Çfarë është platforma e rrezikshme e “bashkimit të gjithë serbëve të rajonit në një shtet të vetëm”? Si duhet të sillen përballë saj Shqipëria dhe Kosova?

Opinione

Çfarë është platforma e rrezikshme e “bashkimit të gjithë serbëve të rajonit në një shtet të vetëm”? Si duhet të sillen përballë saj Shqipëria dhe Kosova?

Nga: Shaban Murati Më: 29 korrik 2021 Në ora: 09:06
Shaban Murati

Nuk e di nëse idiotët e dobishëm të Serbisë në Tiranë dhe kozmopolitët ruralë, që jargaviten pas përrallës komuniste serbe të “parajsës së mini Shengenit”, janë ftilluar ndopak pas paraqitjes së platformës së re rrëqethëse të Serbisë për aneksimine territoreve të shteteve të Ballkanit Perëndimor, paraqitur publikisht në 18 korrik nga ministri i brendshëm serb Aleksandër Vulin. Në fjalimin e mbajtur me rastin e përvjetorit të themelimit të partisë së tij “Lëvizja Socialiste”, ku ishte i pranishëm edhe presidenti i Serbisë Vuçiç, ministri më i rëndësishëm i qeverisë serbe dhe një nga njerëzit më të afërt të presidentit serb, dhe për të cilin flitet se Moska e ka piketuar si pasardhës të Vuçiçit, Vulin paraqiti për herë të parë në mënyrëmë të plotë platformën e krijimit të asaj që Beogradi e quan “bota serbe”. Vulin deklaroi: “Detyrë e këtij brezi politikanësh është të formojnë “një botë serbe”, që është të bashkojë serbët kudo që jetojnë”. Vulin saktësoi se “bota serbe don të thotë që të gjithë serbët e Ballkanit duhet të bashkohen në një shtet serb”. Ai e quajti këtë program të “botës serbe” zgjidhje të çështjes kombëtare serbe dhe theksoi se për këtë qëllim Serbia duhet të ketë një ushtri të fortë, që të mbrojë serbët kudo që jetojnë.

Është një platformë planifikimi dhe veprimi e rrezikshme, e cila jo vetëm riprodhon mentalitetin, filozofinë dhe politikën fashiste të ish-presidentit serb kriminel lufte Millosheviç, por e paraqet si perspektivë të zhvillimit të Serbisë dhe të Ballkanit Perëndimor. 26 vjet nga mbarimi i luftës së përgjakshme të Serbisë në Bosnjë dhe 22 vjet nga mbarimi i luftës së përgjakshme të Serbisë në Kosovë, ministri më i rëndësishëm i qeverisë së Beogradit afishon një platformë strategjike nacionaliste, e cila hapur evokon dhe fton për përsëritjen e tragjedive të viteve ‘90 në ish-Jugosllavi, kur Serbia ndërmori katër agresione kundër popujve joserbë të federatës.

Është një skenar apokaliptik i politikës së sotme serbe, e cila po grish fantazmat e luftës të rivijnë në Ballkanin Perëndimor. Vërtet platformën e shpalosi ministri i policisë, por e shpalli atë në prani të presidentit Vuçiç. Presidenti serb në fjalimin e tij në atë ceremoni përshëndeti platformën e Vulinit dhe deklaroi se “ne jemi bashkëluftëtarë për një Serbi të fuqishme dhe ne duhet të mbrojmë popullin serb kudo që ai jeton”. “Bota serbe” e Vulinit është programi i “Serbisë së Madhe”, që e ka presidenti serb, dhe i cili e shpalli publikisht në 15 shkurt 2021 në fjalimin me rastin e festës kombëtare serbe. Që platforma aneksioniste e “botës serbe” është e përbashkët, e tregon edhe fakti që Vulin deklaroi në fjalimin e tij në 18 korrik se vetëm presidenti Vuçiç dhe asnjë tjetër duhet të jetë presidenti i gjthë serbëve në “botën serbe”. E shpjegoi qartë të vërtetën e punëve intelektualja e mirënjohur serbe dhe themeluese e Komitetit serb të Helsinkit, Sonja Biserko, e cila deklaroi me këtë rast se “Vulin thotë atë që mendon Vuçiçi”.

Duhet bërë e qartë në aspektin diplomatik, politik, ushtarak dhe nacionalist, se programi i “botës serbe” nuk don të thotë interesim për gjendjen e minoriteteve serbe në shtetet e tjera, që dolën nga ish-Jugosllavia. Programi i “botës serbe” nuk po kërkon as që minoritetet serbe, që jetojnë në shtetet që dolën nga ish-Jugosllavia, të ikin dhe të vijnë të jetojnë në kufijtë e Serbisë së sotme. JO. Programi i “botës serbe” po kërkon që Beogradi të bashkojë gjithë minoritetet serbe, kudo që janë, bashkë me gjithë territoret e shteteve të tjera, ku ndodhen sot. Programi aneksionist i “botës serbe”po rivendikon pjesë të mëdha të territorit të Bosnje-Hercegovinës, të Kosovës, të Maqedonisë sëVeriut si dhe gjithë shtetin e Malit të Zi, për të krijuar “Serbinë e Madhe”, me qëllim që gjithë serbët të jetojnë në një shtet, siç u shpreh në 18 korrik ministri serb i policisë.

E thënë me dy fjalë ministri më i rëndësishëm i qeverisë së presidentit Vuçiç me platformën e “botës serbe” po kërkon të rindezë luftën në ish-Jugosllavi për të prishur shtete dhe kufij dhe për të pushtuar territoret e shteteve fqinjë. Është ribotim i platformës luftënxitëse të presidentit kriminel serb Millosheviç, që shkaktoi katër agresione të shtetit serb kundër popujve të tjerë në federatën jugosllave.

Ky sinjal apo thirrje qeveritare serbe për luftra dhe aneksime të territoreve të shteteve fqinj në Ballkanin Perëndimor nuk mund të mos ngrinte një stuhi protestash dhe dënimesh të drejta nga qeveritë, nga politika, diplomacia, dhe opinioni publik në shtetet e rajonit. Platforma nacionaliste e qeverisë së sotme serbe shkaktoi dënim edhe brenda vetë shoqërise serbe, ku ka grupe realiste, që kërkojnë ndarjen përfundimtare të Serbisë nga e kaluara e mentalitetit dhe e politikës fashiste të Millosheviçit. Ministrja e jashtëme e Bosnje-Hercegovinës, Bisera Turkoviç, deklaroi në 19 korrik se: “Është i njejti kërcënim për Bosnjë-Hercegovinën, e cila vuajti nga agresioni dhe gjenocidi 26 vjet më parë”. Kryetari i partisë “Veprimi Demokratik” në Bosnje-Hercegovinë, Bakir Izetbegoviç deklaroi në 20 korrik se “bota serbe” është sinonim i “Serbisë së Madhe”: “Agresionin dhe gjenocidin kundër Bosnje-Hercegovinës e kreu pala serbe. Isteblishmenti serb-politik, kishtar, intelektual, i gatshëm të kryejë krime kundër fqinjëve dhe ne duhet ta kuptojmë këtë”. Presidenti i Malit të Zi Milo Gjukanoviç paralajmëroi qysh në 16 korrik në një konference ndërkombëtare për sigurinë në Ballkanin Perëndimor të mbajtur në Bratislavë se “Serbia e sheh Malin e Zi si pjesë të botës serbe. Serbia po e bën këtë duke u bazuar në mbështetjen e Rusisë”. Ministri i jashtëm kroat Gordan Grlic Radman ka deklaruar se Vulin po promovon politikën dështuar të ndjekur nga Millosheviçi për “Serbinë e Madhe”. Ish-ministri i jashtëm kroat dhe tani deputet në parlamentin europian, Tonino Picula, deklaroi në 19 korrik se “fjalimi i Vulinit reflekton mjedisin jo demokratik në Serbi”. Platforma e rrezikshme e “bashkimit të gjithë serbëve të rajonit në një shtet të vetëm” krijoi shqetësim dhe dënim dhe në radhët e forcave demokratike edhe publike në Serbi. Vojislav Jankoviç, një drejtues i Partisë Demokratike të Serbisë, deklaroi: “Politika e “botës serbe” është vazhdimi i politikës shkatërrimtare të viteve 90, politikë që çoi në shkatërrrimin e shtetit, të shoqërisë dhe në tragjedi të panumërta familjare”.

Në planin diplomatik duhet shpjeguar se ku e gjen qeveria e sotme e Vuçiçit guximin të rivendikojë kaq hapur aneksimin e territoreve të shteteve fqinjë për të krijuar shtetin e vetëm serb, ku do të jetojnë të gjithë serbët e rajonit. Shpjegimi i parë është heshtja okulte ose implikimi i fshehtë filoserb i diplomacisë së BE, që i ka krijuar hapësirë dhe madje i ka krijuar alibi politikës dhe veprimeve nacionaliste të qeverisë se presidentit Vuçiç. Brukseli heshti kur presidenti Vuçiç shpalli në 15 shkurt 2021 “Serbinë e Madhe”, heshti edhe tani për platformën ultranacionaliste të Vulinit për “botën serbe”. Shpjegimi i dytë është përkrahja dhe armatosja intensive me armët më të sofistikuara, që Rusia po i bën Serbisë, duke i krijuar një makinë gjigande ushtarake rajonale për të shantazhuar shtetet fqinjë.

Alarmi dhe dënimi i fuqishëm, që u ngrit në rajon tregon seriozitetin e kërcënimit serb dhe se qeveritë dhe diplomacitë e shteteve të Ballkanit Perëndimor janë të ndërgjegjshme për rreziqet e mëdha, që vijnë nga platforma nacionaliste dhe aneksioniste e “botës serbe”.

Në situata të tilla me re të zeza në qiellin ballkanik të sigurisë nuk mund të mos lindë interesimi i natyrshëm se si reaguan qeveritë dhe diplomacia e dy shteteve shqiptare, Kosova dhe Shqipëria. Kosova është objektiv hapur i rivendikimeve aneksioniste serbe dhe është e para në listën e platformës së “botës serbe”  për gllabërimin e territorit të saj, ku jeton një pakicë e vogël serbe. Me të drejtë presidenca e Kosovës e dënoi menjëherë platformën e rrezikshme të ministrit serb. Një veprim të drejtë dhe të qëlluar diplomatik dhe politik ndërmori kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili që të nesërmen në 19 korrik në takimin në Bruksel me presidentine Serbisë Vuçiç dënoi me forcë rrezikshmërinë e programit të “botës serbe”. Kryeministri i Kosovës veproi drejt diplomatikisht si në planin dypalësh me Serbinë, por edhe në planin e rolit të BE në dialogun Kosovë-Serbi, sepse i kujtoi shefit të politikës së jashtme të BE Borrell dhe përfaqësuesit të posaçëm të BE për dialogun Lajçak, të pranishëm në tavolinë, se ata duhet ta dënonin platformën e re luftënxitëse serbe në takimin e Brukselit me Vuçiçin dhe në opinionin publik.

Përballë një vale rajonale dënimi qeveritar, diplomatik dhe polititik në vendet e Ballkanit Perëndimor ndaj platformës së re aneksioniste serbe, stonoi në mënyrën më të mjerë heshtja dhe mumjellëku i Shqipërisë, e cila nuk është ndjerë fare për programin e ri antishqiptar dhe antiballkanik të Beogradit. Ndoshta qeveria në Tiranë mendon se nuk ka pse të shqetësohet aq shumë për planin serb të aneksimit e territoreve të Kosovës, ku ka një pakicë serbe. Ndoshta qeveria në Tiranë mendon se nuk ka pse shqetësohet aq shumëas për planet e aneksimit serb të territoreve të Bosnjës, të Malit të Zi dhe të Maqedonisë së Veriut, ku jetojnë shqiptarë. Ndoshta qeveria e Tiranës nuk ka pasur kohë se është tepër e zënë me konkursin komunist “Miss apo Mister shqiptar i Këshillit të Sigurimit të OKB”, ku po bën një anketim qesharak, sepse sipas mendjes kontroverse qeveritare Shqipëria në Këshillin e Sigurimit nuk duhet të përfaqësohet me diplomatë me përvojën më të madhe diplomatike, por me djem dhe vajza të bukura.

Mirëpo çështja është se programi i Serbisë për bashkimin e të gjithë serbëve në një shtet përfshin edhe një të ashtuquajtur “minoritet serb”, që jetoka në Shqipëri në mes të Myzeqesë, të cilin me shkopin magjik të Circes kryespiuni i shërbimit të fshehtë serb në Shqipëri, ish-ambasadori Zariç, që kishte gjysmën e politikanëve të rëndësishëm shqiptarë në zinxhirin e pantallonave të tij, i shndërroi befas nga një komunitet mysliman boshnjak në “minoritet serb”. Sipas platformës së “botës serbe” të Vulinit, Serbia ka të drejtën që edhe këtë të ashtuquajtur minoritet serb ta çojë megjithë territorin shqiptar të Myzeqesë te projekti i “të gjithë serbët në një shtet”.

Para qeverisë së Shqipërisë del tani një detyrë e madhe diplomatike, politike dhe propagandistike që t’u shpjegojë qytetarëve shqiptarë se si justifikohet pjesëmarrja e saj në “mini Shengenin” e Vuçiçit, që udhëhiqet nga platforma e “botës serbe” të Vulinit. Sepse fakti që tre shtete, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina, gjysma e Ballkanit Perëndimor, e kanë refuzuar “mini Shengenin” serb, nuk i ka rënë ende në sy qeverisë së Tiranës. Platforma e re e ministrit më të rëndësishëm të qeverisë së Beogradit për “botën serbe” ose për projektin “të gjithë serbët në një shtet” demaskon dhe komprometon përfundimisht projektin qeveritar serb të “mini Shengenit”. Të vazhdosh të llomotisësh për bukuritë e përrallës komuniste serbe të “mini Shengenit” në një kohë që Serbia shpall aspiratën e aneksimit të territoreve të shteteve fqinj për të krijuar “Serbinë e Madhe”, do të thotë t’i bësh një shërbim të madh strategjik dhe gjeopolitik Serbisë. Sepse siç deklaroi në një intervistë me televizionin serb “N1 TV” në 19 korrik Aleksandër Popoviç, drejtor “Qendrës për Rajonalizëm” në Serbi: “Politika e mini Shengenit dhe politika e botës serbe nuk shkojnë bashkë. Çdo njeri me mend e di se “bota serbe” nuk mund të arrihet në rrugë paqësore”.

“Mini Shengeni” serb është në fund të fundit ligjërimi i stratregjisë serbe në Ballkanin Perëndimor ose në ish Jugosllavi, plus Shqipërinë, për të krijuar një federatë ose mikroaleancë shtetesh nëpërmjet bashkimit të kufijve, të ekonomive, të doganave, etj. ku nën etiketën false të “katër lirive” projektohet nga Beogradi krijimi i një federate apo rikrijimi i një federate të re jugosllave, ku përfshihen pesë shtete jugosllave dhe ish-kandidatja për republikë të shtatë jugosllave: Shqipëria. Kjo është pikërisht federata e “mini Shengenit”, që projektohet si një entitet i vetëm, ku të gjithë serbët e Ballkanit Perëndimor do të jetojnë në një shtet të vetëm, siç jetonin në një shtet të vetëm në ish-Jugosllavi. “Mini Shengeni” i Vuçiçit çon pra te “bota serbe” e Vulinit dhe konkretizon ëndrrën hegjemoniste serbe në Ballkanin Perëndimor./DITA/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat