Për planin e Përparim Ramës në ëndrrat e Arben Vitisë, Prishtinës duhet t`i kthehet dinjiteti më 14 nëntor!

Opinione

Për planin e Përparim Ramës në ëndrrat e Arben Vitisë, Prishtinës duhet t`i kthehet dinjiteti më 14 nëntor!

Mimozë Lakna, BOTA SOT Nga Mimozë Lakna, BOTA SOT Më 12 nëntor 2021 Në ora: 12:32
Arben Vitia dhe Përparim Rama

Ka mbetur edhe pak orë përpara përmbylljes së fushatës zgjedhore për procesin e balotazhit, pas zgjedhjeve lokale të 17 tetorit.

Garë interesante pritet të zhvillohet në të gjitha komunat që kanë shkuar në balotazh.

Balotazhi është një peshore e mirë matëse për subjektet politike në Kosovë. Edhe nëse një parti përkatëse nuk del fituese në këtë proces, të paktën e di se ku është dhe çfarë mund të bëjë më mirë për të fituar besimin e shumicës së qytetarëve.

Një garë e “nxehtë” pritet që të dielën të bëhet për komunën e Prishtinës. Arben Vitia i Lëvizjes Vetëvendosje do të përballet në balotazh me Përparim Ramën nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Se kujt do t`i besojnë qytetarët mbetet të shihet në fund të procesit, por është e rëndësishme që Rama e Vitia janë kandidatë të denjë për Prishtinën që për vite me radhë lëngon nga mungesa e kushteve esenciale për jetën e qytetarëve.

Prishtina ka nevojë për ndryshime rrënjësore, që duhet të bëhen njëherë e përgjithmonë. Qytetarët janë lodhur me trotuare të zëna nga veturat, e me punime nëpër rrugë që bëhen më shumë se një herë.

Mjafton të kujtojmë këtu rrugën “Muharrem Fejza” , e cila për një kohë të gjatë qëndroi e parregulluar duke vështirësuar jetën e qytetarëve të Kosovës. Një situatë si tek “Muharrem Fejza” është edhe në lagjen e quajtur “4 llullat” ku ka më shumë se një muaj që kanë nisur rregullimet dhe ende nuk po përfundojnë.

Nga njëra anë trotuari i shkatërruar tërësisht, e nga ana tjetër asfalti me automjete të shumta që qarkullojnë vazhdimisht, paraqesin një kaos të vërtetë në atë pjesë dhe për më tepër rrezikojnë jetën e qytetarëve.

Kur e krahason këtë gjendje të Prishtinës me planet e kandidatëve për kryetarë të Komunës, dallimi është i dukshëm. Me këto plan-programe Prishtina e ëndrrave të duket sa afër aq edhe larg.

Kjo pasi qytetarët e kryeqytetit i kanë të freskëta premtimet e kryetarit në shkuarje, Shpend Ahmetit, i cili sipas një raporti zyrtar të publikuar të institutit GAP në gusht të këtij viti doli se ka realizuar vetëm 32 nga 81 premtimet e tij.

Natyrisht, se cilido kandidat që t`i fitojë zgjedhjet duhet ta ketë edhe mbështetjen e Asamblesë komunale, të cilën Ahmeti në mandatin e dytë si kryetar i Prishtinës nuk e pati.

Këtë e pranoi edhe vet Arben Vitia, duke u thirrur vazhdimisht në mbështetjen e kryeministrit Albin Kurti, e po ashtu duke treguar se pas largimit të Ahmetit nga VV-ja, i njëjti nuk e kishte mbështetjen e mëparshme.

Këtu shfaqet dyshimi nëse kandidati i LDK-së, Përparim Rama, nëse zgjidhet kryetar, do ta ketë apo jo mbështetjen e nevelit qendror apo edhe asambleistëve të VV-në në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Por, nëse kjo mbështetje do të mungojë atëherë Prishtina do të humbë shumë.

Prishtinës si kryeqytet i Kosovës ajo që më së shumti i duhet janë njerëzit profesional që e bëjnë ndryshimin të dukshëm dhe të prekshëm për qytetarët.

Prishtina duhet të lirohet nga zinxhirët e figurave partiake, të cilat nga pas lufta ia kanë zënë frymën dhe nuk e kanë lënë të zhvillohet.

Ky kaos urbanistik ku ndodhemi sot është shkaktuar pikërisht nga partitë politike në bashkëveprim me “mafian” të ndërtimit.

Epoka e shkatërrimit të qytetit duhet të përfundojë më 14 nëntor. Qytetarët e Prishtinës, e kanë në dorë fatin e tyre.

Proceset zgjedhore janë dëshmia më e mirë se qytetarët kanë ditur të vlerësojnë e kur janë zhgënjyer kanë ditur të ndëshkojnë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat