë viteve 1990-2000 ka përfaqësuar industrinë e rëndë pranë institucioneve qeveritare dhe ndërkombëtare, në nivelin e Konfederatave të Shqipërisë. Në vitin 2000 del në pension, por nuk resht së punuari në shoqatën “Tirana” dhe në veprimtari të tjera, me përkushtimin dhe idealitetin e atij djalit të ri, që e nisi rrugëtimin e ëndrrës dekada të shkuara.  

Gjithashtu ka marrë certifikatat “Nderi i Lurës” nga shoqata “Lura jonë” dhe “Miku i Lurës”, ku një pemë simbolike është mbjellë në Lurë me emrin e tij.    

Surprizës, të mbushur me jetë dhe dinamizëm, me shtigje shprese dhe ëndërrimi janë dhe librat e tij, shpalimet e kujtesës së tij në kohëhapësirën e një ëndrre njerëzore, mbushur me detaje të imëta dhe përshkrime e zhbirime të holla të mjediseve që përshkruan me penën e tij të hollë. 

Teksa lexoja librin e tij “Lugina e Kërrabës, njësia administrative Bërzhitë”, m’u shpalosën si në një ekran të gjerë pamje vendesh të virgjëra, plot bukuri e sharmë natyror, perla në hije të një bukurie dehëse, turistike dhe të shpirtit njerëzor, që ia vlen të njihen, eksplorohen e shijohen. 
Skënder Farka bën në këtë libër një “udhëtim” kujtese dhe përvoje, duke shëtitur me këmbë e me mendje nëpër zona të caktuara të Tiranës, kryesisht në fshatrat e saj, ku ka një njohje të thellë dhe ku kanë mbetur gjurmët e tij në kohë. 

Në këtë libër, Skënder farka prek konkretisht realitetin gjeografik, historik, aktual; por duke e sjellë këtë prekshmëri në mënyrë të bollshme, të studiuar e të detajuar edhe për lexuesin e pasionuar, që kërkon të dijë më shumë rreth vendeve të ndryshme, për monumentet natyrore, konfiguracionin gjeografik, të ndodhurat e djeshme dhe të sotme, të njohë njerëz të këtyre vendeve etj. Thënë ndryshe, në këtë libër, Farka konturon dhe plotëson një enciklopedi turistike, ku shënimet e tij, përshkrimet dhe analizat e imëta, mbeten një gur themeli në këtë fushë, duke tejkaluar parimet dhe normat e një kërshërie të thjeshtë në formatin vetëm të guiditimit turistik. Më tej ka bërë këto botime, një kolanë prej gjashtë librash mjaft domethënës: “Shëtitje turistike nëpër fshtatrat e Tiranës”, ku në botime të veçanta ka detajime dhe hollësira rreth komunës Dajt (2012), rreth komunës Zall bastar (2013), komunës Shëngjergj (2014), Kërraba dhe njësia Bërzhitë (2017) Njësia administrative Farkë (2020), ku lexuesi mëson jo vetëm gjeografinë dhe resurset turistike dhe ekonomike të këtyre zonave, por dhe figurat, historinë dhe entokultuturën e tyre.  

Autori sjell në këto libra magjitë e bukurisë mjedisore të trevave të Tiranës, ku dora e njeriut dhe përkujdesja e shtetit nuk kanë qenë as në kuota minimale, që të mund t’i përgjigjeshin këtij distanconi turistik, historik dhe entnokulturor.  

Skënder Farka është një njeri i ditur dhe i shëtitur, me një përvojë të madhe intelektuale dhe njerëzore, ish pedagog, studiues aktiv, veprimtar i shquar dhe njeri human, që komunikon me miq e shokë të shumtë në të katër anët e Shqipërisë, ku në fshatra më të thellë, si në disa fshatra të Lurës së Dibrës, ka çuar herë pas here ndihma dhe ka bërë që emri i tij të gdhendet në kujtesën e banorëve të këtyre anëve, sidomos në Lurë ku e presin dhe e përcjellin me dashuri si të ishte një bir Iidenjë i Lurës.  
Skënder Farka, është njeri i punës dhe vlerave, inxhinieri dhe veprimtari model, që ecën më shpejt se koha… 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat