Skena politike shqiptare në Maqedoninë e veriut

Opinione

Skena politike shqiptare në Maqedoninë e veriut

Nga: Prof. Xhelal Zejneli Më: 27 nëntor 2021 Në ora: 08:49
Prof. Xhelal Zejneli

Zgjidhja e një kauze kombëtare varet nga determinantët historikë si dhe nga determinantët sociologjikë. Në rrethana të tilla, lind nga gjiri i atij populli një front kombëtar apo një lëvizje politike.

Zgjidhja e një kauze kombëtare varet nga një sindrom faktorësh, si janë:

- çasti historik; shpërbërja e Jugosllavisë së Titos paraqet moment historik për zgjidhjen e kauzave kombëtare të popujve që ishin pjesë e federatës jugosllave;

- pozita gjeopolitike e rajonit ku figuron kauza kombëtare;

- rëndësia strategjike e rajonit për Fuqitë e Mëdha apo për superfuqitë;

- pasuritë nëntokësore të rajonit, siç janë nafta, gazi etj.;

- përplasjet e qytetërimeve apo të kulturave;

- përplasjet fetare, siç janë islami dhe krishterimi;

- lidhjet historike eventuale të një populli me një Fuqi të Madhe;

- ndërthurja e interesave të Fuqive të Mëdha në rajonin e caktuar;

- konstelacioni rajonal i forcave;

- konstelacioni global i forcave.

Për arsye gjeopolitike dhe gjeostrategjike, shqiptarët natyrshëm i takojnë sferës perëndimore të ndikimit, përkatësisht zonës perëndimore të interesit. Me një fjalë, shqiptarët janë aleatë të natyrshëm të ShBA-së dhe të Gjermanisë, pikërisht për dy arsye:

- e para, shqiptarët nuk janë sllavë;

- e dyta, shqiptarët bregëzohen me dy dete – Adriatikun dhe Jonin.

1. Duke mos qenë sllavë, një faktor i fuqishëm shqiptar, do të ishte pengesë për krijimin e një shteti të fortë sllav në Ballkan. Një Shqipëri e fortë, d.m.th. e bashkuar, do të ishte pengesë për krijimin e një Serbie të Madhe, e cila është satelite politike historike e Rusisë dhe përçuese e interesit rus në rajon.

Duke mos qenë sllavë, shqiptarët janë përçues të natyrshëm të interesit amerikan apo gjerman në gadishull. Janë shqiptarët ata që e sjellin Amerikën apo Gjermaninë në rajon.

Shkenca gjermane i studion shqiptarët që nga filozofi dhe matematikani Gotfrid Vilhelm Lajbnic (Gottfried Wilhelm Freiherr (baron) von Leibniz, 1646-1716) e deri në ditët tona. Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1913), Austro-Hungari dhe Italia mbronin Shqipërinë, ndërsa Franca dhe Anglia, duke na konsideruar mbetje turke në Ballkan, mbronin Greqinë dhe Serbinë. Qëndrimi rus dihej, gjithmonë kundër shqiptarëve dhe për popujt sllavë të Ballkanit, sidomos për Serbinë, për Malin e Zi, ndërsa mbi baza të ortodoksisë, edhe për Greqinë.

Politika gjermane e shekullit XIX ka qenë Drang nach Osten (Drejt Lindjes). Për t’u zgjeruar në Lindje, Gjermanisë i duhej të kalonte edhe nëpër Ballkan. Prandaj Gjermania dhe Austro-Hungaria bënin çmos për ta parandaluar formimin e një shteti të madh sllav në gadishull. Këto dy fuqi historike të kontinentit të vjetër synonin krijimin e një shteti shqiptar të konsoliduar i cili të ishte digë për shtrirjen e popujve sllavë në rajon dhe për penetrimin e Rusisë në të. Interesat strategjikë të Fuqive të Mëdha nuk ndryshojnë pothuajse kurrë. Në përputhje me politikën Drang nach Osten, të gjitha vendet e Evropës Lindore futur nën ombrellën e NATO-s dhe të BE-së. Interesin që e ka pasur një Fuqi e Madhe në shekujt e kaluar, e ka edhe sot. Kjo Fuqi e Madhe interesin sot mund ta realizojë, jo vetëm me luftë, por edhe në rrugën politike dhe ekonomike. Presidentët amerikanë ndërrohen, por interesi strategjik i ShBA-së kurrë nuk ndërrohet. Kancelarët gjermanë ndërrohen, por interesi strategjik i Gjermanisë kurrë nuk ndërrohet.                  

2. Bregëzimi i shqiptarëve me dy dete, paraqet interes strategjik për ShBA-në dhe për Gjermaninë. Fuqitë perëndimore kurrë s’kanë për ta lejuar Serbinë të dalë në Adriatik dhe kurrë s’kanë për ta lejuar Rusinë të dalë në ujëra të ngrohta.

Zgjidhja e një kauze kombëtare varet edhe nga raporti i forcave midis popullit që synon lirinë dhe shtetit robërues. Çështja kurdë nuk zgjidhet lehtë për arsye se figuron në katër shtete të fuqishme, siç janë Turqia, Irani, Iraku dhe Siria. Të gjitha Fuqitë e Perëndimit janë me kurdët. Çeçenët dhe vendet e tjera të Kaukazit verior (Dagestani, Ingushetia, Osetia Veriore – Alania) ballafaqohen me Rusinë e madhe. Tibetasit dhe ujgurët ballafaqohen me Kinën e madhe. Synime çlirimtare kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë korsikanët në Francë, irlandezët e veriut përballë Anglisë, baskët në Spanjë, katalonasit në Spanjë etj.

*   *   *

Konstelacioni apo raporti i forcave në Ballkan për shqiptarët është i disfavorshëm, për të mos thënë tragjik. Shqiptarët rrethohen me popuj sllavë dhe ortodoksë. Madje, këta popuj që i rrethojnë shqiptarët, kanë për baba një Rusi të madhe. Si pasojë e këtij rrethimi tragjik, më tepër se gjysma e trojeve shqiptare ndodhet jashtë trungut etnik historik shqiptar. Me fjalë të tjera, trojet shqiptare janë të pushtuara nga Serbia, nga Mali i Zi, nga sllavo-maqedonasit dhe nga Greqia. Në familjen e gjuhëve indoevropiane (indogjermane) shqiptarët (grekët dhe armenët) gjuha shqipe (greqishtja dhe armenishtja) nuk kanë motra. Janë popuj të veçantë dhe kanë gjuhë të veçanta. Përveç kësaj, gjatë sundimit osman, shqiptarët janë asimiluar në pikëpamje fetare. Si të tillë, e kanë humbur mbështetjen e Evropës së krishterë. Fuqitë perëndimore e kanë mbrojtur dhe vazhdojnë ta mbrojnë Greqinë e krishterë për arsye se ajo ndodhet në vijën e parë të frontit përballë botës islame apo Turqisë.

*   *   *

Kur Maqedonia u shkëput nga amalgama jugosllave, shqiptarët nuk kishin determinantë historikë, politikë dhe sociologjikë të mjaftueshëm për ta zgjidhur drejt kauzën e tyre kombëtare. Në këtë moment historik lindi Partia e Prosperitetit Demokratik (PPD) si një lëvizje popullore. Duhet dalluar lëvizjen popullore nga lëvizja politike. Themelimi i kësaj lëvizjeje popullore, për shqiptarët paraqet akt politik. Në mungesë të përcaktorëve të sipërthënë, kjo parti s’kishte potencial të duhur për të qenë në krye të përgjegjësisë historike. Shqiptarët në këtë kohë, s’kishin as klasë shoqërore relevante, as klasë politike as inteligjencie të nivelit të lartë. Popujt pa shkollë apo me gjysmë shkolle, nuk mund ta zgjidhin kauzën kombëtare të tyre. Mahatma Gandi (Mahatma Gandhi, 1869-1948) i cili qe në krye të lëvizjes nacionaliste për çlirimin e Indisë nga Britania, ishte shkolluar në Kolegjin universitar të Londrës.

PPD-ja nuk ia doli ta lëvizte çështjen shqiptare për arsye të caktuara, si:         

- potenciali politik, social, intelektual dhe ekonomik i pamjaftueshëm i shqiptarëve;

- nacionalizmi dhe antishqiptarizmi shtetëror sllavo-maqedonas;

 - kapaciteti intelektual dhe demokratik i pamjaftueshëm i palës sllavo-maqedonase.

 

Duhet shtuar se qëndrueshmëria e Maqedonisë është në duart e ShBA-së. Me fjalë të tjera, Maqedoninë nuk mund ta destabilizojë askush, as nga brenda, as nga jashtë (Greqia dhe Serbia). Uashingtoni u sugjeron të gjitha palëve që mosmarrëveshjet t’i zgjidhin me marrëveshje dypalëshe, ndërsa mosmarrëveshjet e brendshme t’i zgjidhin në rrugën politike dhe me mjete demokratike. Të gjitha mosmarrëveshjet të realizohen me njëfarë kompromisi.

Partia Demokratike Shqiptare (PDSh-ja) u ballafaqua me të njëjtat probleme me të cilat ishte ballafaquar edhe PPD-ja, nga gjiri i së cilës kishte dalë. Asgjë në histori nuk ka mundur të ndodhë ndryshe përpos siç ka ndodhur. Historia nuk njeh pothuajse asnjë rast që një popull t’ia ketë falur lirinë popullit të robëruar, të shtypur apo të diskriminuar – në pjatë. Për liri, për barazi, për të drejta dhe për demokraci - luftohet, qoftë me mjete violente, qoftë me forma joviolente. Të drejtat dhe liria fitohen, ato nuk falen.  

 Shqiptarët janë popull vital. Përkundër politikës diskriminuese, restriktive, centraliste, unitare, monoetnike dhe opresive të shtetit që ishte në duart e sllavo-maqedonasve, faktori shqiptar kurrë nuk pushoi së vepruari. U shënuan arritje të caktuara në lëmin e ekonomisë, në sektorin privat. Arritje të caktuara u shënuan edhe në lëmin e arsimit. 

Në vitet e para të pluralizmit politik në Maqedoni, problem madhor i kombit shqiptar ishte çështja e Kosovës. Për kombin shqiptar por edhe për qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtonin dhe Berlinin, zgjidhja e çështjes së Kosovës kishte përparësi. Çdo interes tjetër i kombit duhej t’i nënshtrohej këtij interesi. Miqtë e huaj të shqiptarëve kërkonin nga faktori politik shqiptar në Maqedoni që kërkesat kombëtare t’i zgjidhin në rrugën politike dhe me mjete demokratike, duke vepruar në institucionet e sistemit. Të njëjtën e kërkonin prej faktorit politik shqiptar në Maqedoni edhe qendrat politike shqiptare të vendosjes – Tirana dhe Prishtina.

S’kishte dyshim se koha punonte për shqiptarët. Kërkesat e shqiptarëve në Maqedoni ishin kërkesa themelore. Realizimi i tyre në asnjë mënyrë nuk i cenonte interesat e sllavo-maqedonasve. Kërkesat e shqiptarëve nuk e cenonin sovranitetin, as tërësinë tokësore të Maqedonisë. Kohës së sundimit të egër të sllavo-maqedonasve mbi shqiptarët, medoemos t’i vinte fundi.

Janë disa argumente që u mundësojnë shqiptarëve liri dhe barazi:

- argumenti historik, që nënkupton se shqiptarët në këto troje janë popull autokton (rrënjës);

 - argumenti i bashkëkohësisë, që nënkupton se shqiptarët në Maqedoni përbëjnë një të tretën e popullsisë së saj dhe paraqesin potencial etnik, demografik, biologjik, social, ekonomik, prodhues, kulturor dhe mbrojtës; dhe 

 - argumenti hipotetik, që nënkupton se shqiptarët, midis konfliktit dhe paqes, stabilitetit dhe destabilizimit, janë përcaktuar për paqe dhe stabilitet.

Injorimi i këtyre tre argumenteve është miopi politike, gjë që pashmangshëm shpie në konflikt. Sidoqoftë, ndryshime të caktuara sillte edhe koha. Ndryshime i impononin Shkupit edhe Uashingtoni me Brukselin. Nuk mund të hyjsh në BE duke ndjekur ndaj shqiptarëve politikë diskriminuese, duke i matur të drejtat e tyre në shtratin e Prokrustit. Shqiptarët ishin kafshatë e madhe për sllavo-maqedonasit. Politika antishqiptare e sllavo-maqedonasve mbështetej fuqimisht edhe nga Beogradi, Athina dhe Moska. Antishqiptarizmi në Maqedoni ishte politikë e shtetit, d.m.th. e LSDM-së dhe e VMRO-së. Kundër shqiptarëve ishin edhe institucionet arsimore dhe shkencore sllavo-maqedonase, Akademia Maqedonase e Shkencave dhe e Arteve, e cila s’ishte veçse nëndegë e Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve.  

Jo për çdo gjë janë fajtor sllavo-maqedonasit. Përgjegjësia i takon edhe faktorit politik shqiptar. Nuk mund të qëndrosh në qeveri dhe të bëhesh dekor i demokracisë së një shteti unitar, monoetnik, centralist që ndjek politikë diskriminuese, restriktive, e që ku t’i kujtohet, ushtron edhe opresion. Interesi koniunktural nuk mund të shitet si interes kombëtar. Askush nuk mund t’i detyrojë shqiptarët të jenë faktorë qëndrueshmërie, e në anën tjetër të durojnë padrejtësinë. Çështja shqiptare përplasej nga skila në haribdë.          

Kur politika nuk ia del të imponojë dhe të gjejë zgjidhje, atëherë shpërthen lufta. Lufta e 2001-shit e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, ushtri kjo heroike, solli Marrëveshjen e Ohrit. Kjo është marrëveshje me peshë dhe me rëndësi ndërkombëtare. Ajo solli ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë. Sipas saj, Maqedonia nuk mund të jetë dhe s’ka për teqenë shtet unitar, centralist, monoetnik. Sllavo-maqedonasit nuk mund të jenë mbartës të vetëm të shtetësisë dhe trashëgues të vetëm të shtetësisë. S’mund të ketë Maqedoni pa shqiptarët. S’mund të ketë qeveri sllavo-maqedonase pa shqiptarët. Një qeveri sllavo-maqedonase pa shqiptarët shpie pashmangshëm në krijimin e sistemit paralel. Një Maqedoni pa shqiptarët do të shuhej si flluskë sapuni. Si çdo marrëveshje, ashtu edhe Marrëveshja e Ohrit, paraqet  kompromis midis kërkesave politike, historikisht të justifikueshme të shqiptarëve, në një anë dhe qëndrimeve ideologjike ultranacionaliste, retrograde, anakronike të sllavo-maqedonasve, në anën tjetër. Nuk duhet harruar se asnjë marrëveshje në histori nuk është e përjetshme, e pandryshueshme dhe e pakorrigjueshme. Marrëveshja e Ohrit duhej të ishte zbatuar apo  implementuar qysh në vitin 2004. Jetësimin e saj e pengonte në çdo mënyrë VMRO-ja nacionaliste, e cila s’kishte marrë mësim nga demokracia. Pas Marrëveshjes së Ohrit, Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) tregoi do shenja reformuese.

Shqiptarët tanimë kishin themeluar Universitetin e Tetovës si dhe Universitetin e Evropës Juglindore. Pjesë e proceseve politike është edhe zyrtarizimi i Universitetit të Tetovës. Në këto dy universitete morën dituri studentë shqiptarë dhe të tjerë, nga Maqedonia, nga Kosova, nga Kosova Lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), nga Shqipëria. Degëzimi i universiteteve nëpër qytete të ndryshme si dhe shtimi i universiteteve private nuk duhet të merret si hap i drejtë. Para themelimit të universiteteve shqiptare, shqiptarët ishin të përfshirë në arsimin universitar të Maqedonisë vetëm 1 për qind, pa e llogaritur të ashtuquajturën Shkollë e Lartë Pedagogjike, ku pjesa më e madhe e mësimeve zhvillohej në gjuhën e sllavo-maqedonasve. Një diskriminim i tillë s’ishte parë në asnjë vend të Evropës.

Ngritja intelektuale e faktorit shqiptar, sa vinte e shtohej. Në sektorin privat, dita-ditës rritej edhe fuqia ekonomike e shqiptarëve. S’ka dyshim se në lëmin e arsimit ka pasur edhe deformime të rënda, që nga arsimi fillor dhe i mesëm, deri në atë universitar. I tërë ky zinxhir ka qenë dhe vazhdon të jetë i politizuar dhe i partizuar. Shërbëtor shkolle katundi s’ke mundur të bëhesh, pa qenë shërbëtor i partisë në pushtet. Që nga themelimi i universiteteve e deri më sot ka pasur një inflacion të paparë të titujve akademikë. Kjo mund të jetë në interes të individit, por jo edhe të shoqërisë.             

Pas mbarimit të luftës së 2001-shit dhe pas Marrëveshjes së Ohrit, në hapësirën politike shqiptare lindi partia Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI). Ka të tillë që këtë subjekt politik e kanë cilësuar si parti të luftës apo si parti të dalë nga lufta. Me daljen në skenën politike të këtij subjekti, filloi tatëpjeta e Partisë së Prosperitetit Demokratik (PPD), por edhe e Partisë Demokratike Shqiptare (PDSh). Detyrë dhe rol i BDI-së ka qenë zbatimi apo implementimi i Marrëveshjes së Ohrit.

Të gjitha partitë shqiptare kanë qenë në bashkëqeverisje, edhe me LSDM-në, edhe me VMRO-në. Qeverisja me VMRO-në, që nga vitet e fillimit të pluralizmit e deri më sot ka qenë dhe është humbje e kohës politike. Kjo parti edhe sot ka mbetur me idetë e shekullit XIX, që për periudhën e demokracisë parlamentare, nuk janë veçse anakronike, retrograde, romantike dhe antihistorike. Kjo parti vazhdon të jetë thellësisht antishqiptare. Për VMRO-në, Maqedonia është e sllavo-maqedonasve, shqiptarët ndërkaq, nuk janë veçse qiraxhinj. Në koalicion me këtë parti të vjetruar, ka qenë edhe BDI-ja e luftës. Sllavo-maqedonasit duhet ta dinë se shqiptarët janë në tokë të vet, në tokat e të parëve, të stërgjyshërve, të ilirëve. Si të tillë, ata s’mund të jenë dhe s’kanë për të qenë qiraxhinj në tokë të vet.

Do të ishte nihilizëm të thuhej se gjatë periudhës së pluralizmit, shqiptarët në Maqedoni s’kanë arritur asgjë. Një pikëpamje e tillë absolutisht është e papranueshme dhe e padrejtë. Vlerësimin objektiv dhe profesional mund ta bëjnë ekspertët e fushave të ndryshme. Vlerësimin e drejtë të arritjeve të shqiptarëve nuk mund ta bëjnë veprimtarët dhe militantët e shtabeve partiake të shpërndara nëpër lagje. Lehtë e ke të kritikosh, të sulmosh, të fyesh, të ofendosh dhe të denigrosh kur je në opozitë. Por kur vetë hyn në pushtet, vendor apo qendror, e sheh se punë ke me sllavo-maqedonasit. Në letër, kufijtë e Shqipërisë i çon deri në Nish, por në politikë puna ndryshon. Nuk bëhet Shqipëria, as shqiptaria duke ndenjur, duke punuar dhe duke jetuar në Perëndim. Shqipëria dhe shqiptaria bëhen këtu, në këtë baltë të Ballkanit. Shqipëria dhe shqiptaria nuk bëhen duke ndenjur me orë të tëra nëpër të ashtuquajtura rrjete sociale. Duhet vepruar këtu në vendlindje, për t’i evropianizuar trojet shqiptare, për ta ndalur shpërnguljen, dyndjen, shpopullimin e viseve, territoreve shqiptare. Ndryshimet s’bëhen vetvetiu. Ato s’vijnë nga qielli. Të rinjtë duhet të jenë pjesë e transformimeve, këtu dhe sot. S’ka kurrfarë dyshimi se shqiptarët duhet të jenë edhe të pakënaqur me arritjet e deritashme të udhëheqësve të vet. Gjithmonë mund të arrihet më shumë. Veprimi politik është pjesë e procesit dialektik. Sipas parimit të Vilhelm Fridrih Hegelit (Georg Wilhelm Friedrich Hegel, 1770-1831), uniteti i të kundërtave e çon shoqërinë para. Kritika politike dhe ajo sociale, është jo vetëm e drejtë e individit por edhe detyrim i tij.

Preokupim i të rinjve është zhvillimi ekonomik i hapësirave shqiptare. Kjo bëhet me punë dhe me veprim. S’bëhet dot me fjalë. Gjergj Kastrioti, gjuha shqipe, flamuri kombëtar, respekti i thellë ndaj epopesë së Adem Jasharit, dashuria ndaj Shqipërisë dhe ndaj Kosovës nuk janë pengesë për zhvillimin ekonomik të shqiptarëve. Gjergj Kastrioti kurrë s’u ka thënë shqiptarëve: Merruni me mua dhe mos ndërtoni fabrika. Duhet dalluar atdhetarizmin folklorik nga dashuria, njohja dhe mbrojtja e vlerave kombëtare. Çështjes shqiptare në Ballkan nuk do t’i dalin zot kriptoshqiptarët.  

Derisa im atë apo im bir ishte në pozitë apo në pushtet, situata ishte e mirë, s’ka sesi bëhej më mirë. Kur im atë apo ime bijë doli nga pushteti, mbeti pa pushtet, përnjëherë gjendje u bë zi e më zi, keq e më keq. Kjo pikëpamje është joobjektive dhe e njëanshme.      

Detyrë e opozitës politike është të kritikojë mbartësit e pushtetit, vendor apo qendror.  Asgjë s’i zhvillon proceset demokratike sa mendimi kritik. Është e drejtë dhe detyrë e të rinjve të organizohen politikisht, t’i kritikojnë të metat, dobësitë dhe deformimet e pushtetarëve. Të ngrenë zërin e protestës kundër korrupsionit në nivelet shtetërore më të larta, të stigmatizojnë nepotizmin, joprofesionalizmin, diletantizmin. Por kjo s’bëhet dot me porosi të dërguara dhe  me postime të shfaqura nëpërmjet pajisjeve elektronike.             

*   *   *

Që nga vitit 1991, në hapësirat shqiptare kanë lindur dhe janë themeluar shumë parti politike. Shumë prej tyre, janë shuar. Partinë e shuan vetë populli – me votë. S’të voton dhe ti shuhesh. Për nga përkufizimi, partitë janë grupe interesi që synojnë pushtetin, marrjen e pushtetit. Kur një popull s’e ka të zgjidhur kauzën e vet, aty lind dhe vepron një front kombëtar apo një lëvizje politike. Të gjitha partitë e tjera, të bashkuara rreth ideologjisë kombëtare apo idesë demokratike, bëhen pjesë e atij fronti kombëtar apo e asaj lëvizjeje politike. Pas zgjidhjes së çështjes kombëtare, ky front apo kjo lëvizje pushojnë të ekzistojnë ose transformohen. Tani secila parti vepron e pavarur dhe lufton për pushtet. Në demokracinë parlamentare, forcën e një subjekti politik e përcakton populli, votuesi, elektorati.

Në hapësirën politike shqiptare, në saje të qëndrimit 20-vjeçar në pushtet, vazhdon të mbizotërojë BDI-ja. Pranë saj ndodhet edhe Partia Demokratike Shqiptare. Përballë BDI-së veprojnë edhe subjekte të tjera, si Aleanca për Shqiptarët, Lëvizja Besa dhe Alternativa. Roli, ndikimi dhe shtrirja e tyre matet në radhë të parë me mandatet e deputetëve. Një matje e forcës së tyre u bë edhe gjatë zgjedhje vendore të 17 tetorit të vitit në vazhdim, kur u votua për këshilla bashkiakë. Rezultatet e zgjedhjeve të sipërthëna i dinë, si partitë politike, ashtu edhe publiku. Rezultatet e zgjedhjeve të 17 tetorit për këshilla bashkiakë nuk do të thotë se do të përputheshin me ato të zgjedhjeve parlamentare.

PDSh-ja me 1 deputet, Lëvizja Besa me 2 deputetë, Alternativa me 4 deputetë dhe Aleanca për Shqiptarët me 8 deputetë nuk mund të thonë: “Unë e përfaqësoj interesin shqiptar” ose “Ne e përfaqësojmë interesin shqiptar”. Njëfarë pasqyre të zgjedhjeve parlamentare të ardhshme, mutatis mutandis, partitë politike dhe publiku mund të marrin edhe prej zgjedhjeve vendore të 17 tetorit për këshilla bashkiakë. Të jesh në pushtet, d.m.th. në qeveri, në një anë dhe ta përfaqësosh interesin shqiptar, në anën tjetër, këto janë dy gjëra. Kur një kauzë kombëtare konsiderohet e pazgjidhur, atëherë partitë politike dalin me një program apo platformë të përbashkët dhe vice versa. Kur një çështje kombëtare konsiderohet e zgjidhur, atëherë partitë veprojnë si grupe interesi. Secila sosh vepron në krye të vet, si t’i vijë më mirë.

Në hapësirën politike shqiptare tashmë s’dihet se kush është pozitë (mazhorancë) dhe kush opozitë. Partitë shqiptare hynë në qeveri dhe dalin prej saj, si t’u kujtohet dhe sa herë t’u kujtohet. Hyrja në pushtetin qendror sa për të marrë disa dikastere, mund të jetë e leverdishme dhe fitimprurëse për partinë – grup interesi apo për koniunkturën e saj, por jo edhe për interesin shqiptar. Interesi shqiptar nuk është interes i dy a tre ministrave. Po qe se opozita shqiptare – Aleanca për Shqiptarët, Lëvizja Besa dhe Alternativa nuk tregojnë zotësi, zgjuarsi dhe aftësi të bashkohen dhe të shkrihen në një subjekt politik të përbashkët, atëherë ajo kurrë s’ka për të qenë faktor me ndikim relevant. Këto parti, jo vetëm që s’e kanë mendjen të bashkohen, përkundrazi, dita-ditës përçahen akoma më shumë. Dhe të gjithë, përfshi edhe BDI-në, flasin në emër të shqiptarizmit. 

Të thuash se kauza shqiptare në Maqedoni tanimë është zgjidhur, absolutisht është gabim. Ka pasur të tillë që kanë thënë se Maqedonia duhet të shndërrohet në shtet federativ. Është thënë se shqiptarët nuk duhet të figurojnë si 20 përqindësh por si popull shqiptar apo si bashkësi etnike shqiptare. Këto janë ide të mira, por kjo s’bëhet me fjalë. Kur je në opozitë thua ç’mos, çka nuk thua. Në aleancë me VMRO-në kjo s’bëhet dot. Mbase as me LSDM-në. Euforinë e fushatave parazgjedhore duhet dalluar nga veprimi politik i përgjegjshëm.

Përkundër faktit se VMRO-ja ka qenë dhe është parti e cila brenda tridhjetë viteve e ka kundërshtuar me rreptësi çdo kërkesë të faktorit politik shqiptar, megjithëkëtë secila parti shqiptare bashkëpunon me të. Edhe BDI-ja ka thënë: “Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me çdo parti, përpos me Të majtën”. Me fjalë të tjera, me VMRO-në është e gatshme të bashkëpunojë edhe BDI-ja. Po t’i pyesësh partitë shqiptare, do të thonë: “Unë do të kisha hyrë në bashkëqeverisje me VMRO-në, por me platformë”.

Në zgjedhjet vendore të 17 dhe të 31 tetorit për kryetarë bashkish, VMRO-ja fitoi 42 bashki, përfshi edhe Shkupin, ndërsa LSDM-ja vetëm 12 sosh. Në një vend me demokraci të zhvilluar, një qeveri humbëse si kjo konsiderohet jolegjitime dhe sakaq jep dorëheqje të parevokueshme. Faktori politik shqiptar i përçarë nuk mund ta mbrojë interesin shqiptar. Opozita shqiptare e fragmentarizuar nuk do të mund të jetë faktor politik me ndikim. Duke rendur pas pushtetit me çdo kusht, faktori politik shqiptar rrezikon të defaktorizohet. Në anën tjetër, një parti që ri gjatë në opozitë rrezikon të marrë tatëpjetën. Tani duket sikur e ardhmja e opozitës shqiptare është në duart e VMRO-së. Kjo nënkupton që VMRO-ja, nën premisën që t’i arrijë 61 deputetë, ta përfshijë në qeveri opozitën shqiptare (ASh-në dhe Besën) dhe ta lë jashtë qeverie BDI-në, qoftë edhe kjo të dalë fituese në zgjedhjet parlamentare.    

Me qëndrimet e veta antishqiptare VMRO-ja e ka radikalizuar tej mase hapësirën politike sllavo-maqedonase. Kur të vijë në pushtet, gjë që do të ndodhë, është e mundur që kjo parti të mos arrijë marrëveshje me Bullgarinë. Si pasojë, rruga e këtij vendi për në BE do të zvarritej deri në pafundësi. Kjo do të krijonte kushte për aktivizimin e ndikimit rus në këtë vend. Me VMRO-në, edhe përdorimi i gjuhës shqipe do të haste në vështirësi.  

Faktori politik shqiptar duhet t’i kushtëzojë partnerët e bashkëqeverisjes, VMRO-në apo LSDM-në me investime kapitale në viset shqiptare të ngecura ekonomikisht. Ndryshe, partitë shqiptare do të shndërrohen në instrumente të VMRO-së për interesa meskinë.          

             

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat