Hetem Halili, ushtaraku dhe veprimtari model, që la pas gjurmë për t’u ndjekur...

Opinione

Hetem Halili, ushtaraku dhe veprimtari model, që la pas gjurmë për t’u ndjekur...

Gëzim Loka Nga Gëzim Loka Më 22 korrik 2021 Në ora: 20:38
Hetem Halili

U shua dhe një burrë qëndrestar nga aradha e Veteranëve të këtij vendi, duke lënë pas gjurmët e një veprimtari të përkushtuar dhe fisnikërinë e njeriut që i donte njerëzit dhe iu jepte duart kohës dhe bashkëkohësve, që të mund të ecnim të gjithë në rrugëtimin e vështirë të jetës. 

Hetem Halili ndërroi jetë, duke lënë pas dashurinë e pashuar për miqtë, kolegët, bashkudhëtaret e tij veteranë, me të cilët punoi e kontribuoi deri në frymën e tij të fundit.

Gjithçka që ai la pas është një testament urtësie dhe fisnikërie, një thirrje për ti prekur dhe kuruar plagët e kësaj kohe të sëmurë, një mesazh për tu ngritur mbi ndasitë dhe kufizimet e këtyre kohëve të vështira. 

Oficer karriere, shef politik, njeri me ide dhe vizion, kuadër me qasje realiste ndaj jetës dhe njerëzve, vartësve, kolegëve dhe eprorëve, Hetemi ishte dhe mbeti një model i njeriut të përkushtuar, që di se çfarë kërkon nga vetja dhe të tjerët. Jeta nuk qe aspak e lehtë për këtë bir të shquar të Përmetit, baticat qenë të forta, por ai e pa jetën në sy dhe bëri çfarë mundej e nuk mundej që të ecte përpara, pa iu nënshtruar për asnjë çast të keqes. 

Në çdo hap, ai pati si busull orientuese dashurinë për njerëzit, për t’i ardhur në ndihmë gjithkujt që kishte nevojë për përvojën e tij, përkushtimin dhe fisnikërinë e një intelektuali dhe njeriu me botë të pasur shpirtërore.  

Ikja e tij ka lënë në hidhërim të thellë jo vetëm familjen dhe farefisin, shokët dhe miqtë e tij, por gjithë ata që shikonin tek Hetemi njeriun e mirë, aktiv dhe pa përtuar, i cili bënte gjithçka mundej për të qenë pranë njerëzve, në momentet e tyre më të vështira.  

Lindi në Seriçan të Përmetit më 15.07.1934, ku që në moshë të njomë mbeti jetim dhe u rrit në fshatin Kakos ku kreu dhe shkollën fillore, ndërkohë që shtatëvjeçaren e kreu në qytetin e Elbasanit. Më tej vazhdoi shkollën e mesme “Skënderbej” dhe Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, që e mbaroi në vitin 1954. 

Fillimisht punoi si oficer në Kavajë. Nga viti 1955-1960 punoi si oficer në Sazan. 1960-1968 ishte Përgjegjës i Rinisë në Bazën Ushtarake Detare Vlorë. 1968-1969 në Fier dhe Lushnje ishte zëvendës Komisar Brigade. 1969-1974,  Inspektor i Përgjithshëm në Drejtorinë Politike. 1974-1976, Komisar i Brigadës së Parë Sulmuese në Tiranë. 1976-1978 kreu Akademinë Ushtarake. 1978-1983  u emërua zëvëndës Sekretar dhe Komisar i Korpusit të Burrelit. 1983-1989, kohë kur doli ne pension, ishte  Komisar i Divizionit të Librazhdit. Ka kryer Universitetin e Tiranës për Histori-Gjeografi, ka kryer Kursin e lartë të Filozofisë dhe ka qenë Anëtar i Komitetit Kombëtar  të Veteranëve.

Hetem Halili ishte dhe mbeti një burrë i fjalës së mbajtur, njeri i veprimit dhe aksionit, burrë me kurajë dhe vitalitet që e donin, e çmonin dhe vlerësonin të gjithë, miq, kolegë, të rinj e të moshuar…

Ai gjithmonë ka shprehur mendime të vyera, duke ia vendosur gjithkujt dorën në ballin e sëmurë, duke tentuar që të përçojë tek të gjithë fisnikëri dhe dashuri njerëzore. 

Njerëz si Hetem Halili, që po pakësohen gjithnjë e më shumë në këtë vend të një mijë e një halleve, me aktet e tyre të përçdokohshme, me përkushtimin për punën dhe dashurinë e pashuar për njerëzit, me kauza të qarta dhe qasje të qarta ndaj këtij realiteti që shpesh i ngjet absurdit, na la pas një jetë plot pasion dhe energji pozitive, vlerësimin dhe kontributin e çmuar në gjirin e Veteranëve të Republikës, të cilët e çmojnë aq shumë këtë kontribut ndër vite. 

Duke i dhënë lamtumirën këtij biri të dashur të një treve të mrekullueshme, aq miqësore dhe paqësore, veteranët, ushtarakët, miqtë, shokët dhe bashkëluftëtarët, i japin lamtumirën një modeli në punë e në jetë, në familje e shoqëri, që la pas vetes, për sot dhe për nesër, një vepër dinjitoze, për t’u kujtuar gjithmonë nga brezat dhe kohërat... 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat