Kumbara i Hashimit po e rikthen Agim Veliun në LDK! 

Opinione

Kumbara i Hashimit po e rikthen Agim Veliun në LDK! 

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 3 shtator 2021 Në ora: 08:30
Lutfi Haziri, Agim Veliu

Duket se nostalgjia e Lutës për ish shokun e tij në LDK, Agim Veliun, nuk ka mbaruar. Gjithnjë është thënë se Luta me Agimin dhe ish kryetarin Mustafa janë treshja e lidhur fortë mes vete, e të cilët kanë lidhje të forta me PDK-në, respektivisht me Hashim Thaçin. Rënia e LDK është ka ndodhur pikërisht për shkak të patericës që kjo parti ia bëri PDK-në në të gjitha proceset e jetës së saj.

Edhe atëherë kur rrëzimi i PDK-së nga pushteti varej nga LDK, ndodhte e kundërta, këtë gjë elektorati e ndëshkoi. Kur u mendua se ka praruar koha e Isës dhe Agimit në LDK, çuditërisht Luta akoma vazhdon të jetë brenda strukturave të LDK-së. Por, duket se kjo gjë nuk i mjafton Lutës, në tentativat e tija për tu bashkuar përsëri me Isën dhe Agimin, edhe publikisht paralajmëroi rikthimin e Agim Veliut në LDK. Luta theksoi se  vendimi i kryesisë së partisë për shkarkimin e Agim Veliut nga dega e LDK-së në Podujevë po shqyrtohet, pasi sipas tij nuk ka qenë final.

“Vendim i cili edhe më tutje trajtohet në organet e brendshme të LDK-së, sepse nuk është final. Vendimi i kryetarit të LDK-së dhe kryesisë ka qenë deri në ditën e zgjedhjeve që t’i bartë detyrat te kandidati për kryetar të komunës dhe kjo ka shprehur atë lloj pakënaqësie”. Duke mos u mjaftuar me kaq, Luta e quan Agimin “nënkryetar historik”.  Luta nuk është hiç më i hajrit se Agim Veliu, është po aq përgjegjës për rënien e LDK-së sa vet Agimi dhe Isa. Fakti se Luta akoma është në LDK dhe për më tepër flet për rikthim të shkaktarit kryesor të rënies së LDK-së përsëri në pozitat e mëhershme, dëshmon për mungesë të stabilitetit të reformave në LDK, për të cilat me pompozitet kryetari i ri flet.

Nuk e di për çfarë reforma mund të flitet në LDK kur akoma në strukturat e saj është kumbara i Hashimit, njeriu që me veprimet e veta po vazhdon të minojë përpjekjet e disave në LDK për reforma. Lutfi Haziri mbase ka harruar shuplakat e qytetarëve me 14 shkurt, mesazhin që ata dhanë në secilën nga shuplakat e shumta në atë ditë të ftohtë shkurti. Kryetari i ri i LDK-së të veprojë shpejt dhe pa menduar dy herë, të largojë të gjithë ata që kanë sjellë rënien dhe degradimin e saj. Veprimi të jetë nga Luta, të premtohet se kurrë s’do të ketë kthim të atyre që kanë  detyruar edhe më besnikët e LDK-së të braktisin këtë parti.

Si mund të flasësh për reforma, kur njeriu të cilin e ke kandiduar për kryetar komune flet për rikthim të së keqes, pjesë e të cilës është edhe vet. Vet fakti se Lutfi Haziri vazhdon të jetë në LDK, të marrë besimin për kandidim në zgjedhjet lokale, flet për mungesë të reformave në LDK, e të cilat nuk kanë sjellë efektin që duhet të kishin pasur.

Asnjë nga figurat markante që janë larguar  nga LDK nuk janë kthyer, nuk besojnë në reforma, në fasada në emër të reformave për të cilët maska po bie çdo ditë e me tepër. Pas deklaratës së Lutës, akoma s’ka ndonjë reagim nga kryetari Abdixhiku, gjë që flet për mungesë guximi të një kryetari që më shumë se kurrë duhet ta ketë dhe shfaqë atë. Mungesa e guximit për të vepruar me dorën e  hekurt të tyre që kanë sjellë degradimin e LDK-së, flet më së miri për moskthimin e elektoratit të LDK-së në partinë e themeluar nga dr.Rugova. Lumiri të veprojë me shpejtësi, të bind qytetarët se reformat nuk janë fasadë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat