Trio grupi “viçi-viçi-mazi” dhe “Open Ballkani”

Opinione

Trio grupi “viçi-viçi-mazi” dhe “Open Ballkani”

Dedë Preqi Nga Dedë Preqi Më 31 korrik 2021 Në ora: 12:13
Edi Rama, Aleksandër Vuçiq dhe Zoran Zaev

Një tresh i tillë i lidhur ndoshta jo spontanisht nuk ekziston askund në botë, ndoshta vetëm në Ballkan, me një projekt shumë interesant dhe kur e përkthejmë këtë trio, një shqiptar, një serb dhe një maqedonas, del një grup i mrekullueshëm, që paraqet multi kultin me përmbajtje, sigurisht që Ballkanit, o do ia fusin flakën, o do ia shkurtojnë “nafakën”.

Ky trio-grup,  kuptimi i të cilit nuk mund të shprehet aq thjeshtë me ato konceptet e rebelimit dhe të një rreziku, apo të një trazimi të Ballkanit, duke i ç’rregulluar marrëdhëniet themelore të ekzistencës në mes popujve, e ca më pak duke i përmirësuar ato, kur kemi të bëjmë me çështjen e Kosovës, ku Serbia, si iniciatore e këtij misioni, Kosovën e paraqet akoma në Kushtetutën e vet, atëherë çfarë “Open Ballkani” do të kemi në këtë mënyrë.

Ky grup, imazhi i të cilit simbolizon vetëm një lloj trazimi dhe mjegulle në Ballkan, dhe jo diçka tjetër, kur dihet se  vetë udhëheqësi i këtij grupi Aleksandër Vuçiq, do ta luante rrolin kryesor, i cili i ngatërron çështjet dhe faktet para syve të njerëzve, duke u paraqitë si një lider i moderuar, që dëshiron ta monitoron edhe realitetin e gjërave në Ballkan.

Sikur Vuçiqi, si një lider i “moderuar” dhe që do ta kishte një qëndrim stabil e të pa luhatshëm për rajonin dhe Ballkanin, pse nuk do e pranonte edhe nënshkruante marrëveshjen e paqes me Kosovën, të cilën ia parashtroi kryeministri i Kosovës z. Kurti, këto ditë në Bruksel, por një gjë të tillë Vuçiq e refuzoi pa turp, atëherë kush duhet ti besoj këtij projekti dhe moderatori, që refuzon në një mënyrë paqen dhe stabilitetin e popujve në këtë pjesë të rajonit të Ballkanit perëndimor.

Dhe e veçanta e gjithë kësaj politike serbe, përmes kësaj formule, e cila i ka rrënjët e thella që do zbërthehet më vonë, por është shumë e turpshme për kryeministrin shqiptar Edi Rama, i cili po i jep aq shumë “zor” dhe po bëhet “argat” i kriminelit Vuçiq, dhe ky personalitet i llojit të vet me tiparin e udhëheqësit shqiptarë të pos mortkomunizmit, jashtë shtetit të vet me të huajt, bëhet njeri i kulturuar, i dëgjueshëm, i ndërgjegjshëm, dhe i arsyeshëm, ndërsa brenda shtetit dhe para popullit të vet, bëhet i tëri në të kundërtën dhe i tërë pushteti i tij dukej i shkëputur, nga rebelimi dhe nga pa përgjegjësia ndaj obligimeve që ka ndaj shtetit dhe popullit të vet.

Kjo formë e paraqitjes së Edi Ramës, nuk përfaqëson vullnetin e një populli, por vetëm vullnetin e një “uni” dhe grupi njerëzor, që përpiqen të individualizojnë qëllimet dhe programet e tyre, duke lënë anash zhvillimin e plotë të qenies dhe të veprimtarisë së saj brenda  shoqërisë së vet njerëzore.

Edhe pse Minischengeni, apo Open Baallkan, si projekte të Serbisë dhe Vuçiqit,  në sipërfaqen e tyre  duken normale dhe në kuptimin e vërtetë të fjalës e përbëjnë një mundësi të lirë tregtare, duke marrë parasysh lëvizjen e lirë të tregtisë së mallrave brenda Ballkanit, dhe kjo do të ndodhte, sikur të mos ekzistonte brenda këtij grupi një “hile” e veçantë, që i dedikohet një vendi të caktuar, sikur që është shteti i Kosovës, për ta futur Serbia, në një kurth të kurdisur dhe nën kontrollin e saj.

Prandaj, Edi Rama, si kryeministër i Shqipërisë, sikur është hedhur para daulleve të Vuçiqit, dhe përkrah tij, pa e ditur se si vallëzohet me hapa, duke shkuar me zero hapa para dhe tre mbrapa, të cilat projekte të kësaj valleje të rrezikshme janë planifikuar ekzaktë për Kosovën, nga kryetari serb Vuçiq, në kuzhinën e Beogradit, që kanë qëllim të caktuar për ta futur Kosovën nën ombrellën e vet, dhe tërë Ballkanin perëndimor, me gjithë Edi Ramën, që është bërë miku më i ngushtë i tij, i cili edhe vetë e thotë në “forumin”  e fundit në Shkup, për “Open Ballkanin”, se çka thotë Edi Rama, do e miratojë edhe Vuçiqi.

Ky lloj lëmshi politik, në të cilin është futur edhe Edi Rama,  i cili në një mënyrë po e tradhton drejtpërsëdrejti Kosovën dhe popullin  e saj, duke u bërë aleat i Aleksandër Vuçiqit, duke ditur se, çfarë i shkaktoj Serbia, popullit shqiptarë dhe në ç ‘gjendje e sjelli Kosovën, politika e Millosheviqit, dhe e zëvendësit të tij, që po e udhëheqë sot Serbinë, kryetari i saj Aleksandër Vuçiq.

Serbia dhe populli i saj, Kosovën e kanë mit të hipnotizuar dhe të pjekur në kokat e tyre në kuptimin absolut të fjalës, dhe sipas kishës ortodokse serbe dhe shtetit të Serbisë, sot në këtë vend interpretohet si një dobësi dhe mangësi ekzistenciale e këtij shteti dhe populli pa Kosovën.

Prandaj, është vështirë të flasësh për një projekt të tillë të mirëfilltë nga ky lloj i Minishengenit apo i  “Open Ballkanit”, duke i shkuar mbrapa Rama e Zajevi, si viçi dhe mazi pas Vuçiqit, të cilin e bojkotuan me plot arsye Mali i Zi, Kosova dhe Bosnja, duke e kuptuar se rroli i Serbisë dhe udhëheqësit të saj Vuçiq, e kanë kurdisur këtë plan me qëllime të caktuara, që favorizon vetëm planet dhe politikat e shtetit të Serbisë dhe në zgjerimin e saj, por jo edhe që bëhet fjalë për një ekonomi e tregti të lirë të popujve të rajonit dhe Ballkanit perëndimor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat