Tragjikomedi në skenën politike të Brukselit

Opinione

Tragjikomedi në skenën politike të Brukselit

Nga: Gjokë Dabaj Më: 20 korrik 2021 Në ora: 14:14
Gjokë Dabaj

A. Vuçiqi i thotë A. Kurtit: Mos u kthe në shekullin XIX, kur vetë jeton në shekullin XIII. Evropa i jep të drejtë A. Vuçiqit.

Kjo është tragjikomedia që po luhet sot në skenat politike të Evropës sonë. Pa moral e rrjedhimisht edhe me logjikë të deformuar! Me logjikë të tjetërsuar deri në shkallën e patologjisë.

Si mund t’i thuhet A. Kurtit: Ti po jeton në shekullin XIX, kur në po atë tryezë po diskutohet edhe problemi i pronësisë mbi Manastirin e Deçanit, që e kanë uzurpuar paraardhësit mesjetarë të A. Vuçiqit?! A ka farë kthjelltësie mendore ky ndërmjetës evropian, apo është krejt në gjendje halucinacioni?!

Si mund t’i thuhet një shqiptari, qoftë edhe në rrugë, harro të kaluarën, shiko të sotmen dhe të ardhshmen?! Disa mijëra shqiptarëve nuk u dihen varret! Disa mijëra gra shqiptare jetojnë ende nën traumat shpirtërore të përdhunimevet! Disa qindra fshatrave shqiptarë ende s’u është shuar shkrumbi i zjarrevet, vënë prej njerëzish, të cilëvet A. Vuçiqi po u jep pensione!

A. Kurti, kryetar i një qeverie legjitime në Republikën e Kosovës, po pranon të ulet në një tryezë bashkë me kryeministrin e një shteti që juridikisht nuk e njeh Republikën e Kosovës. Dhe përfaqësuesit të Evropës së Bashkuar as që i shkon mendja ta falenderojë A. Kurtin dhe të falenderojë kombin shqiptar, i cili po pranon të bisedojë me vrasësit e fëmijëvet të vet!

Në asnjë gazetë të Evropës nuk u vu në dukje kjo veçori e shqiptarëvet! Kjo shpirtmadhësi e një kombi të masakruar! Asnjë gazetë nuk tha: Shqiptarët janë popull tolertant. Shqiptarët janë popull që duron shumë.

Në asnjë gazetë të Evropës nuk u tha që Sërbia e ka pushtuar Kosovën në gjysmën e parë të shekullit XX dhe po kërkon ta ripushtojë në shekullin XXI!

Në të vërtetë, kjo s’është tragjikomedi. Kjo është tragjedi e shkaktuar nga politikanët shkurtpamës të këtij kontinenti! Të kësaj Evrope që i ka sjellë kaq shumë të mira dhe të këqia krejt njerëzimit dhe që për vete ka rezervuar të mbetet, me sa duket, deri në fund, shkaktare fatzezë luftërash dhe shfarosjesh apokaliptike!

Një Evropë e mençur, po të ish e mençur, njeriun që udhëhoqi bisedimet A. Kurti - A. Vuçiq, duhej ta kish shkarkuar nga detyra që të nesërmen!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat