Populizmi demokratik nuk e karikon, pērkundrazi e disciplinon neoliberalizmin

Opinione

Populizmi demokratik nuk e karikon, pērkundrazi e disciplinon neoliberalizmin

Nga: Fadil Maloku Më: 23 tetor 2021 Në ora: 21:01
Fadil Maloku

1. Në Kosovë shembull më të qartë të populizmit politik kemi apelet e opozitës kosovare për të denigruar idetë dhe projektet sociale, politike e juridike sidomos të gjitha qeverive të pasluftës. Por, kësaj kur t’i shtohet edhe vetëdija qytetare për t’i denoncuar këto deformitete, demokracia është me lehtë për t’u instaluar. Demokracia populiste është e orientuar armiqësisht kundër sojit të kapitalizmit grabitqar dhe kërkon që pushteti sa më tepër të bartet në duart e qytetarëve, pra të ndodhë një lloj decentralizimi vetëm e vetëm që ata të kuptojnë se janë të përfaqësuar dhe se çdo gjë është transparente. Mjetet karakteristike institucionale që zakonisht i përdorë populizmi për arritjen e qëllimeve të veta politike janë; referendumi, iniciativa popullore dhe revokimi. Por, termi populist shpeshherë asocon edhe në diktatorët karizmatikë që fitojnë pushtet duke i kritikuar politikat paraprake konvencionale të qeverive të korruptuara. Është, interesant që në rastet e tilla kur ka probleme të mëdha sociale këta tipa karizmatikë e shfrytëzojnë shumë shkathët këtë pakënaqësi sociale dhe shumë shpesh arrijnë si thuhet: që krizat sociale dhe ato ekonomike të vendeve të tyre i shndrrojnē në të ashtuquajtura „cirkuse rrugore”! Historia e shoqërive perëndimore ka dëshmuar se ilaçi më i mirë për të ndërpre proceset e tilla devijante në vendet dhe shtetet e korruptuara e të kriminalizuara, janë pikërisht demonstrimet civilizuese të qytetarëve të atyre vendeve. Termi i tillë në kushtet dhe rrethanat tona aktuale të transicionit ngandonjëherë përdoret edhe me kuptim eufemist, madje edhe stereotipizues, ngase, pretendimet për t’ i definuar jo qartë dhe jo në mënyrë shkencore proceset devijante sociale e sidomos ato ekonomike, manipulohen nga qeveritarët me arsyetime të llojllojshme.

2. Në literaturën sociologjike, ky termë apo koncept nënkupton edhe strategji e „taktikë politike primitive, që ka për qëllim mashtrimin e turmave, manipulimin me to në saje premtimit të gjërave që shumicën e rasteve janë utopike, të parealizura e shumicën e rasteve madje edhe të natyrēs së flirtimit të qëllimshëm demagogjik me turmat! Kurse në literaturën politike bashkëkohore populizmi definohet si ideologji po edhe si doktrinë politike, që shoqërinë e sheh si të ndarë në grupe homogjene antagoniste. Në njëren anë; njerëz të ndershëm dhe elita të korruptuara. Ku konsiderohet se politike (sidomos në proceset e transicionit) duhet tē “mirëmbahet” ekskluzivisht si shprehje e lirë e njerëzve (volonté générale). Dhe se nuk do të ishte e arsyeshme të intervenohet gjithherë ndajë kërkesave të tilla të shfaqura tē qytetarëve të vendeve të transicionit. Arsyeja e thjeshte, është se kështu (kinse!) ngulfatet demokracia dhe ndërtimi i institucioneve demokratike. Hapsirë, kjo që u shfrytëzua nga pothuajse gjitha shtetet postkomuniste me shkathtësi milimetrike nga ana e elitave politike të vendeve, si Rusia, Moldavia, Serbia. Madje edhe Kosova, s’bënë ndonjë përjashtim të theksuar. Populizmi, gjithashtu s’është e thënun që të imponohet me petkun dhe natyren e ideologjisë. Por, kur jemi te ky koncept na duhet një definim pak si më i qartë dhe më ilustrues me zhvillimet dhe proceset autoktone.

3. Në rrethanat psh të shek. tonë termi i populizmit mund të kuptohet e identifikohet më shumë me ndonjë lëvizje e ideologji që priret të përdorë taktikat e metoda të mobilizimit të qytetareve për qëllime të caktuara politike. Në rastin tonë me siguri partitë e tjera qeveritare dhe opozitare kur dëshirojnë ta stigmatizojnë psh kundërshtarin e tyre politikë, zakonisht përdorin sintagmën e “populizmit”në mënyrë që kundërshtarin e vetë ta fusin në një thes me lëvizjet komuniste të tipit cegeverian dhe atë kastrian, që është një absurd i llojit të vet! Sepse,në një analize pak më e thuket do të kuptonim që kjo lëvizje s’kanë asgjë psh. të përbashkët me ideologjitë e lartcekura. Ajo që e shquan zakonisht lëvizjet e tilla, në fakt edhe parti politike është një lloj popullzimi demokratik që ka të bëjë me një përfaqësim shumë më gjerë të pushtetit nga ana e njerëzve pra qytetarëve të Kosovës. Por, për këtë çështje në ndonjë nga analizat tona të ardhshme do flasim patjetër. Por, ajo që dua të theksoj është se: ..tipi i populizmit të cilësuar si demokratik, pra një lloj rebelimi modern i qytetarëve që janë tejet të pakënaqur me statusin e tyre te ri social e ekonomik në demokracitë e reja të transicionit, pa dyshim janë mjetet e zgjedhura dhe të lejuara për të shprehur sidomos pakënaqësitë e natyrës sociale dhe të asaj ekonomike. Arsyeja, është thjesht: Ky rrafsh është zakonisht më i ndjeshmi për shtresat e pamësuara sociale të kenë probleme ekzistenciale, ashtu siç ndodhi në shumicën e vendeve të transicionit( por interesant, jo akoma edhe në Kosovë!). Ndër këto mjete padyshim që s’përjashtohen ato të inicimit të referendumeve të ndryshme, iniciativave në formë dhe përmbajtje të peticioneve që zakonisht u adresohen shtyllave institucionale, pastaj mekanizmin e revokimit, etj. Pra thënë në tërësi një spektri të gjerë mjetesh dhe mekanizmash institucional për të kontestuar si p.sh. keqqeverisjen ashtu politikat e ndryshme jo produktive politike, ekonomike, sociale e strategjike për një vend apo shtet ku s’ka lëshuar akoma bie fjala shtat demokracia.

…tipi i populizmit të cilësuar si demokratik, pra një lloj rebelimi modern i qytetarëve që janë tejet të pakënaqur me statusin e tyre te ri social e ekonomik në demokracitë e reja të transicionit, pa dyshim janë mjetet e zgjedhura dhe të lejuara për të shprehur sidomos pakënaqësitë e natyrës sociale dhe të asaj ekonomike

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat