Ali Pashë Gucia, vlerë  kombëtare

Opinione

Ali Pashë Gucia, vlerë  kombëtare

Nga: Eugen Shehu Më: 14 tetor 2021 Në ora: 16:03
Ali Pashë Gucia

Ka qenë vjeshta e vitit 1879 kur analistët shqiptarë të Plavës, Gucisë dhe Rugovës, ndjenë erërat e luftërave. Ndërsa për malazezët, këto luftëra grishnin për territore të reja jugore, për shqiptarët ato ishin guri i provës së madhe: do të linin fqinjët e tyre të vjetër e dinakë t’u shkelnin vatrat apo do të ruanin të paprekur ëndrrat dhe trojet e tyre stërgjyshore ! Nëse shqiptarët e këtyre malësive zgjodhën të dytën, tek e mbrëmja ata dëshmuan dimensionin e lirisë së fituar me çdo çmim përballë turpit kombëtar.

  Pushkët e para midis dy fqinjëve ranë në vjeshtën e dytë ndërsa krismat e fundit u dëgjuan të lodhura në prillin e vitit 1880.Betejat kishin qenë të rrepta madje deri në kufijtë irealë të goditjes së dy kundërshtarëve. Shirat e borërat e motit të ftohtë nuk mund të fshihnin gjakun e derdhur prej malazezve dhe shqiptarëve. Është pak të quhet kob. Madje popujt e të vendeve e pagëzuan këtë dimër me një simbol tejet ngjethës : dimri i gjakut !Kokëfortësia e lashtë ballkanike nuk do të kursente mijëra jetë njerëzish që me gjakun e tyre bënë që përrenjtë e maleve të rridhnin gjak në vend të ujërave të dëborave.

  Në këtë dimër tragjik, për mijëra luftëtarë shqiptarë kish një burrë që bënte dritë si vetëtima, kish një zjarr që largonte shpirtrat e mardhur, tek e mbrëmja kish një shpresë që nuk fikej ndër luftëra. Ky ishte trimi dhe burri Ali Pashë Gucia. Po cili ishte ky vigan i trevave më veriore të Shqipërisë?

 Ka lindur në Guci në prag të vitit 1820 në derën e përmendur shpesh të shabanagajve. I ati i Aliut, Hasani për dhjetë vjet me radhë ka qenë kapedan i Gucisë dhe i shquar për trimërinë e tij. Me ndjenjën e atdhedashurisë ai do të rriste të vetmin djalë të tij Aliun duke synuar edhe shkollimin ushtarak të të birit. Përgjithësisht, karakteri i Ali Pashë Gucisë formohet nëpër mjediset e ashpra të vendlindjes ku fjala e burrave në kulla ishte disa herë më e rëndë se vetë pesha e plumbit. Ndërkohë kryen studimet ushtarake ku veçmas bien në sy prirjet e tij ndaj parimeve të  luftërave popullore larg akademizmave pedante të teorive osmane. Thellësisht i ndërgjegjshëm për luftërat e zhvilluara prej të parëve tanë, fitoret dhe humbjet e tyre, mendimi i tij teorik vendoset në terrenin konkret shqiptar, në armatimin dhe psikologjinë e popullit të Plavës - Gucisë e Rugovës.

   Në fillim të viteve 50-të të shekullit të kaluar, është kajmekan i Gucisë. Autoritar dhe i vëmendshëm ndaj rrjedhës së ngjarjeve, mundi të grumbullojë rreth vetes një grusht njerëzish të pasur e të ndershëm për të cilët ruajtja e tërësisë territoriale ishte gjithçka. Edhe pse nën trusninë osmane popujt e vegjël të Ballkanit po zgjoheshin. Në këtë zgjim ndërsa shqiptarët i mbanin sytë tek kufijtë e tyre, të tjerë fërkonin sytë të mikluar prej ëndrrave shovene.

Kujaz Darulloja, duke vërejtur se sytë dhe veprimtaria e shqiptarëve të Veriut po drejtoheshin përherë e më tepër drejt autonomisë, dërgon në Guci forca të shumta malazeze nën komandën e Serdar Piletiqit. Ky i përkrahur edhe nga fisi i madh i Vasojeviqëve nisi menjëherë represionin në fiset shqiptare duke u përpjekur t’i verë fre revoltave. Pikërisht këtë moment shfrytëzon Ali Pashë Gucia. Ai organizon punën me miqtë  e tij dhe së bashku me Plavën, Gucinë dhe Rugovën u bënë thirrje edhe Krasniqit dhe Gashit të cilët i përgjigjen menjëherë. Falë aftësive ushtarake të tij Ali Pashë Gucia, tërheq trupat e Sedar Piletiqit në disa gryka gati të frikshme dhe aty i godet si vetëtima duke u shkaktuar humbje të mëdha. Forcat malazeze tërhiqen për t’i rikthyer sërish viseve shqiptare në vitet 1856-1858.Por tanimë repartet e vetëmbrojtjes së Plavës e Gucisë, nën komandën e Ali Pashë Gucisë, dijnë se s’i t’i presin fqinjit lakmitarë. Duke luftuar trimërisht për vatrat dhe vendet e tyre trimat e këtyre trevave, njëherazi ishin frymëzues të krejt shqiptarëve jo vetëm për të ruajtur trojet etnike por edhe për mbajtjen gjallë të shpresës për një autonomi e mëvetësi të Shqipërisë.

Përballë këtij qëndrimi prej shqiptari të ndershëm, natyrisht që nuk mund të heshtë Porta e Lartë. Mesazhe të shumta vijnë prej andej duke porositur Ali Pashë Gucinë se duhej të ndryshonte qëndrimin ndaj Perandorisë dhe jo të shpërfillte besimin e saj. I pajisur me virtyte të vyera në karakter, trimi i Gucisë gjen rastin dhe në një kuvend midis burrash shprehet ; „Më kanë ardh haberet se Sulltani më quan tradhtar. Nuk e njoh vendin për të tillë. Po në qoftë se deri më sot i kam shërbye me shpirt Sulltanit, tash e tutje do t’i shërbej vetëm Shqipërisë“.

Lëvizjet e atdhetarëve shqiptarë në agoninë e të sëmurës së Bosforit, tanimë ishin të plota: politike, diplomatike, ushtarake. Kulmi ishte dhe mbeti Lidhja Shqiptare e Prizrenit e cila për nga detyra që shtroi dhe problemet që zgjidhi u bë një pikë referimi për të tjera ngjarje kulmore të Shqipërisë. Ndërsa Kongresi i Berlinit,i korrikut 1878,inicoi masakrën e madhe për pushtimin e Plavës, Gucisë dhe Rugovës prej Malit të Zi, ishte pikërisht shtabi madhor i Lidhjes së Prizrenit i cili më 22.gusht.të po këtij viti deklaron ;“nuk do të njihet asnjë ndryshim të kufirit në Malin e Zi pa pjesëmarrjen..... e krerëve të Lidhjes së Shqiptarëve dhe pa u miratuar vendimet e tij nga gjithë Shqipëria“.(Historia e Shqipërisë, Vëllimi dytë faqe 234).

Ditët e para të dhjetorit të vitit 1873 do të shënonin konfrontimin e parë të madh midis forcave malazeze dhe atyre shqiptare. Mbi 10 mijë trupa malazezë të komanduara prej Mark Milanit, futen në drejtim të Plavës duke kontrolluar disa lartësi tepër strategjike. Sidoqoftë Ali Pash Gucia, duke ditur qëllimet e armiqve, organizon disa prita në shpatet e maleve të Stereqit dhe Vixiterit, pothuaj të padukshme duke e joshur kundërshtarin të kërkojë e të futet sa më thellë në trojet shqiptare. Në kulmin e betejës, atëherë kur malazezët kërkojnë përforcime Ali Pashë Gucia shkatërron me disa luftëtarë edhe Urën e Rozhanicës duke ndërprerë përfundimisht komunikimin e armiqve mes veti. Kësisoj fitorja fliste vetëm për shqiptarët. Por natyrisht këta ishin udhëhequr nga strategu ushtarak Ali Pashë Gucia.

  Kuptohet, me rrjedhën e këtyre ngjarjeve, nuk mund të pajtoheshin as Edreneja dhe as Knjaz Nikolla.Tashmë Lidhja Shqiptare kishte fituar popullaritetin e vet. Me caktimin e Ali Pashë Gucisë si komandant të shtabit ushtarak të Prizërenit ( në atë kohë Plava e Gucia ishin krahina të Vilajetit të Kosovës) trimat e këtyre trevave fituan siguri në veprimet e tyre luftarake. Dhe kjo u duk sidomos në betejat e paprera të „ dimrit të gjakut“ siç u quajt periudha dhjetor 1879,prill 1880.Intuita dhe njohuritë ushtarake të kryekomandantit shqiptar Ali Pashë Gucia u ndërthurën me besën dhe trimërinë e malësorëve shqiptarë duke çuditur me fitoret e tyre jo vetëm ushtarët e mjerë malazez por krejt Europën. Janë të shumta betejat ( sidomos atë në frontin andrejeviq - Plavë) ku pushkët nuk dot në punë. Frontet ishin kaq afër saqë kundërshtarët dilnin nga pozicionet dhe luftonin me njeri tjetrin me jataganë. E rëndësishme është të thuhet se në të gjitha këto beteja, Ali Pashë Gucia asnjëherë nuk ndenji si komandant madhor që vetëm jep urdhëra. Ai drejtoi me zgjuarsi mjaft operacione të ndërlikuara madje krisma e dyfekut të tij u ndje gati në çdo betejë.

  Lidhur me këto luftime konsulli austro-hungarez në Shkodër, Shumaker dërgonte këto të dhëna drejt qeverisë së tij. “Vetë malazezët pohojnë se shqiptarët luftuan burrërisht e fituan mbi ta... Fuqia e Lidhjes së Prizrenit e theu atë ushtri malazeze që ka qenë kurdoherë e zonja t’u bëjë ballë forcave turke.Miti i pathyeshmërisë së malazezeve, i trimërisë së tyre thuajse ishte arratisur përballë gjokseve të bashkuar të shqiptarëve të Plavës, Gucisë, Rugovës e Gashit të udhëhequr prej burrit Ali Pashë Gucia“.(nga letrat e diplomacisë austro-hungareze në Shqipëri.)

  Duke parë se pas „dimrit të përgjakur“ mjaft familje shqiptare ishin në mjerim, ky bir i Gucisë shet prona të shumta të trashëguara prej gjyshit dhe babait (ishte trashëgimtar i vetëm) dhe të hollat ua jep familjeve të atyre që ranë në këto beteja për të mbrojtur tokën arbërore. Natyrisht nën shembullin e tij vepruan edhe mjaft atdhetarë të tjerë të cilët mund të falnin gjithçka për Atdheun.

Po aq sa i rreptë me armiqtë shekullorë të Atdheut, edhe dishepull i dhembjes njerëzore, shfaqet Ali Pash Gucia me fiset e popujt e tjerë që luftërat e mpleksnin.Ai shmang disa konfrontime të boshnjakëve me malazezët duke dëshmuar kësisoj lirinë dhe paqën. Kësisoj ai jo rrallë respektohej edhe nga kundërshtarët. Kështu Vukoviq, dikur ministër i Punëve të Jashtme të Malit të Zi,duke e njohur nga afër burrin shqiptar shkruan se,“Ali Begu ishte prijës i madh ushtarak dhe trim i rrallë i cili kishte ndarë mejdanin burrërisht me të atin e tij, kur në paqe kishin respektuar njeri-tjetrin si njerëz“.

  Ndërkohë për rrethana të shumta (që nuk e shohim të arsyeshme t’i analizojmë në këtë shkrim) Lidhja Shqiptare e Prizrenit ra, sidoqoftë ajo shërben si një meteor që ndriçon deri sa të shuhet në qiellin e natës së gjatë shqiptare. Mjaft burra të mençur e trima shqiptarë u burgosën, dënuan, apo internuan në brigjet më të largëta të anadollit. Sulltani i asaj kohe, duke njohur reputacionin  e madh dhe personalitetin e Ali Pashë Gucisë kërkon ta tundojë atë duke i afruar detyra e grada të larta në hierarkinë ushtarake të kohës. Burri prej Gucie nuk pranon.

Mbas disa muajsh duke dëgjuar edhe këshillat e miqve të tij atdhetarë, Ali Pashë Gucia pranon ta marrë detyrën e Mytesarifit të Pejës.

  Peja aso kohe ishte qendër e rëndësishme tregtare dhe vatër e zgjimit kombëtar. Vendosja e Ali Pashë Gucisë në detyrën e Mytesarifit të qytetit dhe rrahinave do të thoshin zmbrapsje të synimeve serbe për aneksim territoresh... Por serbet u përpoqën me të gjitha mënyrat për të minimizuar rolin e këtij shqiptari të madh, që për atdheun e vet nuk kursente asgjë. Gjithsesi katër vitet që Ali Pasha punoi si Mytesarif, dëshmuan për shqiptarizmin e kulluar të tij.Ai luftoi deri në fund për organizimin e shpirtrave kryengritës si edhe për institucionalizimin e besës shqiptare drejt autonomisë. Pasurinë që pati në Guci vërtet e shiti duke derdhur kapitalin për të varfrit por lidhjet me vendlindjen asnjëherë nuk i shkëputi. Janë të njohura disa organizime ushtarake që ky ndërmori në Plavë e Guci, ndërkohë që kryente detyrën në Pejë. Malazezët do të ndjenin së largu kurdoherë shungullimën e luftërave pas zërit të viganit prej Gucie.

  Ka qenë viti 1885 kur një dorë vrastare u ngrit mbi trimin shqiptar. I qëlluar pas krahëve, tradhtisht, në çastin e fundit ai ka thënë se nëse shpëton do ta gjejë se kush më ka qëlluar. Por plagët ishin të mëdha dhe Ali Pashë Gucia mbylli sytë nën enigmën e përjetshme të vrasjes. Është krejt e kuptueshme se pas atentatit në rrugët e Pejës nuk fshihet një person apo një grup i tillë. Dy perandoritë e mëdha të kohës, turqia dhe austro-hungaria, nuk do të mund të harronin demin e madh që u pat shkaktuar me trimërinë dhe mençurinë e tij Ali Pashë Gucia, duke zgjedhur rrugën e vrasjes prapa shpine ato (pavarësisht se kush prej tyre) dëshmuan frikën përpara logjikës së këtij trimi.

  ..... Në të dalë të Gucisë, të shfaqet menjëherë lumi i Vrujës.Po të kapërcesh atë, nën magjinë e ujerave të kaltërt, ndodhesh përpara gërmadhave të sarajeve të Ali Pashë Gucisë.Me vrasjen e trimit, dera e madhe e Shabanagajve mbyllet krejt. Ky ishte pinjolli i fundit i familjes, ky ishte kujtimi dhe krenaria e fundit e fisit. Por në rrethimet e Bradës së Vezirit ,janë disa kroje të pashtershme që edhe sot quhen krojet e Ali Pashë Gucisë. Ato rrjedhin e do të rrjedhin përjetësisht me emrin e Aliut në gjoksin e tyre zhurmues.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat