Slogani “Liria ka emër” po e mban Kadri Veselin në burg

Opinione

Slogani “Liria ka emër” po e mban Kadri Veselin në burg

Faton Mehmeti, Bota sot Nga Faton Mehmeti, Bota sot Më 24 korrik 2021 Në ora: 19:13
Kadri Veseli

Folklorizmi i shpikur nën moton Liria ka emër”, duke mos e përligjur aspak këtë sentencë me emrat për të cilët është krijuar, përveç tjerash, doli të ishte pengesë pikërisht për ata për të cilët edhe u krijua ky slogan. Ndonëse, po themi nuk përkon aspak me ata për të cilët është krijuar ky slogan, ata që e krijuan dhe mbi të gjitha edhe ata që e mbështetën, kanë dëshmuar një lloj amatorizmi dhe papjekurie për mënyrën e veprimit të tyre.

Me deklarata të papjekura, të pavenda dhe krejtësisht të panevojshme janë dëmtuar ata që po mbahen në Hagë, në vend se të ndodhte e kundërta. Kjo ka mjaftuar që Kryeprokurori i Dhomave të Specializuara, Jack Smith, në një dokument të dërguar në adresë të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake të Hagës, ka listuar argumentet e tij, se pse Kadri Veseli duhet të mbetet ende në paraburgim dhe pse duhet refuzuar kërkesa e mbrojtjes për mbrojtje në liri. Kryeprokurori Smith ka përmendur fushatën “Liria ka emër, UÇK”, që sipas tij ka bërë jehonë kohëve të fundit, teksa thotë se është e provuar që Kadri Veseli ka ndikim tek ish-vartësit dhe përkrahësit.

“Fushata ka qenë shumë e zëshme në muajt e fundit, duke demonstruar një rrjet konkret dhe aktiv mbështetës për të akuzuarin”, thuhet në dokumentin e Prokurorit Smith.

Smith në argumentimet e tij ka përmendur edhe deklaratën e ushtruesit të detyrës së kreut të Veteranëve të UÇK-së, Faton Klinaku, se do të publikojë përsëri dokumente të Gjykatës Speciale në rast se i bien në dorë. Kjo deklaratë e Klinakut të Veteranëve bashkë me fushatën “Liria ka emër, UÇK” janë dy prej argumenteve të shumta që Smith ka listuar, e që sipas tij rrisin rrezikun, në rast të lirimit të Kadri Veselit nga paraburgimi.

Nëse vërtet duan t’i ndihmojë Kadriut, Hashimit, Rexhës, Jakupit dhe të tjerëve, duhet pasur një strategji të mirëfillte që më fakte, duke kontribuar me dokumente, prova, të dëshmohet pafajësia e tyre, jo me veprime fëmijërore, folklorizma banal. Këto gjëra mund të pinë ujë në Kosovë, por jo tek gjyqtarët në Hagë. Nuk mundesh me mentalitet provincial të diktosh punën e Speciales, as të prokurorëve atje.

Ata që e krijuan këtë slogan duhet të kërkojnë falje Kadri Veselit, pasi janë pengesë që ai mos të mbrohet në liri, këtë gjë duhet edhe familja Veseli ta kërkojë nga ata që me folklorizma primitive vetëm dëme të mëdha i kanë bëre Kadriut dhe të tjerëve. Ky rast duhet të na shërbejë si shembull që me mendësi provinciale, me folklorizma nuk mbrohet historia, lavdia dhe as krenaria por as nuk ecën tutje.

Gjëja e duhur do të ishte të heshtet, secili ka avokatët e tij të paguar shumë mirë që dinë të bëjnë punën e tyre me së miri, kushdo që ka bërë ndonjë krim të paguajë, përgjegjësia është individuale. Nëse s'ka bërë krim, ndonjë të keqe, s'ka pse të brengoset askush, kushdo që është i pafajshëm do të lirohet, ata që kanë bërë të këqija do t'i paguajnë vet. Në këtë kuptim s'ka nevojë as të shpiken slogane, as të këndohen këngë, të sillemi si njerëz evropianë, ku secili mbanë përgjegjësi për veprimet e tija, si për të mirë ashtu edhe për të keq. Kështu që, duhet të këndellemi si shoqëri, ka kaluar koha e folklorizmave, e në rastet më të shumta këngë dhe himne iu është kënduar hajnave, matrapazëve, derisa heronjtë e vërtetë shpesh edhe janë tretur në harresë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat