Kush i vodhi 2 milionë euro nga thesari?!

Opinione

Kush i vodhi 2 milionë euro nga thesari?!

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 28 nëntor 2021 Në ora: 19:11
Foto ilustrim

Mbetet mister akoma fati i 2 milionë euro të vjedhura nga Thesari i Shtetit, të cilat janë shumë e madhe për çdo shtet, sidomos për Kosovën e varfër. Duket se tre personat e përmendur deri tani, nëse nuk dalin më shumë, kanë pasur guximin që ta bëjnë këtë vjedhje, pasi ishin të lidhur me politikën, nga aty edhe kanë “marr” mbështetjen për këtë super hajni.

Pas transferimit ilegal të dy milionë e 77 mijë eurove nga Thesari i Shtetit në llogarinë e kompanisë private LDA Group SH.P.K më 9 tetor, një shumë prej mbi 1 milionë e 300 mijë eurove është procesuar në 17 xhirollogari të tjera. Nga këto, 17 llogari, paratë janë shpërndarë në rreth 50 llogari tjera, firmash e individësh të cilët kanë kryer blerje të ndryshme, nga ushqimi, deri të veturat luksoze. Deri tani është arrestuar një person, Labinot Gruda, i cili është si i dyshuar, derisa dy të tjerët janë në kërkim. Për “çudi” Labinot Gruda është anëtar i PDK-së, kësaj partie që njihet për “kapje të shtetit”, për hajni dhe krim.

Andaj, të qenurit anëtar i PDK-së, duket se është në gjenet e tyre për të bërë avullime të tilla.

Natyrisht se secili njeri merr përgjegjësi për veprimet e veta, mirëpo nuk është rastësi se Labinoti është anëtar i PDK-së, duke qenë se ia kishte “marr dorën” këtyre punëve, pasi ishte edhe drejtor i Buxhetit dhe Financave në Drenas, nga aty duket se “mësoi” zanatin.

Nuk është rastësi asgjë, është krejtësisht e kuptueshme që pse Labinoti është në PDK e mbase edhe të tjerët të përfshirë në këtë “avullim”, pasi kjo parti është ndërtuar mbi themelet e hajnisë, “avullimit” të milionave të tjera.

Në fakt, Labinoti përfaqëson PDK-në në mënyrën më të mirë të mundshme, pra është fytyra e vërtetë e saj. Në anën tjetër, po të isha në vend të ministres së Financave do të kisha dhënë dorëheqje, si akt moral, pavarësisht se nuk ka të bëj fare me këtë rast. Kjo do të ishte një mësim, një shkollë për PDK për t’i treguar se dorëheqja jepet për akte morale, derisa ju keni brenda jush njerëz që “ avullojnë ” paratë e shtetit. Mbase, hetimet do të nxjerrin edhe shumë të përfshirë, pa përjashtuar këtu që të ketë në këtë plan edhe “koka të mëdha” të PDK-së, kësaj partie që krimin, korrupsionin i ka në “ADN” të saj. Megjithatë, paratë akoma nuk janë kthyer në buxhetin e Kosovës.

Kjo aferë dëshmon brishtësinë e institucioneve të drejtësisë për të bërë punën e saj.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat