Zgjedhjet e 14 shkurtit, shënuan një rekord ,me fitoren e Albin Kurtit dhe partisë së tij progresiste LVV, duke mposhtur rivalët politik, që për njëzet vitesh kishin nëpërkëmbur shtetin, ishte një fitore me rëndësi për konsolidimin e demokracisë po edhe të fillimit të riparimit e gjithë asaj që Qeveria e Albin Kurtit e trashëgoi.
Platforma e kësaj qeverie mbështetet në ristrukturimin e gjitha segmenteve të shtetit dhe ekonomisë, politikës sociale –pritjet e qytetarëve janë të mëdha si kurrë më parë.
Edhe pse ristrukturimi do të kërkoj një fuqi angazhimi tepër të madh, Qeveria Kurti do të ballafaqohet me problemin ekzistencial – mbrojtja dhe forcimi i sovranitetit të shtetit, duke iu kundërvënë veprimeve dhe fushatës të Serbisë shoveniste dhe hegjemoniste historikisht.
Po, cila duhet të jetë qasja për arritjen e caqeve të njohjes nga shtete tjera dhe futjes në organizatat ndërkombëtare, sovranitetit dhe sigurisë së vendit. Qasja duhet të jetë ashtu si dhe tani vepron kryeministri Kurti, forcimi i sovranitetit dhe vazhdimi i forcimit të marrëdhënieve me SHBA dhe BE. Dhe këtu qëndron dilema: Kosova nuk mund të fuqizonte sovranitetin dhe t’i bëjë presion Serbisë pa reaksion të miqve perëndimorë, po dhe shtetësinë dhe sigurinë pa mbështetje të jashtme.
Patjetër se Qeveria i ka të memorizuara caqet dhe veprimet, dhe atë si top prioritet, e që janë:
Të përcillen qëndrimet e SHBA-së dhe BE-së
Përkundër përpjekjeve afatgjata të bëra për forcimin e sovranitetit ,në planin e brendshëm dhe të jashtëm, që të mbijetojë kërkohet të jetë parësore forcimi i lidhjeve me SHBA dhe BE që po tregohen vullnet mirë. Kosova duhet që patjetër të dijë të shfrytëzojë faktin që tani Joe Biden, ky mik i madh i shqiptarëve, është President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Tekefundit e gjithë elita politike dhe qytetarët e Kosovës kuptojnë mirë se ekzistenca e Kosovës dhe siguria është në varshmëri dhe qëndron në ndihmën që SHBA i ofron Kosovës si shtet.
Përcaktimi i sovranitetit – por me një çmim të lartë
Megjithatë, përkundër përpjekjeve të gjata mbështetja amerikane nuk arriti të bindi shumë shtete të OKB-së dhe pesë shtetet e BE-së që nuk njohin sovranitetitn e Kosovës, po si të besojmë tani se kjo mbështetje do na kryente punë? Në dhjetëvjetëshin që shkoi Kosova edhe amputoi disa nga interesat e saj për të plotësuar apo të kënaq faktorin ndërkombëtar. Ndër shembujt, qëndron formimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe nënshkrimi i Marrëveshjes kontraverse për demarkacionin me Malin e Zi.
Po duan liderët e Kosovës të jenë serioz dhe të përkushtuar, duhet të heqin varshmërinë e plotë që kemi ndaj partnerëve, duke mos qenë përherë dhe çdo gjë në shërbim të tyre, duke sakrifikuar interesat vitale të shtetit dhe qytetarëve, dhe atë për një grimë të vullnetit të mirë të bashkësisë ndërkombëtare e cila vetëm Kosovën ka lënë pa liberalizim të vizave që të udhëtojnë nëpër Evropë. Dhe këtu qëndron problemi.
Kosova nuk mund të vazhdojë të veprojë njëanshëm dhe më pas të durojë dënimet nga akterët e bashkësisë ndërkombëtare, që vërtetohet me fijaskon që pësoi në mars 2020, kur në kulmin e pandemisë vdekjeprurëse Administrata Trump i ngriu Kosovës 50 milionë dollarë ndihmë financiare, që ishin të rëndësisë vitale për Kosovën dhe kërcënoi me tërheqjen e trupave amerikane. Dhe e gjithë kjo, ngase Albin Kurti nuk deshi të hiqte taksen për mallrat serbe pa kundërvlerë.
Dhe Kosova këtë e pagoi shtrenjtë me rënien e Qeverisë Kurti 1. Kjo ndodhi nga frika se mund të tërhiqej mbështetja, po dhe nga koluarët e brendshme politike në Kosovë që me padurim e pritën këtë. Kjo ngase Kurti nuk pranonte të lakohej nga Trumpizmi. Kështu që Kosova të merrte sovranitetin e plotë dhe të kundërshtonte SHBA, duhet të paguante çmim tepër të lartë.
Faktori ndërkombëtar në të shumtën e rasteve kërkonte që Kosova t’i jepte të gjithat karotat Serbisë dhe më pastaj i jepnin masën e dënimit po të refuzonte. Kështu ndodhi me kërkesën e themelimit të Dhomave të specializuar që pati mjaft presion, ngase po nuk themelohej çështja do shkonte në Këshillin e Sigurimit të OKB.
Kundërshtimi i hegjemonizmit historik serb
Nëse Kosova akoma nuk po mund ta përjetojë sovranitetin e plotë dhe të sillet si partner i barabartë, ngase i mungon mbështetja e plotë nga aleatët e saj ndërkombëtarë, atëherë çfarë i mbetet?
Liderët e Kosovës , duhet patjetër të bëjnë edhe më shumë veprime për Kosovën, edhe pse mundësitë i kanë mjaft të kufizuara.
Pos forcimit të mëtejmë të lidhjes me SHBA dhe BE, zbatimit të reciprocitetit, formimit të lidhjeve rajonale, pjesë e zgjidhjes është ndryshimi i narratives në relacionin Prishtinë–Beograd, ngase ky është i vetmi dimension që Kosova mbanë kontrollin e plotë.
Kosova mund të joshë dhe shtete tjera që nuk e kanë njohur, në anën e vet. Të rris imazhin e një “shteti normal” duke forcuar luftën në sferën e percepsionit publik duke i rikujtuar botës për historinë, e cila i ka paraprirë kësaj gjendjeje. Percepsionet tërheqin peshë të konsideruar në marrëdhëniet ndërkombëtare. Narrativa se në Kosovë kishte një luftë qytetare me rezultimin e implikacioneve për barazfajësinë e Serbisë dhe Kosovës, zvogëlon gjasat që sovraniteti i Kosovës të fitojë më shumë mbështetje.
Kështu MPJD do duhej të bëjë propagandën me atë që ka ndodhur në Kosovë në vitet e ´90 po edhe në një qind vjetshin e shkuar që ka shkatuar Serbia me luftërat dhe masakrat që nga 1012,mu ashtu si veproi Albin Kurti në takim me Vuçiq në Bruksel. Perëndimi kupton nga të shkruarit –jo nga patriotizmi ynë folklorik, kur Qeveria e kaluar ,në të gjitha përfaqësitë tona diplomatike, kishte dërguar me DHL flamuj me emblemën UÇK.
Çmimi i injorimit të veprimeve të Serbisë
Presidenti serb Vuçiq vazhdon të neglizhoj krimet e bëra në Kosovë, sa edhe lavdëron të bëmat e Millosheviq dhe qëllimet e tij për dominim të Serbisë, në 2018 në Mitrovicën e veriut, kishte thënë se Millosheviq “ishte një lider i madh serb, qëllimet i kishte mjaft të mira, por rezultatet ishin shumë të dobëta.
“Qëllimet e mira” të Millosheviq dhe u treguan me varrezat masive në Serbi, ku u gjetën afro 900 mbetje mortore në varrezat masive në katër lokacione, dhe atë edhe në lokalitet e Ushtrisë serbe, e që dyshohet se duhet të jenë edhe tjera. Një Serbi e pa reformuar, me mendësi të së kaluarës, si armiqësore dhe gjenocidale do provonte sërish të bënte krime në Kosovë.
Serbia, jo vetëm se neglizhon dhe nuk pranon krimet e bëra në të kaluarën, por Vuçiq, do të shmangë edhe kërkesat e SHBA dhe atë pa asnjë konsekuencë. Kjo kur nga SHBA, janar 2020, u kërkua që Serbia të ndaloj fushatën e “çnjohjeve”,pastaj në fund marsi Ivica Daçiq drejtpërdrejtë refuzoi kërkesën, duke thënë se Beogradi do të vazhdojë fushatën po edhe Kosova të tërheqë taksën.
Kështu përderisa Serbia vazhdon të “kultivojë” dhe ledhatojë nazionalizmin dhe shovenizmin dhe aq më tepër mohonte gjenocidin, vetëm sa vazhdonte të forconte ndikimin në bashkësinë ndërkombëtare, duke falënderuar Rusinë dhe Kinën. Kështu në 2020 perëndimi vazhdonte të ledhatonte Serbinë me karota. Kjo ishte narrativa serbe e “dy anëve” të fitonte vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare. Thënë shkurt favorizimi i Serbisë në vend të Kosovës, në dialogun që zhvillohej, ishte me interes politik të fuqive.
Ish administrata amerikane me presidentin Trump anashkalonte po dhe injoronte Qeverinë e Kosovës.
Nga ana tjetër, asnjë vërejtje ndaj Serbisë kur ajo edhe refuzonte kërkesat e SHBA. Nuk e ndaloi që Serbia të furnizohej me armë nga Rusia, de-fakto për strukturat ilegale në veri të Kosovës. Nga ana tjetër kërkohej nga Kosova që të bëjë lëshime ndaj agresorit të sajë e në dëm të sovranitetit, si që është formimi i Bashkësisë së komunave me shumicë serbe.
Kjo asimetri e bisedimeve vjen nga deklarimi i rrejshëm i neutralitetit karshi konflikteve të ndodhura në Ballkan. Në mendjet e perëndimit sikur është ngulitur mendimi për fajtorin e luftës në Kosovë si të barabartë mes Kosovës dhe Serbisë agresore dhe pushtuese dhe me këtë, ndihmohej politika e jashtme e Serbisë. Ky ishte hap për mbrojtjen e agresorit për përgjegjësit. Serbia pozicionohej mirë ngase në vazhdimësi fuste narrativen e “konfliktit qytetarë”.
Këmbëngulësia për të vërtetën – se Serbia ishte agresore
Ajo që druan sot Qeveria e Kosovës qëndron në atë se faktori ndërkombëtar do të bëjë trusni në formimin e Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe, gjë për të cilën edhe kryeministri Kurti ka deklaruar se nuk mund të lejohet. Jo , edhe po të ndodhi kjo, Serbia nuk do e njihte pavarësinë e Kosovës, por se kjo do shkatërronte Kosovën si shtet unitar që është.
Këto rrethana i janë krijuar Kosovës ngase BE është treguar si lidership i dobët, i cili në vazhdimësi kërkonte që Kosova të ledhatonte agresorin e saj, e që mirë e dinin, e jo të kërkonin përgjegjësi dhe Serbia të pranonte këtë.
Një marrëveshje me pajtim nuk mund të ndodhë duke i bërë presion viktimave të bëjnë marrëveshje me agresorin. Dhe përderisa faktori ndërkombëtar nuk heqë dot nga narrativa e “fajit të njëjtë” për luftën që ishte në Kosovë, Kosova do merrte shkopin e Serbia do priste karotat.
… dhe çfarë duhet të bënte Kosova tani?
Kosova në një sinkron me Shqipërinë, përmes përfaqësive diplomatike që kanë në botë dhe mërgatës sonë të madhe, në veçanti në SHBA, të fillonte një fushatë të përgatitur mirë, në opinionin publik dhe medie kundër narratives e “të dy anëve”. Të shfrytëzojë të gjitha dëgjimet e bëra në Kongresin amerikan, atyre ndërkombëtare po dhe vendore duke parashtruar një grumbull të madh faktesh për krimet serbe të bëra në Kosovë. Këto fakte janë të qasshme edhe tek agjencionet qeveritare, OJQ të jashtme dhe brenda, pse jo edhe me certifikata personale.
Një fushatë që do përmbante edhe kërkesat për reparacionet e luftës, statusin e të rrëmbyerve në luftë që akoma trajtohen të pagjetur dhe kompensimin e viktimave të dhunës seksuale në luftë.
Vazhdimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë duhet të mbështetet në marrëdhëniet e reciprocitetit ekonomik dhe politik dhe kështu të shkohet drejtë njohjes reciproke. Ashtu siç ka arritur Kryeministri Albin Kurti të ndryshojë narrativen e dialogut të stërzgjatur, tani edhe duhet të marrë edhe timonin e bisedimeve, ngase është pala e dëmtuar e jo agresori. Po për ta arritur këtë duhet t’ia imponojë faktorit ndërkombëtar që të mendoj po kështu. Kosova duhet ta mbajë këtë të drejtë.
Kosova duhet të dijë të shfrytëzojë këtë moment duke forcuar pozitën e saj në planin ndërkombëtar. dhe atë duke insistuar fuqishëm në narrativen e mbështetur në të shkuarën e dhimbshme dhe të ardhmen që premton.
Dhe për këtë moment, nga perceptimi im, Presidentja Vjosa Osmani – Sadriu, Kryeministri Albin Kurti dhe Ministrja Donika Gërvalla, duhet ofruar rreth vetes njohësit e dëshmuar nga mbarë kombi. Sugjerimi do ishte për prof.Dr.Enver Bytyçi, politolog dhe ambasadori Shaban Murati, po të dy personalitete me ekspertizë të lartë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe gjeopolitikës, të Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë, këta të dëshmuar edhe nga veprat e shkruara.
Kosova nuk ka kohë për të humbur!