Nëse na sulmon Serbia, komandantët e rrejshëm ikin të parët!

Opinione

Nëse na sulmon Serbia, komandantët e rrejshëm ikin të parët!

Faton Mehmeti, Bota sot Nga Faton Mehmeti, Bota sot Më 2 dhjetor 2021 Në ora: 08:56
Xhavit Haliti, Hashim Thaçi, dhe Kadri Veseli

Serbia, jo një herë, më shumë se një herë, me dhjetëra herë ka kërcënuar Kosovën.

Tanimë s’ka asnjë dyshim se Serbia ëndërron të kthehet në Kosovë, e gjitha që e frenon është NATO në Kosovë, konkretisht SHBA. Deklarata kërcënuese për Kosovën kanë dhënë duke nisur nga presidenti serb Vuçiq e deri tek të tjerët në rang më të ulët. Në veçanti kur Kosova ka synuar të shtrijë sovranitetin në veri, pothuajse çdo herë ka pasur deklarata kërcënuese se “jemi gati të mbrojmë serbët në veri”, apo edhe të tipit “një ditë do të kthehemi në Kosovë”, etj.

Natyrisht se Serbia, përkundër mbështetjes së Rusisë nuk guxon të ndërhyjë në Kosovë, derisa SHBA është këtu. Mirëpo, nëse çmendet Vuçiqi dhe nis forcat serbe në Kosovë, jam i bindur se ka shumë qytetarë që do i dalin në mbrojtje vendit, kemi këtu edhe FSK-në.

Mirëpo, shtrohet pyetja a do të dalin ta mbrojnë vendin ata që na kanë lodhur që 20 vjet duke thënë “kam luftuar, kam luftuar…”, soji i Hashimit (ky gjendet në Hagë, por edhe po të këtu ishte do të nisej i pari për të Rogneri), ata mbi 60 mijë veteranë a do ta tregojnë veten ?!

Dyshoj shumë, pavarësisht se kjo është një gjendje hipotetike, megjithatë Kosova duhet të jetë çdoherë e gatshme për të mbrojtur vendin e saj. Askush nuk lufton për vendin më me zemër se ai që është lindur dhe rritur këtu, ka gjakun dhe baltën e këtij vendi në secilën pjesë të trupit. Jam thellësisht i bindur, ata që flasin nuk kanë vepra, ata që përmendin luftën ditë e natë janë po ata që janë fshehur skutave e në banjo kur ka pasur beteja, luftëtarët e vërtetë janë ata që publiku nuk i njeh, ata rrinë të heshtur, janë po ata atdhetarët e vërtetë, janë ata që në secilën situatë i dalin vendit në mbrojte, ata nuk luftojnë për famë, pasuri e pozita, luftojnë për vendin, atdheun.

Të tillë s’kanë qenë në pozita, ata nuk janë shfaqur në emisione, në media, janë të fshehur, çdoherë kur vendi ka nevojë ata janë aty .Të tillë njerëz i duhen vendit, me të tillë vendi mbrohet dhe nderohet. Serbia, kot krokaset, nuk është më Kosova e vitit 1998, tanimë kemi ushtrinë tonë, pa anashkaluar KFOR-in. Po imagjinoj për një moment, Hashimin, Kadriun, Samiun, Fatmirin, Xhavitin, plumbi i parë që do të shkrepej, do të iknin si lepuj në Rogner, nga ku do bënin thirrje “për fonde, atdheu ka nevojë”.

Eh trimat, secili më i shpejtë se tjetri, do të luftonin vetëm ata që nuk dalin në publik, por dalin në front. Gjithsesi, Vuçiqi nuk ka guximin për t’iu futur një beteje të humbur, ani pse Kosova kurrë nuk duhet t’i besojë Serbisë. Po nuhasin SHBA, nëse një ditë tërhiqet, do t’ia mësyjnë Kosovës, edhe pse do të dalin të humbur.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat