Pa profesor Skënder Rizajn arbërit do t’ishin përjashtuar nga Kosova Mesjetare!

Opinione

Pa profesor Skënder Rizajn arbërit do t’ishin përjashtuar nga Kosova Mesjetare!

Nga: Prof.Dr.Jahja Drançolli Më: 29 nëntor 2021 Në ora: 09:32
Profesori Skender Rizaj, u nda dje nga jeta

Në Prishtinë, më 28 nëntor 2021 ndërroi jetë profesor Skënder Rizaj, një nga kalorësit e historisë mesjetare dhe osmanistikës shqiptare, pa kontributin e tij shkencor arbërit do t’ishin përjashtuar nga Kosova Mesjetare!

Profesor Skënder RIZAJ (1930 - 2021), u lind në Pejë, ku kreu edhe shkollën fillore (1945). Në Prizren kreu shkollën normale (1947). Studimet i ka mbaruar në Departamentin e Historisë të Universitetit të Shkupit (1956). Studimet pasuniversitare dhe të doktoratës i ka mbaruar në Departamentin e Historisë të Universitetit të Sarajevës (1965).

Është burgosur në moshë të mitur për aktivitetin e tij në grupin nacionalist të drejtuar nga Marije Shllaku e Bernard Llupi (1946). Karrierën edukative-pedagogjike e ka nisur si mësues në Pejë e rrethinë (1948-1952), dhe si profesor i gjimnazit të Pejës (1956-1961). Punën shkencore e universitare e ka nisur në Arkivin e Kosovës (1961-63), si dhe në Degën e Historisë të Fakultetit Filozofik në Prishtinë, së pari si asistent, për t’u avancuar gradualisht deri në profesor ordinar (1965-1987). Në ndërkohë ka bërë studime specialistike postdoktorale dhe hulumtime sistematike arkivore sidomos në arkiva dhe biblioteka të Londrës, Sarajevës, Tiranës, Beogradit, dhe të Stambollit, ku më vonë është caktuar për këshilltar-specialist i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave Shtetërore të Qeverisë Turke (Başbakanlık Arşivi, 1989-1990). Është laureat i Medaljes “Mësues i Merituar”, dekoruar nga Presidenti i Republikës së Kosovës (2010).

Është autor i një sërë monografive shkencore, të cilat pasqyrojnë historinë shqiptare, ballkanike nga lashtësia deri në ditët e sotme, me theks të veçantë periudhën osmane: “Rudarstvo Kosova i susednih krajeva od XV do XVII veka” (Priština: ZNUKM, 1968); “Kosova gjatë shekujve XV, XVI dhe XVII” (Prishtinë: 1982; Tiranë: 1987); “Bulgar ve Bulgaristan meselesi” (İstanbul: Başbakanlık Arşivi, 1989); “Shqiptarët dhe Serbët në Kosovë” (Prishtinë: 1991); “Kosova, Shqiptarët dhe Turqit, dje, sot, dhe nesër/Kosovo, Albanians and Turks Yesterday, Today and Tomorrow/Kosova, Arnavutların dünü, bugünü ve yarını” (İstanbul: 1993); “Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1877-1885 (Prizren: 1998); “E drejta historike e shqiptarëve për vetëvendosje” (Prishtinë: 2005); “Falsifikimet e historiografisë serbe” (Prishtinë: 2006); “Gazetat turke dhe amerikane për gjenocidin serb ndaj shqiptarëve (1999)/The Turkish and American Newspapers about Serbian Genocide on Albanians (1999)” (Prishtinë: 2008); “Vilajetet Shqiptare-Vilajeti i Kosovës (1864-1912)/AlbanianVilayets-Vilayet of Kosova (1864-1912)”, I, II (Prishtinë: 2008), etj. Është autor i tekstit universitar “Historia e Përgjithshme Koha e Re I, 1453-1789” (Prishtinë: Universiteti i Kosovës, 1985 - i përkthyer edhe në gjuhën arabe), si dhe i disa teksteve historike për shkollat fillore.

Ka botuar edhe disa vëllime dokumentesh nga arkivat turke dhe britanike: “Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumente angleze 1878-1881” (Prishtinë: Arkivi i Kosovës, 1978); “Dokumente angleze mbi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe fillimi e copëtimit të Ballkanit (1877-1885)”, 1, 2 (İstanbul: 1993).

Ka marrë pjesë me referate dhe kumtesa në shumë kongrese dhe konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare. Është autor i më se 300 studimeve shkencore e profesionale, të botuara në gjuhën shqipe, serbo-kroate, maqedonase, sllovene, angleze, turke, italiane, gjermane dhe arabe.

Nga gjithë ky opus, duhet veçuar sidomos dy studime, të cilat konsiderohen si pikëreferenca për studiues të njohur, që merren me çështje relevante: “Mbi të ashtuquajturën dyndje e madhe serbe nga Kosova në krye me patrikun Arsenije Çarnojeviq, 1690” (Gjurmime Albanologjike, ser. e shk. historike, 1983); “Përpjekja e Kosovarëve për t’u çliruar në vitet 1689-1690 (Tiranë, Studime historike, 1983/7). Është pensionuar para kohe me urdhrin e regjimit të atëhershëm.

Dëshmitarët më të mirë dhe më të paanshëm të përkushtimit shkencor të Prof. Skënder Rizaj, janë librat e Tij, si dhe dorëshkrime të tjera, të cilat ai i konceptoi dhe redaktoi për të tjerët për të theksuar kulturën e popullit të Tij dhe vendin e tij ndër popujt e qytetërimit europian. Për këtë qëllim ne i zumë ngoje vetëm veprat monumentale. Prandaj, lexuesi i paanshëm do të kuptojë se librat e Tij të pashkruar janë shtyrë për kohët e ardhshme, pasi mendoi se do të ishte më mirë t'i hapte hapësirë mendimit të të tjerëve.

Pushoftë në Paqe të Përjetshme profesori ynë i dashur dhe i çmueshëm!

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat